Detaje nga aktakuza: Lagjja e Jasharëve ishte nën vëzhgim që nga janari deri në sulmin e armatosur në mars 1998

Nga fillimi i janarit të vitit 1998 e deri në përfundimin e sulmit të armatosur më 7 mars 1998, lagjja Jasharëve në fshatin Prekaz i Poshtëm ishte nën vëzhgim dhe kontroll të vazhdueshëm nga Njësia për Operacione Speciale.
Sipas dosjes së Prokurorisë Speciale, kjo njësi udhëhiqej nga komandanti i saj, Milorad Ulemek, i njohur me nofkën “Legia”, i cili gjatë kësaj periudhe ishte i pranishëm në fshatin Prekaz i Poshtëm dhe drejtonte veprimet e njësisë së tij.
Në vëzhgimin dhe përgatitjen e operacionit kishte marrë pjesë edhe Njësia e Posaçme e Policisë, përkatësisht Kompania e Mitrovicës, e udhëhequr nga komandanti i saj, Çedomir Bozhoviq.
Sipas dosjes prej 155 faqeshe të Prokurorisë Speciale, që ka siguruar KALLXO.com, edhe Bozhoviq ishte i pranishëm gjatë gjithë periudhës së vëzhgimit dhe përgatitjes së operacionit në fshatin Prekaz i Poshtëm.
Këto njësi, ishin të vendosura brenda kompleksit të Fabrikës së Municionit në Skenderaj, në një objekt të njohur si “Villa”, nga ku bënin vëzhgim të vazhdueshëm të lagjes Jasharaj, si fizikisht ashtu edhe përmes kamerave të vendosura në një rezervuar uji të Fabrikës së Municionit, në një lartësi rreth 50 metra, të cilat regjistronin lagjen 24 orë në ditë, 7 ditë të javës, duke mundësuar kontrollimin dhe monitorimin e çdo lëvizje të banorëve të lagjes.
Tutje në aktakuzë thuhet edhe se pas një periudhe të gjatë të vëzhgimit dhe mbledhjes sistematike të te dhënave, në zbatim të planit operacional, me 3 mars të vitit 1998, në kompleksin e Fabrikës së Municionit në Skenderaj, ku ishin të dislokuara njësitë përkatëse policore, kishte filluar përforcimi i kapaciteteve njerëzore të njësive policore për realizimin e sulmit të planifikuar.
Më këtë rast, ishte shtuar numri i pjesëtarëve të njësive të angazhuara, si dhe ishin dislokuar mjete dhe armatim i rëndë luftarak, përfshirë automjete të blinduara të pajisura me mitraloz të tipit “Browning”, “HBG” dhe “DSHK”, tanke ushtarake, minahedhës, armë kundërajrore dhe mjete të tjera luftarake.
Ky proces i përforcimit kishte vazhduar edhe gjatë mbrëmjes se datës 4 mars 1998, kur në Fabrikën e Municionit ishin sjellë mjete shtesë luftarake të destinuara për realizimin e sulmit, përfshirë autoblinda, praga, mjete luftarake tre tytëshe të kalibrit 20mm, dy tytëshe të kalibrit 20mm, automjete të blinduara të pajisura me mitraloz të kalibrit 12.6mm, minahedhës të kalibrave 60 deri në 106mm, armë kundërajrore si dhe dy tanke ushtarake, të transportuara nga Mitrovica.
Dosja thotë edhe se pas përforcimit dhe dislokimit të forcave shtesë të pjesëtarëve të njësive përkatëse policore si dhe mjeteve luftarake të përshkruara më lart, me datë 4 mars të vitit 1998, në objektin e quajtur “Villa”, në zonën e Fabrikës së Municionit, ishte formuar shtabi për realizimin e sulmit të planifikuar, i cili udhëhiqej dhe koordinohej nga i pandehuri Goran Radosavljeviq, i njohur me nofkën “Guri”, ndërsa pjesë e tij ishin edhe të pandehurit Zhivko Trajkoviq, komandant i të gjitha Njësive Speciale Antiterroriste, Zoran Simoviq, komandant i Njësisë Speciale Antiterroriste në Beograd, Branko Çurçiq, komandant i Njësisë Speciale Antiterroriste në Novi Sad dhe Radislav Staleviq, komandant i Njësisë Speciale Antiterroriste në Prishtinë.
