Nga: Zhan Viktor Ciko
Linja e gjatë detare, me të cilën po lundronte prej disa ditësh pianistja dhe familja e saj nga porti i Odesës në vitin 1932, i cili që nga 1917-ta si i gjithë vendi ishin përfshirë në Bashkimin e Republikave Socialiste Sovjetike, drejt atdheut të largët, Shqipërisë, shtetit të ri që prej vitit 1912 kishte fituar pas 500 vitesh pavarësinë nga Perandoria e shpërbërë Osmane, i jepte mundësinë Lolës të reflektonte nën përkundjet e kuvertës, jetën e saj të deriatëhershme, largimin e dhunshëm nga qyteti i lindjes, Sevastopoli, për mospranimin e ndërrimit të nënshtetësisë shqiptare në sovjetike, pasigurinë për të papriturat që mund të gjente në shtetin e origjinës dhe më e rëndësishmja, fatin që priste ëndrrën e saj pianistike, së cilës i ishte përkushtuar.
Ati i saj, Dionisi, ishte vendosur që më 1880 në Sevastopol, ku kishte ardhur si emigrant ekonomik. Ngriti aty familjen e tij me Olimbinë, një vajzë nga Voskopoja, qyteza shqiptare me histori e kulturë të krijuar nga të mbijetuarit e Kostandinopojës bizantine, pas rënies së saj më 1472, prej së cilës pati tre fëmijë, Elena(Lola), djalin Vaso dhe vogëlushen Lida. Lola filloi mësime në një shkollë baleti klasik që 7 vjeç, ku më pas do mësonte dansin dhe motra e vogël Lida. Pas dy vitesh, Lola e përqendroi talentin që spikaste në studimin e pianos në “Teknikumin Muzikor” të qytetit, të cilin e kreu pas nëntë vitesh.
Fakti që ende pa mbaruar ciklin ajo ishte angazhuar në klubin “Proletarskaja kuznica”, tregon vlerësim për nivelin që kishte arritur. Nga viti 1928 atë filluan ta prezantonin në skenën e qendrës si “pianistja e talentuar Lola”, zotëruese e një repertori të gjerë solistik. Pedagogia e saj, C.M. Karalova, ndihej krenare nga këto vlerësime. Me këtë përgatitje serioze dhe pasionin për t’u bërë pianiste e vërtetë, Lola vijoi studimet në Konservatorin e qytetit deri në ditën kur largimi i detyruar e ndërpreu pikërisht kur po përgatiste koncertin e diplomimit të saj. Me këtë gjendje të rëndë u nis drejt kthimit. Udhëtimi detar i familjes Aleksi nuk kaloi mirë. Vëllai, Vaso, shëndetlig, u sëmur gjatë udhëtimit dhe befas ndërroi jetë.
Me këtë dhimbje që familjen Aleksi e dëshpëroi pa ngushëllim, ata përzishëm mbërritën në atdhe. Dielli pranveror i fundmajit që gjetën iu duk si buzëqeshja e mirëseardhjes, si shenjë që ditët e zeza i kishte përpirë Deti i Zi dhe tani e paskëtaj klima e ngrohtë e atdheut me shqiponjën në flamur, do të ndikonte për një të ardhme të bukur në jetën e saj. U vendosën në juglindje, në qytetin e tyre, në Korçë. Në vitet ’30, Korça përfaqësonte një qendër urbane me nivel kulturor të ngritur për një vend që sapo kishte dalë nga një pushtim disa shekullor që e kishte shmangur nga përkatësia perëndimore.
