LAJMI I FUNDIT:

Kisha e Kuvendit të Arbrit, në të kaluarën dhe sot

Kisha e Kuvendit të Arbrit, në të kaluarën dhe sot

Nga: Dom Nikë Ukgjini 

Nevoja e një Kuvendi Arbërorë! Ndër tiparet dalluese të marrëdhënieve të papatit në lidhje me Arbërinë ka qenë, në të gjitha kohët përpjekja e tij për të qëndruar pranë vështirësive e rreziqeve qe u janë kërcënuar, nga armiqtë e jashtëm e sidomos gjatë pushtimit 500 vjeçar të Perandorisë Osmane.

Mbështetur në burimet e Selisë së Shenjte të shek.. XVI – XVIII vuajtjet më të mëdha dhe rreziqet e shpërbërjes së popullit të Arbrit ndodhnin gjatë pushtimeve osmane. Përhapja e islamit në tokat arbërore, ishte një dukuri e shkaktuar prej bashkëveprimit të një numri faktorësh të natyrave, politike, ekonomike, kulturore e fetare. Disa aspekte të politikes së shtetit osman kundrejt vendeve të përfshira në pushtim rrjedhimisht edhe ndaj Shqipërisë, shërbyen si shkaqe të mirëfillta, që inkurajuan procesin e përhapjes së fesë islame ndaj shqiptarëve, duke përdorë forma të ndryshme nga dhuna e presionet ekonomike e deri të joshja për islamin në forma të shumëllojshme.


Në shek. XVII arbërorët përjetonin një përhapje të jashtëzakonshme të islamit i cili në Arbërinë e mesme dhe atë veriore kishte arrit në përmasën e 50 për qind të popullatës që kishin braktisë besimin katolik e duke kaluar në besimin islam. Procesi i rrënimit dhe tkurrjes se katolicizmit, në Gegëri (fjala është edhe për Maqedoninë e sotme) si rrjedhojë e përparimit të procesit te islamizimit dhe ortodoksisë sllave, manifestohej gjithashtu edhe në pakësimin e numrit të dioqezave dhe të famullive, sidomos në kryedioqezën e Tivarit dhe atë të Shkupit.

Në këtë drejtim, relacionet e Imzot Pjetër Bogdanit (1656-1877) nga gjysma e shek. XVII e në vazhdim, flasin për braktisje masive të fesë katolike dhe përqafim të islamit dhe ortodoksisë sllave në Kryedioqezën e Tivarit dhe të Shkupi dhe ku në vitin 1665, në kryedioqezën e Tivarit numëroheshin vetëm 2 400 besimtarë, ndërsa në qytetin e Tivarit nuk kishte asnjë familje katolike.

Ndryshimet në strukturën fetare të arbërorëve si rezultat i depërtimit të islamit dhe ortodoksisë sllave, u reflektuan edhe në aspektet të tjera, arkitekturës, urbanistikes se vendbanimeve, alfabetit, gjuhës e kulturës, dokeve e zakoneve etj. Një gjë e tillë, sipas studiuesit Ferid Duka, kuptohet qartë edhe nga njoftimet që na jep në lidhje me qytetet e ndryshme të Arbërisë udhëpërshkruesi osman i gjysmës se dytë të shek.. XVII E. Çelebiu e në veçanti kur flet për Shkodrën.

Rrjedhojat e ngjarjeve politike dhe fetare e detyruan Imzot Pjetër Bogdanin, në cilësinë e kryeipeshkvit të Shkupi, në vitin 1689, të jetë organizator kryesor i kryengritjeve të shqiptarëve në Kosovë së bashku me gjeneralin austriak, Pikolimin, e ku në luftën e Kaçanikut, të vitit 1690, për shkak të epidemisë së kolerës, shqiptarët pësuan humbje të rëndë, çfarë ndikoi në përshpejtimin e braktisjen e katolicizmit, përqafimin e islamit dhe ortodoksisë sllave në Maqedoninë e sotme.

