LAJMI I FUNDIT:

“Klanica” edhe në Londër

“Klanica” edhe në Londër

Pas Sarajevës, “Klanica 5” (“Slaughterhouse 5”/”Therrtorja 5”) do të shfaqet në Londër. Shfaqja, në të cilën njërin ndër rolet kryesore e luan aktori kosovar Imer Mushkolaj, do të jepet më 27 maj në skenën “Testbed1” të kryeqytetit britanik, në bashkëpunim me Institute for Converging Arts & Sciences të Universitetit të Greenwichit.

Në shfaqjen e realizuar sipas motiveve të romanit me të njëjtin titull të shkrimtarit të njohur amerikan Kurt Vonnegut, Mushkolaj përfaqëson qendrën “Multimedia” nga Prishtina.

Me dramatizim të Tatjana Ljujicit dhe regji të Fahrudin Nuno Salihbegovicit, shfaqja është prodhim i platformës artistike ndërkombëtare SET (Beograd-Londër-Amsterdam). Versioni i parë i saj është dhënë në vitin 2007 dhe që nga ajo kohë, “Klanica 5”, e realizuar në tri versione, është shfaqur në vende të ndryshme.

Në Sarajevë, më 7 maj, shfaqja është mirëpritur nga publiku. Shfaqja është një rrëfim për bombardimin e qytetit të Drezdenit gjatë Luftës së Dytë Botërore, gjatë të cilit për një natë vdiqën 135 mijë veta. Tmerrin e Drezdenit e ka përjetuar vetë shkrimtari Vonnegut dhe ai atë përjetim e ka “bartur” në një tregim fantastiko-shkencor, duke ofruar një tregim shizofrenik të aktorit kryesor, për një vizitë në tjetër planet.


Shfaqja i takon zhanrit të ashtuquajtur “teatër digjital”, sepse përveç teatrit klasik verbal në të përfshihen edhe elemente vallëzimi, dokumentari dhe video teatri. Ndërkaq, e veçantë është përdorimi i softuerit interaktiv dhe teknologjisë digjitale, gjë që bën të mundur që elemente të shfaqjes të jenë nën kontrollin e aktorëve gjatë gjithë kohës. Përveç Mushkolajt, në shfaqje luajnë edhe Janosh Bush, Vahidin Prelic, Andrijana Lubina dhe Jovana Rakic. /Telegrafi/