LAJMI I FUNDIT:

Kharchenko: Nëse Kosova shpall pavarësinë do të kërkojmë anulim

Kharchenko: Nëse Kosova shpall pavarësinë do të kërkojmë anulim

Rusia do të kërkojë nga Kombet e Bashkuara anulimin e çdo deklarate për pavarësi që Kosova mund të bëjë në të ardhmen. Deklarata është bërë sot nga përfaqësuesi rus në Treshen negociatore në bisedimet për statusin e Kosovës, Alexander Botsan-Kharchenko.

“Në rast të shpalljes së pavarësisë se njëanshme të Kosovës, Rusia do të kërkojë në mënyrë të padiskutueshme, anulimin e këtij vendimi. Mund të kërkojmë një mbledhje të Këshillit të Sigurimit për dhunim të rezolutës 1244”, citon Interfax Kharchenkon.

Treshja negociuese në bisedimet shtesë për statusin e Kosovës përbëhej nga përfaqësues të SHBA-së, BE-së dhe Rusisë. Moska, e cila tradicionalisht ka qenë mbështetëse e Beogradit, kundërshton pavarësinë e Kosovës.

Nga ana tjetër, shefi i diplomacisë ruse, Sergey Lavrov, ritheksoi qëndrimin e Rusisë sipas së cilës, rezoluta 1244 e vitit 1999 që i besoi administrimin e Kosovës Kombeve të Bashkuara, nuk justifikon pavarësinë e Kosovës. (balkanweb)