Duke i referuar barrës së rendë të shkaktuar shqiptarëve nga pushtuesit si nder faktorët qe stimulonin islamin, Arqipeshkvi i Tivarit, Imzot Vinçenc Zmajeviq, në raportin e tij të viti 1702 parashikonte rrënimin e shpejt dhe të plotë të popullatës katolike. Më qëllim që të shpëtonte besimtaret e vet nga rreziku i mëtejshëm të mohimit të fesë katolike dhe problemit të kriptokatolicizmit, si rrjedhojë e pushtimit të egër osman, Zmajeviqi arsyetonte para Papa Klementit XI, Albanit, mbajtjen e një Kuvendi Mbarëkombëtar, si një analizë e domosdoshme dhe shumëpalëshe. Më qëllim që të ndalej tatëpjeta e Katolicizmit, si rezultat e përhapjes gjithnjë e më shumë të fesë islame dhe fenomeneve të tjera brenda kishe katolike, me nxitjen e përkrahjen e Papa Albanit nga i cili gufonte gjaku arbërorë, u mbajt në rezidencën e ipeshkvit të Lezhës, Nikollë Vlladanjit në Mërqi, të Lezhës në vitin 1703 Kuvendi Mbarëkombëtar i Arbrit.

Kuvendi në fjalë i kryesuar nga delegati papnore Vincenc Zmajeviq, me praninë e të gjithë ipeshkvijve të tokës së Arbrit, vendosi si një vetëmbrojte kombëtare, midis të tjerash, që t‘i jepej fund dhe dilemave për çështjen e kalimit të katolikëve në islam, kriptokatolizimit si fenomen tashme i përhapur në gjitha trojet shqiptare dhe përdorimit sa më shumë i gjuhës shqipe nga misionaret që vepronin në Arbëri etj.

Një pyetje e mprehtë shtrohet: si u lejua mbajtja e Kuvendit të Arbrit, kur vala e kryengritjeve të armatosura të arbërorëve, kundër perandorisë osmane ishte e pranishme në çdo hapësirë të vendit tonë dhe vendet evropiane. Përgjigja mund të jetë se tendosja që karakterizonte në përgjithësi marrëdhëniet në mes administratës osmane dhe krerëve te Kishës Katolike Arbërore, nuk përjashtonte momentet e mirëkuptimit në mes të dyja palëve, veçanërisht, kur në poste të rëndësishme të perandorisë qëndronin vezirët apo pashët me një vetëdije më të lart të gjakut arbërorë. Për rastin në fjalë kemi të bëjmë me periudhat e qetësimit të gjendjes më Paqen Karlovcit 1698, prezencën në Portën e Lart të vezirit të Madh me gjak arbëror, Mustafë Qypriliu, dhe pashait të Dukagjinit, Hydaverdi Pashë Begollin nga Peja me origjinë nga fshati Sumë në veri të Arbërisë i cili mbahej si Pasha i lartë për gjithë Arbrin dhe konsiderohej mik i mirë i Zmajeviqit. Por, evidentimi i burrave të armatosur në veri të Arbërisë, sipas zonave dhe famullive, nga abatit i Mirditës, Gjergj Stampaneo, dërguar Selisë së Shenjtë në vitin 1685, nuk shërbeu vetëm si motiv për realizimin kryengritjeve të Imzot Pjetër Bogdanit, në Kosovë, por ishte edhe si vigjilencë e shtuar për sigurimin e mbajtës së Kuvendit të Arbrit. Në këtë kuptim duhet marrë edhe hartat e P. Coronellit, të vitit 1688 dhe Rossi-Contanelli të vitit 1689.

Por, për çdo eventualitet, për ta kuptuar rrjedhën paraprake, të gjithë kësaj ngjarje është e domosdoshme të behën kërkime për gjetjen e korrespondencës të padalë akoma në dritë, në mes Portës së Lartë dhe Romës, për të mësuar detajet e gjithë rrugëtimit të ngjarjes që solli lejimin e mbajtjes së këtij Kuvendi.

Vetë pozicioni gjeografik, politik e historik i Lezhës ka qenë arsyeja që në këtë dioqezë në momente të caktuara historike janë zhvilluar aktivitete të rëndësishme, me karakter politik, shoqëror dhe fetar, si Besëlidhja e Lezhës në vitin 1444, dhe Kuvendi i Arbrit në vitin 1703. Për dioqezën e Lezhës ka qenë dhe mbetet një nder i madh miratimi nga Papa Albani që Kuvendi i Arbrit të mblidhej në Lezhë, në Kishën mbi një faqe mali të Mërqisë, ku shkëlqente rezidenca ipeshkvore më e bukura në Arbëri e ndërtuar që në vitin 1668, nga ungji i Nikollë Vlladanji, Imzot Gjergj Vlladanji.