Qytet i rëndësishëm i lëvizjes që kishte kontribuar në afirmimin e identitetit kombëtar, ku zhvillimet letrare dhe artistike ishin të lidhura me këtë bosht patriotik. Konfliktet botërore si ai i viteve 1914-1918 dhe më pas ai i 1920-tës për mbrojtjen e tërësisë territoriale, kishin prodhuar krahas zhvillimeve luftarake dhe fenomene artistike, si krijimi i “Bandës së liris” më 1908, përbërë nga luftëtarë që mbronin me armë në dorë vendin dhe këndonin “Këngët patriotike”, që kishin lindur që atëherë kur luftohej për Pavarësinë. Tani në luftën e 1920-tës, ardhja e 200 vullnetarëve nga SHBA, luftëtarë nga emigracioni shqiptar, në radhët e të cilëve ishin dhe muzikantët e bandës “Vatra”, po të pajisur me armë dhe vegla muzikore, tregon lidhjen ombelikale të patriotizmit të shqiptarëve me muzikën e kultivuar botërore. Të tjerë vullnetarë erdhën nga kolonitë e shqiptarëve në Bukuresht, Sofje, Fajum (Egjipt). I njëjti fenomen: Luftëtarë dhe Artistë. Nga “Vlora e lirisë, në Korçën e artit dhe diturisë”.
Aty, më 8 dhjetor ‘20, çelën “Shoqërinë e Arteve të bukura” si simbolikë të asaj që shqiptarët kishin arritur me pushkë dhe tani e afirmonin me penë dhe muzikë. Në këtë bashkësi vullnetesh, udhëhiqte me maturitet dhe guxim si kryetar, një muzikant me vizion kombëtar dhe artistik, kompozitori dhe dirigjenti Thoma Nasi, i cili zgjodhi në krah të tij 18-vjeçarin Mihal Ciko si dirigjent të korit dhe regjisor të grupit teatror, këngëtar nga kolonia e Bukureshtit, bashkë me një të ri tjetër, mjeshtrin e penelit Vangjush Mio, që do t’i jepte emër Korçës me artin e tij figurativ. Lola kishte dëgjuar nga bisedat në shtëpi për këtë atmosferë të ndezur e entuziaste artistike, kështu që me të mbërritur në Korçë, u interesua të përfshihej në këtë frymë.
E ndihmuar nga miq të familjes filloi të japë mësime në piano me disa të rinj artdashës apo dhe ndonjë që premtonte edhe për skenën. Njohja me sopranon e re Jorgjia Filçe, e sapo ardhur nga Konservatori “Santa Cecilia” në Romë, i dha rastin të hipte në podiumin koncertor. Më 14 shtator 1932 u dha në kinema “Majestik” koncerti i Lolës si soliste dhe shoqëruese e sopranos Jorgjia Filçe, tenorit Thoma Turtulli dhe Thoma Bezhani në violinë, që la përshtypjen e një evenimenti të vërtetë. Shtypi i kohës për këtë koncert e në vijim ka shkruar vazhdimisht artikuj promocionalë përpara dhe më pas artikuj analitikë ku vlerësohet arti i saj si pianiste protagoniste, por edhe për kontributin në bashkëpunimin vokal apo instrumental. Pas këtij të parit, emri i Lolës është prezent thuajse në të gjitha koncertet në Korçë dhe më gjerë. Por për Lolën, që me pianon e saj zëvendësoi rolin e pamundur ende të shoqërimit orkestror, mbeti brenda saj pasioni për repertorin solistik.
Lajmi për organizimin në Vjenë të një “Konkursi ndërkombëtar për kanton dhe pianon”, e nxiti të marrë pjesë në këtë tribunë ku do të paraqitej përpara një jurie ndërkombëtare të kryesuar nga Prof. Carl Lafite, nga Akademia muzikore e Vjenës dhe personalitete të tjerë që do bënte vlerësimet. I interesonte mendimi i tyre për nivelin, por dhe për perspektivën. “Diploma legjitimuese” dhe vlerësimet gojore të disa prej atyre që e dëgjuan, vlerësuan përgatitjen serioze të Lolës dhe mundësinë për ta zhvilluar më tej talentin dhe përvojën e deriatëhershme. Ajo u bind se i duhej një periudhë tjetër studimi të dedikuar. Pas Konkursit në Vjenë, mori iniciativën për të çuar më përpara mjeshtërinë artistike dhe kulturën muzikore përmes studimit në një shkollë të lartë dhe për këtë zgjodhi Konservatorin e Athinës.