Në shtab, me pjesëmarrjen edhe të te pandehurve tjerë, ishin përcaktuar detyrat konkrete për secilën njësi. Në rrjedhën e ndarjes se detyrave, me kërkesës të te pandehurit Milorad Ulemek, i njohur me nofkën “Legia”, sulmi ndaj shtëpive të familjes se Shaban Jasharit, iu kishte caktuar Njësisë për Operacione Speciale nën komandën e tij.
Pozicioni i njohur si “Bunkeri” iu kishte caktuar Njësisë Speciale Antiterroriste nga Novi Sadi, nën komandën e të pandehurit Branko Çurçiq, i cili gjatë gjithë kohës së sulmit kishte qëndruar në shtab duke dhënë urdhra dhe koordinuar njësinë e tij, përderisa njësinë në teren e drejtonte i pandehuri Zhelimir Mrdal si zëvendës i tij.
Pjesën tjetër e lagjes, duke filluar nga rruga e lagjes Jasharaj nga drejtimi i Skenderajt e tutje, ishte caktuar ta sulmonin Njësia Speciale Antiterroriste nga Beogradi, nën komandën e të pandehurit Zoran Simoviq dhe Njësia Speciale Antiterroriste nga Prishtina, nën komandën e të pandehurit Radislav Staleviq.
Të pandehurit Zoran Simoviq dhe Radislav Staleviq, kishin qëndruar në shtab duke drejtuar veprimet e njësive të tyre, përderisa në teren njësitë ishin udhëhequr nga të pandehurit Spasoje Vuleviq dhe Vlado Todoroviq. Ndërsa Njësia e Posaçme e Policisë, e përbërë nga Detashmenti i Uzhicës me komandant, Branko Prljeviq, Detashmenti i Nishit me komandant, Radoslav Mitroviq, Kompania e Leskovcit me komandant, Milivoje Stojilkoviq, Togu i Nishit me komandant, Nenad Stojkoviq, Kompania e Vranjes me komandant, Srgjan Iliq, Detashmenti i Kosovës me komandant, Bozhidar Filiq, Detashmenti 24 i Prishtinës me komandant, Zharko Brakoviq, Kompania e Mitrovicës me komandant, Çedomir Bozhoviq, njëkohësisht edhe komandant i Togut të Mitrovicës, Togu i Skenderajt me komandant, Zharko Rokvić, Togu i Leposaviqit me komandant, Dushan Ivanoviq, Togu i Zubin Potokut me komandant, Staleta Mojsilović, Togu i Vushtrrisë me komandant, Vuçina Janiçijeviq, Kompania e Ferizajt me komandant, Milan Leçiq, Kompania e Gjakovës me komandant, Radomir Çoliq, Kompania e Prishtinës me komandant, Nenad Milaçiq, Kompania e Pejës me komandant, Srgjan Peroviq dhe Kompania e Prizrenit me komandant, Veljko Radenoviq, të gjithë të pandehur, sipas planit kishin formuar rrethin e hekurt në mënyrë që të pamundësojnë hyrje-daljet nga fshati Prekaz i Poshtëm, përkatësisht lagjja Jasharaj dhe njëkohësisht edhe të sulmonin nga pozicionet ku ishin të vendosura.