Ky gjest i Papa Klementi si një figurë më kryesore botërore e kohës, i dha dioqezës dhe fshatit një vlerësim të jashtë zakonshëm, duke i vendosur emërtimet e tyre në analet e historisë kishtare botërore. Ndërsa mbajtja e Kuvendi i Arbit në Lezhë, në kuptimin më të përgjithshëm, tregon se shpirti i Gjergj Kastriotit i cili mblodhi burrat e dheut në Besëlidhjen Shqiptare në Lezhë dhe po aty që varrosur në vitin 1467, “jeton i gjallë në zemrat e shqiptarëve, si brenda vendit, ashtu në ngulmimet jashtë tij”, do thoshte Mark Vuji.

Pas rënies së Lezhës në vitin 1478 nën pushtimin osman, dioqeza sipas relacioneve kishtare, nuk kishte një rezidence të fiksuar për shkak të përndjekjeve turke, por, selia ipeshkvore qarkullonte nga një famulli në tjetrën, si në Mërqi, Velë, Dibër dhe në fund në famullinë e Kallmetit nga vitet 1845 e në vazhdim, vit ky kur qe ndërtuar Katedralja e Kallmetit me iniciativën e Imzot Ivan Topich.

Famullia e Mërqisë, kushtuar Shën Gjon Kryepremit, si administratë kishtare, gjendet në verilindje të qytetit te Lezhës dhe kufizohet me famullinë e Kallmetit, Veles, Balldrenit dhe famullin e Lezhës.

Në dokumentet të deritanishme të njohura historike, emri i Mërqisë, sipas prof. Kasem Biçokut, figuron në defterin e Sanxhaku të Ohrit të vitit 1583, dhe i përkiste krahinës së Petro Gjonimës, me 80 shtëpi, që përbenin 6.55 për qind banorëve të krahinës. Shquhej si prodhuese e madhe e drithërave, verës e ullinjve. Sipas Defterit një pjesë e popullatës që nga kjo kohë, kishin kaluar në besimin islam.

Dokumentet historike, ku mund ta ndërtojmë ngrehinën e kësaj famullie në vazhdim, janë relacionet e vizitorëve Apostolik dhe relacionet e ipeshkvijve të Lezhës, drejtuar Selisë së Shenjtë në Romë.

Shënimin e parë nga relacionet dërguar Selisë së Shenjtë e shkëpusim nga delegati Apostolik, Imzot Marin Bici, i cili në vitin 1610, duke folur për gjendjen e Kishës Katolike në Arbri ndalon edhe në Mërqi. Pa dhënë shënime për Kishën si objekt, do shprehej së famullia ishte e dominuar nga ushtarët turq dhe te kroi (vraga) në Mërqi, mbaheshin kuvendet e Alibeiut dhe krerëve të popullit, e ku një rast edhe vetë ai kishte shkuar atje me ndërmjetësimin e Ndoc Gjankut nga Mërqia, duke e marrë lejen për t’i vizituar kishat të tjera të dioqezës se Lezhës, të cilat gjendeshin të mjerueshme. Duke u shprehur për Ipeshkvin e Lezhës, Inocenti Stoici, (1596-1620), Bici, konstaton së ai për shkak të torturimeve turke, dioqezën udhëhiqte nga Raguza. Ky veprim për Bicin cilësohej si i pa pranueshëm.

Duke folë në vazhdim për ipeshkvin Stoici, shprehet se në fillimet e tij rezidencën e kishte afër një Kishe poshtë kalasë të Shën Katarinës, në një shtëpi prej kashte. Ndërkohë Lezha nga një qytet më shumë lavdi, ishte shndërruar në një fshat, më shumicën e shtëpive të rrënuar e të dëmtuara keq, të banuara prej turqish që janë më të dhunshëm se në çdo vend tjetër, konstaton Bici.

