LAJMI I FUNDIT:

Gjithçka mund të harroj, por jo motrën time që ka vdekur…

Gjithçka mund të harroj, por jo motrën time që ka vdekur…

“Gjithçka mund të harroj, por jo motrën time, që ka vdekur gjatë hetuesisë!” Kjo shprehje e Marije Tucit, martires katolike do të mund të lexohet mbrëmjeve tek Torra e Durrësit.

Artistja e njohur e artit bashkëkohor, Alketa Xhafa Mripa, kërkon të provokojë mbi të shkuarën, përmes projektit “Edhe Muret kanë vesh” i cili u prezantua nga vetë artistja. E lindur në Kosovë e që jeton në Angli, Alketa ka përqendruar energjitë e saj krijuese mbi kërkimin social, duke hulumtuar artin bashkëkohor me problemet e forta ndërkombëtare në Evropë dhe Ballkan.


Kjo vepër bazon kontekstin e saj në formë shumëdimensionale si një instalacion multidimensional i memories kolektive nga e kaluara e dhimbshme e disa individëve intelektualë të cilët humbën lirinë apo jetën e tyre nëpër burgjet e diktaturës komuniste. Artistja do të mbledhë histori në mbarë vendin duke përzgjedhur kontributet më të mprehta nga secili rajon ku kanë ndodhur këto drama çnjerëzore, për t’u projektuar në një monument ose pikë referimi në disa qytete të Shqipërisë, si: Tiranë, Durrës, Shkodër, Vlorë, Gjirokastër, Korçë, Tepelenë, Berat, Elbasan, Burrel etj.

Fraza poetike apo thënie që buronin nga tragjedia njerëzore e shtypjes së çdo forme te lirisë, do të shkëputen nga dorëshkrime, dokumentime apo arkiva personale të personazheve të internuar, që artistja do të hulumtojë nëpër territorin shqiptar. Më pas këto “tekste të ndaluara” do të projektohen në formate të mëdha, në të njëjtën datë (09 maj 2018), dhe në të njëjtën kohë nëpër lokacione specifike të qyteteve të sipërpërmendura.

”Edhe Muret Kanë Veshë” është një vepër multidimensionale e para e këtij lloji në Shqipëri për nga përmbajtja sociale dhe dimensionet instalative. Ky projekt do tentojë të japë një shtysë edukimi brezave të rinj, si një impuls shprese dhe njohje mbi pasurinë njerëzore, duke e thyer heshtjen e së kaluarës ndërmjet energjisë së artit bashkëkohor dhe trashëgimlënëse së memories për të mos harruar dramën e individëve të prekur nga diktatura.

Alketa Xhafa-Mripa është e njohur për veprën artistike dhe angazhimin e saj publik për të sjellë ndryshim social në shoqëri. Vepra e saj fundit ‘Thinking of You’ e realizuar në Kosovë, një instalacion që përfshin 5000 veshje në stadiumin e futbollit të kryeqytetit, ndihmoi Kosovën të fliste hapur për përdhunimet gjatë kohës së luftës. Kurse, vepra me titull ‘Mirëpresim Refugjatët”, një instalacion i vendosur në pjesën e prapme të një kamioni, lëvizte në Britaninë e Madhe, duke ftuar publikun për një çaj të ndante reflektimet e veta në lidhje me temën e mikpritjes në Angli.

Të dy këto shembuj tregojnë qasjen e saj si një artiste aktiviste. Puna e saj angazhon hapësirën publike për të adresuar çështje social-politike për të inkurajuar pjesëmarrjen e komunitetit ta bëj artin një mjet për të sjellë ndryshim social.

“Edhe Muret kanë vesh” është projekti i saj aktual më i madh, që do të shpaloset këtë pranverë në mbarë Shqipërinë.

Artistja Alketa Xhafa-Mripa do të udhëtojë përmes Shqipërisë (19-28 shkurt 2018), duke ftuar njerëzit të ndajnë kujtimet e tyre jetësore nën regjimin komunist. Citime nga të gjitha këto rrëfime do të projektohen në ndërtesa dhe monumente, duke e transformuar peizazhin Shqiptar në një instalacion me dritë, dhe do të shërbejë si nxitje për të filluar një dialog rreth kujtimeve të së kaluarës dramatike nga të cilat vendi ende nuk është çliruar. /Gazeta Shqip/