Me këtë hap, Lola iu kthye “E nderës së thyer” të koncertizmit që tani dukej se do ta realizonte. Komisioni i pranimit i akordoi dy vite për programin solistik të pianos, si dhe ndjekjen e disa lëndëve të tjera formuese sidomos në fushën e krijimtarisë, që ajo ndjente se do të ishte impenjimi më i afërm i saj në shërbim të muzikës shqiptare, duke pasur parasysh transkriptimin, përpunimin dhe shoqërimin e shkruar të “Këngëve popullore shqiptare” si punimi më serioz që ajo kish nisur dhe duhej ta kryente për atë kohë dhe për të ardhmen.
Mbaroi studimet vlerësuar maksimalisht me “Premiere Prix” dhe e lumtur mori rrugën e kthimit. Bashkë me pianistin Tonin Guraziu nga Shkodra, u bënë themelues të traditës shqiptare pianistike-koncertore dhe pedagogjike në nivelin më të lartë. Për gati 20 vjet, koncertet e “plejadës” përfaqësuan jetën muzikore më elitare të vendit. Krahas Jorgjia Filçes, Lola Aleksi koncertoi edhe me sopranon Marie Paluca nga Shkodra, studiuar në Gratz, sopranon tjetër Tefta Tashko me studime në Montpeiller dhe Paris, tenorin Kristaq Antoniu, i afirmuar si aktor i njohur filmi dhe këngëtar në Bukuresht, baritonin e ri Kristaq Koço dhe tenorin Thoma Turtulli, student në Milano. Në një nga koncertet që jepte një trio artistësh që ishin në turne, dëgjoi dhe njohu baritonin bashkatdhetar Mihal Ciko që, pas studimeve në Milano, zhvillonte karrierën aty. Në linjë historike, ai ishte i pari solist lirik shqiptar. Ndërkohë, kjo “Plejadë” e artistëve të parë, njihej si një grup i respektuar dhe shumë i përkushtuar ndaj “misionit” të tyre. Zonjat e nderuara respektoheshin edhe sepse ato gëzonin një reputacion si emancipuese të figurës së femrës shqiptare.
Për fat, bukuria natyrore, eleganca dhe natyrshmëria e sjelljes, bashkuar me bravurën artistike i kishte vënë në qendër të shoqërisë civile të kohës, ku nuk mungonin portretet fotografike të ekspozuara nga studiot më të mira. Poetë dhe piktorë i vendosnin tituj nderues si: “Bilbili i Shqipërisë”, “Artistja grykë argjende”, “Pianistja orkestër”, “Zonja me operan në shpirt” etj., etj… Mes titujve poetikë të kohës që janë jo të paktë, po veçoj disa rreshta nga shkrimi “Reflekse” të letrarit dhe përkthyesit Vedat Kokona: “Janë dy profesoresha.. ditën e kalojnë në shkollë.. natën.. në vatrat e tyre. O, këngë pleqërishte! O, këngë të vendit tim. Dy bleta enden pa u lodhur andej këndej për të mbledhur mjaltin e këngës popullore.. mbledhin thërrim-thërrime meloditë e maleve tona.. i harmonizojnë, t’u japin frymën e ngrohtë… atmosferën ku do fryjë flladi shqipëtar”.
Brenda disa viteve vlerësimi publik i lartë ndikoi te njerëzit me mundësi financiare investuese, të ndihmuar dhe nga bashki të qyteteve kulturëdashëse, për ndërtimin e kinoteatrove në qendrat e tyre, ndërtime me vlera arkitekturore të tilla që u dhanë prestigj dhe vetë qendrave. Zotëronin lozhat e familjeve të fisme dhe autoriteteve, platetë dhe galeritë e rinisë që ishin dhe “claquers”- it e parë, gjuajtësit e luleve po dhe protestuesit, si kudo. Kjo kulturë e re ndikoi dhe në kodin e veshjeve elegante mbrëmësore. Të gjitha këto i gjen të spikatura dhe në shtypin e kohës.
