LAJMI I FUNDIT:

Koci dhe Hajredini, “Dy pjesë të një ekspozite” në Stacion

Koci dhe Hajredini, “Dy pjesë të një ekspozite” në Stacion

Në Stacion - Qendrën për Art Bashkëkohor, pranë Muzeut Etnologjik në Prishtinë, të enjten (sot) në orën 20:00 hapet ekspozita “Dy pjesë të një ekspozite”, të artistëve Merita Koci e Driton Hajredini. Kurator i ekspozitës është Albert Heta.

Kuratori Heta ka vlerësuar se artistët Merita Koci dhe Driton Hajredini kanë përdorur një strategji popullore në veprat e tyre “Jeta”, respektivisht “Kush e vrau pikturën”, mbi të cilën është e ndërtuar edhe shoqëria e sodit.

Kjo strategji, sipas tij, është e konstruktime në stilin, “fshih, kopjo dhe përvetëso” – si strategji e zgjedhur për të operuar edhe mbi një punë arti nga e kaluara.

“Në këtë rast ne nuk do të tregojmë një punë që merret me të kaluarën. Do të tregojmë një pune nga e kaluara e afërt që merret me të sotmen. Një punë që në kohën kur është krijuar ka mbetur pa një kontekst të duhur historik, si edhe shumë punë të tjera nga kjo skenë”, vlerëson Heta.


Vepra e prezantuar në këtë ekspozitë, sipas Hetës, në një formë i kundërvihet tezës se kulturat e bazuara në identitetin seksual dhe gjinor ­ komuniteti LGBT – në Kosovën e pasluftës, janë një realitet shoqëror i importuar prej perëndimit prej bijve dhe bijave tona të dërguara në vend të sigurt dhe të dërguar për të punuar për të mbajtur Kosovën gjatë okupimit të fundit serb 1989-1999, dhe si i tillë komuniteti LGBT është trup i huaj në kulturën tonë.

“Por edhe në këtë tregim, si duket askush nuk e di çka të bëhet me ata që e importuan këtë realitet ­ bijtë dhe bijat tona të guximshme. Ky kontekst, tani në trupin e një shteti të ri, është i obliguar për t’u gjetur vend pakicave etnike, por sfida kryesore dhe çelësi për zgjidhjen e madhe është të gjendet mënyrë për t’i toleruar pakicat e shumicës”, vlerëson ai. /Telegrafi/