Më ardhjen në selinë ipeshkvore të Benedikt Orsinit (1621-1654) dioqeza filloi të rimëkëmbej. Nga relacioni e tij vitit 1629, kuptojmë se gjatë pushtetit të tij, shumë Kisha dhe qela që ishin gjysmë të shkatërruar nga sulmet turke, qenë meremetuar. Më këtë rast përmendet edhe meremetimi i Kishës dhe qelës në Mërqi. Nga relacioni i mëvonshëm i Gjergj Vlladanjit i vitit 1663, kuptojmë së Orsini qe i pari ipeshkëv i cili rezidencën e tij e kishte vendosur në Mërqi. Orsini, meqenëse flet në vija të përgjithshme, për ndërtime dhe meremetime brenda dioqezës, dhe nga ana tjetër kuptojmë se rezidencën e kishte vendosur në Mërqi, me këtë rast, nuk përjashtohet mundësia që vet Orsini ta ketë ndërtuar Kishën e sotme të Kuvendit Arbrit. Dhe themelet e Kishës dhe qelës që sot gjenden në patologun poshtë varreve, mund të jenë të kohës para Bicit. Kjo nisur edhe nga një arsye e thjeshtë, së kroi(vraga) të cilin e veçon Bici në relacion, me pozicioni natyrore që ka, do furnizonte lirshëm me ujë më rënie të lirë të dy objektet poshtë varreve.

Nga relacioni i Ipeshkvit Gjergj Vlladanji,(1656-1689), i vitit 1663, kuptojmë se ai për një kohë të caktuar selinë e tij e kishte zhvendosur në Velë, për shkak se ishte mu në mes të besimtarëve që jetonin nëpër vargmalet e Mirditës dhe nuk ishin akoma të nënshtruar islamizimit në krahasim në pjesën fushore që kishin filluar të nënshtronte pushtetit turk, siç shprehet Vlladanji. Dhe tek në vitin 1665, me urdhrin e Selisë së Shenjtë, Vlladanji, kthehet në Mërqi, aty në vitin 1668, ndërtoi rezidencën e vet, me një materie shumë të mirë, ku kishte gjashtë dhoma dhe një sallë të madhe, dhe cilësohej si ma e bukura në Arbëri. Relatori Apostolik, Stjefën Gaspri, në 1671 shprehet se Kisha e Mërqisë ka famullitar, dom Pjeter Negrin dhe është ndërtuar me mur guri, por është në gjendje të keqe. Më këtë rast, Gaspri, për të parën herë nga gjithë relatorët jep statistikat e besimtarëve, duke thënë se famullia ka 80 shtëpi me 500 besimtar. Ndërsa Abati i Mirditës, Gjergj Stampaneo, në letrën e tij të vitit 1685 dërguar Selisë së Shenjtë, duke shprehur se Rezidenca e ipeshkvit qëndron në Mërqi, jep edhe numrin e burrave katolik që janë të aftë për armë, në zonën e Lezhës, nga Pellana deri ne Mërqi, e ku rezultojnë së janë 1. 500 burra. Evidentimin e Mërqisë dhe Raboshtës e gjejmë edhe të harta e P. Coronellit, të vitit 1688 ku Raboshta kishte 20 shtëpi më pak turq, kurse Mërqija kishte më shumë turq (shqiptarë të islamizuar). Edhe në hartën e Giacomo Rossi dhe Giacomo Contanelli, të vitit 1689, nxitur nga Françesk Albani si sekretar i kurjes Romake, evidentohen, Mërqia e Raboshta.

Në prag të Kuvendit të Arbrit, pasardhësi Nikollë Vlladanji (1692-1728) në relacionin e tij të vitit 1694, shprehet se famullia e Mërqisë, përbehet nga Raboshta e Domja, dhe gjithsejti ka 60 familje 560 besimtar, më famullitar Mark Krythai cili jeton s’bashku me ipeshkvin në rezidencën e tij. Nga ky relacion kuptojmë, së Kisha është e ndërtuar prej guri, ka portikun dhe sakristin për mbajtjen rrobave të shenjta. Brenda është në rregull. Ka altarin kryesor dhe dy të vegjël dhe një kambana, por pa kambanore të mirëfilltë.