Me qëllim të zbatimit të planit të përshkruar si më lart, me 5 mars 1998, rreth orës 6 të mëngjesit, njësitë përkatëse të policisë, pa asnjë paralajmërim paraprak, kishin filluar sulmin e armatosur, fillimisht nga drejtimi i Fabrikës se Municionit, për të vazhduar më pas edhe nga pozicione të tjera ku ishin vendosur. Sulmi kishte filluar me përdorim të armatimit të kalibrit të rëndë, duke përfshirë granatimin me armë kundërajrore, mjete të blinduara dhe tanke, të drejtuara ndaj lagjes Jasharaj, përkatësisht ndaj objekteve civile qe nuk përbenin objektiva ushtarake.
Pas fillimit të këtij sulmi, një numër i kufizuar pjesëtarësh të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët ishin në lagje, të armatosur me armë të lehta, kishin bërë rezistencë të armatosur, mirëpo pavarësisht kësaj Njësitë Policore Serbe kishin vazhduar sulmin në zonën ku ndodheshin një numër i madh civilësh, pa bërë dallim ndërmjet objektivave ushtarake dhe objekteve civile, duke shkelur rëndë parimin e dallimit të paraparë në Protokollin Shtesë I të Konventave të Gjenevës dhe si pasojë e këtij sulmi kishte filluar shkatërrimi në shkallë të gjerë i lagjes si dhe vrasja e banorëve qe ndodheshin në shtëpitë e tyre.
Në dosje thuhet se në kuadër të sulmit, me datë 5 mars të të njëjtit vit, ditën e parë të sulmit, Njësitë Speciale Policore Serbe, kishin intensifikuar granatimin me artileri dhe makineri të rënda luftarake ndaj objekteve civile, ndër to edhe ndaj shtëpisë së Halit Jasharit, e cila ishte objekt civil dhe nuk përbënte objektiv ushtarak.
Si pasojë e këtij sulmi janë vrarë personat civilë: Blerim Jashari 5-vjeçar, Bujar Jashari 10-vjeçar, Avdullah Jashari 15-vjeçar, Hanife Jashari 17-vjeçare, Bahtije Jashari, Sabrije Jashari, Elheme Jashari dhe Mihrije Jashari, të cilët në momentin e vrasjes, ishin të strehuar në kuzhinën e shtëpisë se Halit Jasharit. Viktimat, në këtë rast, ishin persona civilë, të cilët nuk ishin pjesëmarrës të drejtpërdrejtë në konflikt të armatosur, fakt ky qe përbënë shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare humanitare, të përcaktuar sipas Konventave të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë.
Gjithmonë sipas dosjes, po të njëjtën ditë, me datë 5 mars të vitit 1998, gjatë granatimit me artileri dhe makineri të rënda luftarake nga Njësitë Speciale Policore Serbe, të përmendura si me lartë, ishte goditur edhe shtëpia e Hamit Jasharit, e cila ishte objekt civil dhe nuk përbënte objektiv ushtarak. Si pasojë e këtij sulmi janë vrarë personat civilë: Smajl Bazaj dhe Fatime Bazaj, të cilët atë ditë ishin mysafirë në shtëpinë e Hamit Jasharit. Viktimat, në këto rrethana, ishin persona civilë, të cilët nuk ishin pjesëmarrës të drejtpërdrejtë në konflikt të armatosur, fakt ky qe përbënë shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare humanitare, të përcaktuar sipas Konventave të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë.
Gjithashtu, siç shpjegohet në dosje, rreth datave 5, 6 mars të po atij viti, në kuadër të sulmit të ndërmarr nga Njësitë Speciale Policore Serbe, me përdorimin e armeve të kalibrit të rëndë, është vrarë edhe e moshuara Hamide Jashari, e cila në momentin e vrasjes ndodhej në shtëpinë e saj. Viktima nuk merrte pjesë drejtpërdrejtë në konfliktin e armatosur dhe si person civil, gëzonte mbrojtje sipas Konventave të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë dhe për rrjedhojë, vrasja e saj përbën shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare humanitare.
