Gjini: Thirrja e seancës më 9 shtator, shkelje brutale e normës kushtetuese

Kreu i Aleancës, Ardian Gjini, ka kritikuar ashpër veprimet e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, lidhur me krizën institucionale dhe procesin për caktimin e zgjedhjeve të reja.
Gjini ka deklaruar se Kurti po ndjek, sipas tij, dy data të mundshme për zgjedhjet e reja, 22 nëntorin ose 27 dhjetorin.
Ai ka akuzuar Kurtin për shkelje të Kushtetutës, duke thënë se situata e krijuar po e çon Kosovën drejt një krize të thellë institucionale.
“Fatkeqësisht politika s’po prodhon lajme të mira. Janë dy vite në krizë të qëllimshme institucionale. Thirrja e seancës më 9 shtator është shkelje brutale e normës dhe bindjes kushtetuese. Kjo është me u tallë me shtetin e me qytetarët”, ka thënë Gjini.
Sipas tij, afati 30-ditor është shkelur dhe Kosova tashmë ndodhet, siç është shprehur ai, “jashtë normave të rregullimit kushtetues”.
“Kosova është vetëm jashtë normave të rregullimit kushtetues. Kjo është anarki. Këta njerëz do të mbahen mend si super-kriminelët më të mëdhenj, me i përdor termet e tyre. Këta po krijojnë precedentë që një ditë do të përfundojnë, por do të na duhet kohë për të dalë nga katrahura që e kanë shkaktuar”, ka deklaruar ai.
Gjini u ka bërë thirrje edhe dy partive të tjera që, sipas tij, të mos bëhen pjesë e shkeljeve kushtetuese.
“Edhe dy partitë e tjera s’duhet të bëhen pjesë e kësaj shkelje kushtetuese. E nxjerrjes së Kosovës nga binarët. Sot Kurti s’ka lënë rrugë për zgjidhje normale e kushtetuese. Ka mbyllur rrugët. Po dëshiron ta caktojë datën e zgjedhjeve vetë përmes shkeljeve”, ka thënë kreu i AAK-së.
Ai ka kritikuar gjithashtu mënyrën e funksionimit të institucioneve, duke e lidhur situatën me zhvillimet e fundit në Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK).
“Kjo mënyrë e sjelljes ndaj Kosovës është mënyra më e sigurt me e sjell në cep të shkatërrimit një shtet. Do të na duhen vite ta riparojmë dëmin e shkaktuar nga një person i vetëm”, ka deklaruar Gjini.
Në fund, ai ka përsëritur pretendimin se qëllimi i Kurtit është caktimi i datës së zgjedhjeve pa arritur një zgjidhje institucionale.
“AAK e ka mbajtë rrugën qelë, këta njerëz sot e kanë dëshmu që s’kanë pasë vullnet për me gjetë zgjidhje. Tash, siç iu kam thënë, jemi dëshmitarë se krejt çka ndjek ky pushtet është me e caktu datën vetë. Ose 22 nëntorin ose 27 dhjetorin. Po e lajthitë gjithë popullin, po edhe një pjesë të spektrit politik”, ka deklaruar Gjini./Telegrafi/

