Në relacionin e Kuvendit të Arbrit mbajtur më 14-15 janar 1703, ku kryesues qe kryeipeshkvi i Tivarit, Vincenc Zmajeviq, ai nder të tjera, shkroi se dioqeza e Lezhës, kishte dy rezidenca, njëra në pjesën malore të Mirditës dhe tjetrën në Mërqi. Famullia përfshinte Mërqinë e Raboshtën dhe kishte 60 shtëpi me 410 besimtar. Kisha ishte në gjendje shumë të mirë dhe kishte të gjitha pajisjet shërbestare; një kryq argjendti dhe një sakresti; altarin e madh në krye më figurën e Shën Gjon Pagëzuesin dhe një kambanë të madhe. Më tej Zmajeviq, shprehej se Rezidenca është e ndërtuar shumë mirë dhe nuk e ka shoqen në Arbri. Vendi është shumë i mirë dhe syri të shef fushën e Lezhës, Sapës, Shkodrës dhe Krujës deri në Kepin e Redonit që duket si kalorës. Famullia ka shumë tokë pune, vreshta, ullinj e livadhe. Ka famullitar Demeter Negrin (Ziun).

Në relacionet e tyre, pas Kuvendit të Arbrit, ipeshkvi Nikollë Vladanja 1710, e Gjon Gallata në vitin 1735, nuk evidentojnë ndryshime në këto mjedise. Gallata thotë së Mërqia kishte famullitar dom Simon Negri 1743, dhe numëron 97 shtëpi më 869, besimtar dhe për shkak të shtimit të popullatës, kishte edhe dy priftërinj të tjerë si ndihmëse.

Shënime me interes gjejmë te ipeshkvi Anton Kryeziu (1750-1765), në relacionin e tij 1753 i cili banonte edhe në Velë. Ai shprehet se në këtë Kishë ka qenë mbajtur Kuvendi i Arbrit me delegatin Apostolik Vincenc Zmajeviq dhe Kisha është në gjendje të mirë, por qela e madhe e ndërtuar shumë mirë, tani është e pabanueshme për shkak të dhunimit të turqve. Kisha, shprehet Kryeziu, ka dy kambana, njëra 50 libra peshe e tjetra 30. Kjo zyre famullitare jep ndihmë me ushqime të ndryshme edhe kishave të tjera nga pasuria që posedonte. Rektor i kësaj Kishe ishte Dom Mark Popa dhe ndihmësit e tij dom Nikollë Negri dhe dom Pal Stambaneo. Famullia kishte 82 shtëpi me 932 besimtar dhe 20 shtëpi myslimane.

Pasardhësi, Imzot Mikel Kryeziu (1786 -1797) në relacionin e tij të vitit 1787, njofton, se Kisha e Mërqisë si shumë kisha të tjera në Zadrimë e Kurbin, ka qenë e dëmtuar keqas, gjatë luftës për një autonomi më të zgjeruar shqiptare të pashallëkut të Shkodrës, në mes Karamahmud Pashë Bushatliut dhe besnikut të sulltanit, Mehmet Pashë Çaushollit gatë viteve 1785-1796. Kryeziu në vitin 1789 thotë se Kisha është aq e prishur sa duket se do të rrënohet në mos sot o nesër dhe mezi qëndron në këmbë. Popullata është varfëruar nga plaçkitjet turke dhe për ringritjen e Kishës duhet ndihma e Propagada Fide në Romë. Famullia ka 136 familje me, 886 besimtar. Për fillimin e rindërtimit të Kishës, dhe sfidat më të cilat ndeshet ky rindërtim, flet Kryezui në relacionin e viti 1792.

Kryeipeshkvi i Durrësit, Tommazo Mariani, në cilësinë evizitorit, në 1795, jep informacion se, rezidenca dioqezane dhe shkolla janë akoma në Velë. Në Mërqi ku u mbajt Kuvendi i Arbrit i udhëhequr nga Zmajeviqi, qëndron një pallat i bukur ndërtuar nga Gjergj Vlladanji, por Kisha famullitare është e shembur dhe duhet rindërtuar. Selia e Shenjte ka ndarë një fond, por kërkohet ndihma edhe nga kleri dhe besimtaret. Por duhet marr licenca për rindërtim, nga kadiu i Lezhës, sepse ky objekt ka një rendësi të veçantë për shkak të Kuvendit të Arbrit, thekson Tommazo.

