Myftiu Tërnava kërkon nga Prokuroria Speciale zbardhjen e dokumentit “Top Secret 2”

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, i është drejtuar me kërkesë zyrtare Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për zbardhjen e plotë të çështjes së dokumentit të pretenduar si “Top Secret 2”.
Kërkesa është dorëzuar përmes përfaqësuesit ligjor të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), ndërsa lidhet me një dokument që, sipas pretendimeve të bëra publike, është nxjerrë nga telefoni i të pandehurit Fatmir Sheholli.
Në kërkesën drejtuar kryeprokurorit të Shtetit, Blerim Isufaj, BIK kërkon që të hetohen origjina, autenticiteti, mënyra e sigurimit dhe publikimit të dokumentit, si dhe rrethanat e nxjerrjes së tij të pretenduar nga telefoni i Shehollit.
“Kërkojmë nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës zbardhjen e plotë të çështjes së dokumentit të pretenduar si ‘Top Secret’, përfshirë origjinën, autenticitetin, mënyrën e sigurimit dhe publikimit të tij, si dhe rrethanat e nxjerrjes së pretenduar nga telefoni i të pandehurit Fatmir Sheholli”, thuhet në kërkesë.
Sipas BIK-ut, përmbajtja e dokumentit dhe pretendimet e publikuara në opinion e paraqesin këtë institucion në mënyrë të rreme, duke e cilësuar si të ndikuar nga shërbime të huaja të sigurisë.
Po ashtu, sipas BIK-ut, në këto pretendime xhamitë dhe medresetë paraqiten si institucione të financuara për qëllime destabilizuese.
“Këto janë akuza jashtëzakonisht të rënda dhe të papranueshme, të cilat cenojnë rëndë integritetin, kredibilitetin dhe dinjitetin e institucionit tonë, të imamëve, teologëve dhe besimtarëve tanë”, thuhet në kërkesë.
Kryesia e BIK-ut kërkon nga Prokuroria Speciale që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të sqaruar plotësisht origjinën, autenticitetin dhe përmbajtjen e dokumentit, si dhe mënyrën se si ai është siguruar dhe publikuar.
Sipas BIK-ut, një hetim i plotë do të mundësonte eliminimin e dyshimeve dhe sqarimin e të gjitha rrethanave që lidhen me dokumentin e pretenduar si “Top Secret 2”./Telegrafi/



