Nga ana tjetër, vetë Pallati Mbretnor gjalloi jetën kulturore si pjesë e protokollit monarkik. Me radhë ky grup artistësh misionarë u transferua në kryeqytet për një jetë muzikore më të pasur, mësimdhënie dhe veprimtari në Gjimnazet kryesore. Vetë Monarku shprehte interesim për lancimin e artistëve jashtë vendit, si përfaqësues të prirjeve europianizuese në artin e atyre viteve. Kudo, në “Fiera di Bari”, e më pas në “Giornate della musica albaneze” në Maggio Fiorentino, zonjat e kultivuara shqiptare me kostumet e qëndisura me ar dhe këngët popullore në stil lirik që interpretonin bukur, afashinuan zotërinjtë e kohës së brilantinës dhe papioneve, të cilët e quajtën këtë ngjarje artistike në banderolat e varura, “Grande manifestazione della musica albanese”.
Çelja e Radio Tiranës më 1938, si i pari ent i radiodifuzionit në vend, hapi një perspektivë të re edhe për “artistët tanë”. Si pjesë e ceremonialit të përurimit, fjalës hapëse të çiftit mbretëror, siç thotë kronika në shtyp, pasoi nga mikrofoni i radios, zëri i veçantë i sopranos Marie Paluca shoqëruar në piano nga Lola Aleksi, me një buketë këngësh popullore nga krahinat e ndryshme të Shqipërisë, vlerësim i kulturës së re vokale. “Këngët e repertorit të tyre popullor” programoheshin çdo ditë në orë të ndryshme. Të gjithë artistët e plejadës alternoheshin gjatë një periudhe. Gjithçka shkonte për së gjalli, live, si është termi i kohës sonë. Një nga “triumfet e artistëve” do kohë më parë, kishte qenë koncerti i artisteve Tefta Tashko, Marije Paluca dhe Lola Aleksi në Shkodër, ku sipas fotove dhe kronikave, u pritën me një ceremonial të veçantë, me bandën e qytetit dhe më shumë, nga ajka intelektuale e qytetit dhe të tjerë ndër më të shquarit, nga diaspora.
Publiku numeroz brenda sallës dhe shumë tjerë jashtë saj, festuan me muzikën tradicionale deri në orët e vona. Po kështu, në Tiranë, një recital i Jorgjia Filçes dhe Lola Aleksit në prag të pushtimit fashist, pas përfundimit, e nxori publikun në rrugë me eksklamacione patriotike të forta. Ndër kohë, jeta personale e këtyre artistëve dhe sidomos katër “Zonjave të kantos”, po plotësohej me krijimin e familjeve të tyre. Ato u plotësuan nominalisht në zonjat: Tefta Tashko Koço me bashkëshort baritonin Kristaq Koço i përmendur më lart, Jorgjia Filçe -Truja, Marie PalucaKraja, Lola Aleksi-Gjoka. Bashkëshortët e tyre ishin intelektualë të njohur si profesori i letërsisë Leonard Kraja, Ing.Tom Truja, financieri Ndoc (Anton) Gjoka. Edhe pas pushtimit të vendit, më 7 prill 1939, një vit pas aneksimit (anschluss) të Austrisë nga Gjermania, Shqipëria kaloi në një zonë luftimesh nga forcat e brendshme nacionaliste dhe ato antifashiste. Radio Tirana veç informacionit dhe disa programeve që kontrolloheshin rreptësisht nga okupatori, në sektorin e kulturës dhe artit mbrojti identitetin kombëtar, pa mohuar kryeveprat e artit botëror, të cilat dëgjoheshin në orët e vona, përmes pasurimit të diskotekës dhe informimit kulturor.
