Dokumentet e shërbimeve sekrete jugosllave dhe shqiptare paraqesin një periudhë të rëndësishme të veprimtarisë ilegale shqiptare në fund të viteve ’70 dhe fillim të viteve ’80, duke treguar edhe mënyrën se si Kadri Zeka u zhvendos në ilegalitet dhe u bë objekt i kërkimeve të shërbimeve të sigurisë.

Sipas një dokumenti të UDB-së, nga prilli i vitit 1978 Kadri Zeka kishte kaluar në ilegalitet. Megjithatë, dokumenti nuk tregon se ku ndodhej ai.


Në atë periudhë, sipas dokumenteve të publikuara në ciklin e emsioneve “Dosjet” në Debat Plus, vendndodhja e tij nuk ishte e qartë as për familjarët dhe as për bashkëpunëtorët.

Madje, nga të dhënat e dokumentuara, as UDB-ja nuk kishte arritur ta lokalizonte me siguri.

Por gjurmët e kërkimit të tij shfaqen edhe në një tjetër dosje sekrete – atë të Sigurimit të Shtetit Shqiptar.

Një dokument i datës 15 tetor 1978 tregon se autoritetet shqiptare ishin në dijeni se familja e Kadri Zekës po kërkonte informacion për të.

Në dosje përmendet vëllai i tij, Taip Zeka, i cili kishte kërkuar të dinte se ku ndodhej Kadriu. Dokumenti thotë se ai kishte humbur kontaktin me të vëllanë rreth pesë muaj më parë.

Në të njëjtën kohë ishte zhdukur edhe Hydajet Hyseni nga Përlepnica e Gjilanit, gazetar i “Rilindjes” dhe shok i afërt i Kadri Zekës.

Sipas dokumentit, autoritetet jugosllave i kishin thënë Taip Zekës se nuk dinin se ku ndodhej i vëllai dhe i kishin kërkuar që edhe vetë të përpiqej të merrte informacion.

Në këtë pikë, dokumentet tregojnë një realitet të pazakontë: Kadri Zeka ishte në kërkim, por vendndodhja e tij mbetej e paqartë.

Personi që e dinte ku ndodhej

Megjithatë, ndërsa familja dhe shërbimet e sigurisë kërkonin gjurmë të tij, një person e dinte se ku ndodhej Kadri Zeka.

Ishte Saime Isufi, e cila në atë kohë ishte studente.

Në dëshminë e saj, ajo tregon se Kadri Zeka e kishte vizituar në konvikt gjatë kohës kur ishte në ilegalitet.

“E pashë dhe e pashë që diçka nuk është në rregull, sepse ishte maskuar. Se kërkohej dhe erdhi të përshëndetej me mua”, rrëfen Isufi.

Por njohja mes tyre kishte nisur disa vite më herët, përmes veprimtarisë ilegale.

Takimet zhvilloheshin kryesisht gjatë natës, në mënyrë që të mos binin në sy të organeve të sigurisë.

Isufi tregon se Kadri Zeka kishte marrë pjesë në organizimin e një celule ilegale dhe se që në takimin e parë kishte vërejtur përgatitjen e tij politike dhe organizative.

“Do të formojmë një celulë”, i kishte thënë Zeka, sipas rrëfimit të saj.

Ajo e përshkruan atë si një person të përgatitur si në aspektin teorik, ashtu edhe në atë organizativ.

Kadri Zeka në dy dosje

Pas largimit nga Kosova, Kadri Zeka nuk u zhduk nga vëmendja e shërbimeve sekrete.

Përkundrazi.

Emri i tij vazhdoi të shfaqej në dokumentet e UDB-së, ndërsa në Shqipëri Sigurimi i Shtetit po përpiqej të krijonte një profil të tij.

Në një dokument të dosjes së Sigurimit të Shtetit shqiptar, të datës 23 shkurt 1981, Kadri Zeka përmendet si person për të cilin autoritetet shqiptare kishin mbledhur informacione.

Në dokument thuhet se kosovari që kishte dhënë të dhëna quhej Kadri Zeka nga Gjilani dhe përshkruhej me qëndrim të mirë.

Në të njëjtën faqe, një shënim me dorë ngre pyetjen: “Çfarë materiale kemi për Kadri Zekën?”

Kjo tregon se, pavarësisht kontakteve dhe bashkëpunimit të tij me strukturat shqiptare, Sigurimi i Shtetit vazhdonte të mblidhte informacione dhe të përpiqej të kuptonte më mirë profilin e tij.

Ideja e bashkimit

Por dokumentet e UDB-së tregojnë se vëmendja e shërbimeve jugosllave nuk ishte përqendruar vetëm te Kadri Zeka.

Shqetësimi kryesor ishte krijimi i lidhjeve ndërmjet organizatave ilegale shqiptare brenda Kosovës dhe strukturave që vepronin në emigracion.

Në një dokument të Shërbimit të Sigurimit të Shtetit Jugosllav thuhet se ishin konstatuar “lidhje të drejtpërdrejta” ndërmjet anëtarëve të organizatave ilegale në Kosovë dhe drejtuesve të organizatave shqiptare në emigracion.

Sipas dokumentit, gjatë hetimeve të zhvilluara në vitin 1981 ndaj grupeve ilegale në Kosovë, ishin konfirmuar kontaktet e tyre me organizatorët kryesorë të “Frontit të Kuq Popullor” në emigracion.

Për UDB-në, kjo paraqiste një zhvillim të rëndësishëm.

Organizatat që deri atëherë vepronin në forma të ndryshme po krijonin lidhje më të ngushta me njëra-tjetrën.

Dhe në këtë proces, emrat e Jusuf Gërvallës dhe Kadri Zekës shfaqen vazhdimisht.

Një tjetër dokument i UDB-së thekson se, që kur vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka ishin ende gjallë, Jusuf Gërvalla kishte ndërmarrë nismën që grupimet shqiptare në emigracion të bashkoheshin në një organizatë të vetme.

Bëhej fjalë për Lëvizjen për Republikën Socialiste Shqiptare në Jugosllavi – LRSSHJ – e cila do të kishte edhe organin e saj, gazetën “Zëri i Kosovës”.

Numri i parë i kësaj gazete doli në gusht të vitit 1982.

Kështu, dokumentet e shërbimeve sekrete nuk flasin vetëm për ndjekjen e një individi.

Në qendër të këtij procesi ishin disa prej figurave kryesore të asaj kohe, mes tyre Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka./Tv Dukagjini

- YouTube www.youtube.com