LAJMI I FUNDIT:

Koffer Kosova në Hamburg

Koffer Kosova në Hamburg

Mes datës 2-8 Qershor 2009, në kuadër të programit të veçante të Festivalit Ndërkombëtar te Filmit te shkurtër në Hamburg të Gjermanisë (Internationales Kurzfilm Festival Hamburg), do të shfaqet projekti "Koffer Kosova" ("Valixhja kosovare").

Projekti ka për qellim promovimin e filmit të shkurtër dhe të video-artit nga Kosova. Është hera e parë që Kosovës t´i jepet një platforme e tille brenda një festivali me renome ndërkombëtare, i cili këtë vit feston 25 vjetorin.

Me 4 Qershor Mehmet Behluli do ta mbajë një ligjëratë në “Filmhaus” të përcjellë me mjete audiovizuale, ku do të flasë mbi artin bashkëkohor kosovar, duke u përqendruar në veprat mediale të videoartit.

Programi i filmave të shkurtër, i cili do të shfaqet me 7 Qershor përmban pesë filma nga Kosova dhe mbi Kosovën: filmin “Kosova 9/11” të regjisores Burbuqe Berisha, i cili është shpërblyer me shumë çmime, “Tre minuta vetmi” nga Visar Krusha dhe “Aureola e shthurur” nga Shota Bukoshi, të cilet japin premierën internacionale. “Berries From Brod” i regjisorit Erik Fusco, një film holandez mbi fshatin Brod dhe “Zasto ne govorim srpski” nga Phil Collins, i cili është shpërblyer me shumë çmime dhe është shfaqur në vitin 2008 në Dokufest në Prizren.


Projekti është koncipuar dhe realizohet nga Shota Bukoshi në kuadër të punës së saj si menaxhere e kulturës në Gjermani dhe përkrahet nga fondacioni Robert Bosch dhe nga Sëiss Cultural Programme in the Western Balkans.

Qëllimi i Shota Bukoshit është të krijojë një imazh të diferencuar ndaj kulturës kosovare në Gjermani dhe ta sforcoje shkëmbimin kulturor.

Me datën 24 dhe 25 qershor, valixhja e saj do te vazhdojë të udhëtojë dhe ta prezantojë përmbajtjen në kuadër të projektit "Hotel Prishtina", qe organizohet nga zyra për çështje kulturore "Sauerbrey/Raabe" ne Berlin. Projekti "Hotel Prishtina" do të ftojë artistë nga Kosova të vijnë në “Hebbel am Ufer” në Berlin dhe të sjellin me vete teatër, art si dhe informata për shtetin e tyre. Gjate dy ditësh publiku berlinas do të ketë mundësi të fitojë një përshtypje për jetën e përditshme kosovare dhe për skenën kulturore artistike.