Përveç Drejtorit patriot Gjergj Bubani, disa intelektualëve dhe teknikëve, ardhja në detyrën e shefit të sektorit të artit, teatrit dhe muzikës, baritonit Mihal Ciko, i kthyer përfundimisht nga Italia, pati një zhvillim të ndjeshëm. Aty, veç programeve muzikore të pasuruara, formacioneve krahinore popullore dhe të këngëve të lehta, funksionoi një shkollë e brendshme për instrumentet dhe kanton, një Orkestër simfonike e vogël, një kor burrash dhe një grup filodramatik teatror. Praktikisht ishin krijuar bërthamat e institucioneve që do të ngriheshin në “ditët më të mira”, kur vendi të çlirohej nga okupatorët nazifashistë. Thuajse të gjithë artistët lirikë ishin punësuar në sektorin e artit që për ata ishte shumë i vlefshëm. Veç detyrës në fonotekë, programim apo në shkollë, artistët kishin dhe hapësirën e tyre në programacionin javor, sipas Revistës së Radios, ku lexojmë: Koncert zanor i sopranos T.T.Koço dhe baritonit K.Koço, në piano Lola Gjoka etj. Edhe vetë shefi M.Ciko kishte hapësirën e tij si solist, dirigjent i ansamblit koral dhe regjisor i teatrit filodramatik. Pas disa kohësh, solistët dhanë koncerte në mikrofon të shoqëruar nga orkestra simfonike ku kënduan Arie operistike, duete etj.
Kështu, Radio Tirana që në kohën e “Copri fuocco”-s (ndalimit të qarkullimit) ishte shndërruar në një palestër të plotësimit të praktikës muzikore të munguar të këtyre artistëve meritaplotë, për gjithë atë çka do të ndodhte në vitet ‘50 dhe ‘60, kur bërthamat e mbjella në Radio Tirana, do prodhonin Institucione artistike dhe muzikore të veçanta, me të gjitha specialitetet dhe tipet. Dhe ashtu ndodhi. Pas përfundimit të luftës, rindërtimit të vendit dhe vendosjes së regjimit të ri, pjesë e kampit lindor, u ngritën Liceu Artistik, Teatri Popullor, Filarmonia Shqiptare, Teatri i Operës dhe Baletit, Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore, Konservatori i Tiranës, Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar etj. Kudo “Plejada e parë e Artistëve të Muzikës dhe Artit lirik” ishte aktive dhe themeluese. Ata e prekën “Ëndrrën e tyre profesionale”, të cilën e gëzuan gjatë gjithë jetës.
Lola Gjoka shpalosi në këto vite dhe deri në fund të jetës talentin e saj të gjithanshëm muzikor të pasuruar nga përvoja dhe dedikimi i plotë ndaj brezave që kaluan në studion e saj. Me kontributin e këtyre mjeshtrave, arti i muzikës në Shqipëri doli në rrugën e madhe të zhvillimeve europiane, nga e cila nuk do të shmanget kurrë.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëPema gjenealogjike e familjes së Skënderbeut
Fjalë të urta angleze: Miku në pushtet është mik i humbur
Fjalë të urta popullore: Edhe diell të bëhesh, të gjithë nuk i ngroh dot!
Këto pesë vepra të çuditshme surrealiste nuk janë ashtu siç duken!
GJUHA SHQYPE
A duhet të shqetësohemi për ndjenjat e inteligjencës artificiale?
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Laert Haxhiu dënohet me burgim të përjetshëm
Drenusha zbulon testin e ADN-së që e ka bërë në SHBA, habit me rezultatet
Arne Slot befason të gjithë me përforcimin e fundit te LIverpooli
Vrasja e dyfishtë në Klinë, prokurorja dhe drejtori i Policisë japin detaje
Mike Tyson bëri kërkesë të pazakontë për rregulloren në luftën ndaj Jake Paul
Gjigantët brazilian kanë konfirmuar interesimin për Sergio Ramos – ndërsa raportimet për Real Madridin vazhdojnë