Imzot, Nikollë Malci (1797-1825), nga rezidenca në Velë, më 10 shkurt, viti 1800, flet për rindërtimin e ri të përfunduar të Kishës së Mërqisë, me ndihmën e Propaganda Fides. Por meqë nuk mjaftuan financat populli mezi arriti t’i përfundojë muret dhe çatinë e saj. Në relacionin e vitit 1801, me 4 shtator, Malci flet se kisha ishte e ndërtuar krejtësisht e re me mure të gurit dhe e mbuluar mirë. Famullitar, kishte Dom Mark Bardhin.

Imzot IvanTopich, (1842- 1853), administrator i Shkupit, 5 maj të vitit 1844, rrëfen në Mërqi ka 106 shtëpi më 810 besimtarë. Kisha e ringritur kishte një kambanë të madhe, kurse qela është duke u rrënuar nga dhembi kohës. Në relacionin e më vonshëm të vitit 1846, Topich, flet për zbukurimet e brendshme të Kishës, me orendi veneciane, xhama vitrat me motive të ndryshme fetare, altari dhe cibori (kelkshenjti) dhuratë nga shqiptaret e Italisë, kurse tavani i zbukuruar sipas traditës shqiptare. Zbukurimet e mëtejshme janë realizua edhe në kohen e Luigj Çurqisë (1853-1858), me ndihmën e Austrisë, shkruan, Pal Dodmasei,( 1858-1868), në vitin 1865 dhe shton se Mërqia kishte 82 shtëpi me 659 besimtarë Me këtë rast, më në fund Kisha e Mëlqisë e kishte fituar dinjitetin e merituar.

Por, ai shkëlqim sikur nuk zgjati shumë. Në vitin 1912, e në vazhdim rifillon kalvari i ri i shkatërrimit të këtij objekti. Sipas relacionit të Luigj Bumçit,(1911-1943), famullitar ishte dom Jak Kukulla. Qela qe djegur dhe shkatërruar me 19, mars 1912, nga turqit në ikje.

Sipas delegatit Apostolik, Ernesto Kocit në relacionin e tij vitit 1918, gjitha kishat dhe qelat në dioqezë kishin nevojë të restaurohen, sepse shumica prej tyre kanë qenë të dëmtuar nga esadistet shqiptar në vitin 1915.

Në vitet në vazhdim, këto objekte të Kuvendit të Arbrit nuk patën trazime të theksuar, pos nevojës për mirëmbajtës të zakonshëm nga degradimet e kohës.

Në regjistrin e vitit 1945, të kohës së Komunizmit, mësojmë së Mërqia kishte 440 banor dhe 78 kryefamiljar dhe famullitar ishte dom Zef Shtufi. Ndërsa në vitin 1959,kur famullitar ishte Dom Ndoc Sahatçia, famullia numëronte, 84 familje me 650 banorë. Në këtë kohë, Kisha e Mërqisë ka qenë zgjeruar në pjesën e altarit të sotëm dhe ka pasur një kambanare të gjatë në anën e majtë të hyrjes.

Me mbylljen e kishave në Shqipëri në vitin 1967, edhe këto dy objekte më rendësi historike e patën fatin e keq si shumë objekte të tjera të kultit. Kisha e qela e Kuvendit të Arbrit, për një kohë të caktuar qenë shndërruar në stallë bagëtish dhe më vonë duke i lënë në mëshirën e fatit ato u shkatërruan, e sidomos qela që mbeti nën qiellin e hapur me katër muret e saj.

Pas hyrjes së demokracisë në vitin 1991, meqenëse Dioqeza e Lezhës ishte ende e pa organizuar mirë, Kisha e Mërqisë e cila ishte në gjendje rrënimi, u meremetua plotësisht nga famullitari Dom Dodë Gjergji, duke u inaugurua ditën e Shën Gjon Kryepremit më 29 gushte të vitit 1996. Por qela nga e cila kishin mbetur vetëm në muret jashtëm, nuk u arrit të meremetohet as sot e kësaj dite.