Në vazhdim të sulmit, përkatësisht në ditën e dytë të tij, prokuroria thotë se me 6 mars 1998, Njësitë Speciale Policore Serbe, kishin vazhduar granatimin me armatim të rëndë, në drejtim të objekteve civile, përfshirë edhe shtëpitë e Sadik dhe Qerim Jasharit, në të cilat ndodheshin anëtarët e familjeve të tyre.
Si pasojë e granatimeve të pandërprera, objektet përkatësisht shtëpitë, fillimisht ishin përfshinë nga flakët dhe me pas ishin rrënuar. Gjatë këtij sulmi, në shtëpinë e Sadik Jasharit, janë vrarë civilet: Afie Jashari, Elfie Jashari dhe Fatime Jashari, trupat e të cilave edhe sot vazhdojnë të jenë të zhdukur. Ndërkaq, në shtëpinë e Qerim Jasharit, si pasojë e sulmit, është vrarë Hajrije Jashari.
Viktimat e lartpërmendura ishin persona civilë të cilët nuk merrnin pjesë drejtpërdrejt në konflikt të armatosur, ndërsa sulmi ndaj tyre përbënë shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare humanitare, të garantuar me Konventat e Gjenevës dhe Protokollet Shtesë.
Me pastaj, në ditën e 7 marsit 1998, gjatë vazhdimit të sulmi të armatosur ndaj lagjes Jasharaj në Prekaz, Njësitë Speciale Policore Serbe, me mbështetjen e mjeteve të rënda luftarake, kishin intensifikuar sulmet ndaj shtëpive të Shaban Jasharit, duke përdorur ndër të tjera, tanke nga të cilat u shkrepen predha të drejtuara ndaj dhomës ku ishin të strehuar anëtarët e familjes Jashari.
Si pasojë e goditjes se parë, e cila depërtoj përmes murit të dhomës, janë vrarë: Igballe Jashari 12-vjeçare, Valdete Jashari 14-vjeçare, Igball Jashari 14-vjeçar, Lirije Jashari 14-vjeçare, Afete Jashari 17-vjeçare dhe Selvete Jashari, ndërsa kishin mbetur të plagosur rëndë: Blerina Jashari, Fatime Jashari, Kushtrim Jashari, Blerim Jashari dhe Hidajete Jashari.
Pas një intervali të shkurtër kohorë, ishte shkrepur edhe një predhë tjetër tanku në drejtim të së njëjtës dhomë, e cila pas goditjes kishte shkaktuar vdekjen e Fatime Jasharit, 8-vjeçare dhe Blerim Jasharit, 12-vjeçar, të cilët kishin mbetur të plagosur nga goditja e parë. Gjatë këtij sulmi ishin plagosur gjithashtu Blerina, Hidajetja dhe Kushtrimi.
Me pas, derisa në dhomë ndodheshin ende persona të plagosur dhe të pambrojtur, dy pjesëtarë të Njësive Speciale Policore Serbe, iu kishin ofruar objektit dhe nga afërsia kishin hedhur granata dore në brendi të dhomës dhe menjëherë pas shpërthimit kishin shtënë me breshëri nga armët automatike në drejtim të personave qe ndodheshin brenda. Si pasojë e këtij veprimi ishin vrarë: Blerina Jashari, 7-vjeçare, Kushtrim Jashari, 13-vjeçar dhe Hidajete Jashari, të cilët nuk kishin asnjë mundësi mbrojtje. Ndërsa, Besarta Jashari pasi kishte mbetur e vetmja e mbijetuar në atë pjesë të shtëpisë, ishte kapur nga pjesëtarët e Njësive Speciale Policore Serbe, e cila pasi ishte torturuar psiqikisht dhe kanosur për jetë, ishte dërguar në zonën e Fabrikës së Municionit, ku ishte mbajtur e mbyllur deri në mbrëmjen e asaj dite, derisa e kishin bashkuar me personat tjerë civil të lagjes të cilët ishin marrë peng gjatë asaj dite.
Të gjitha viktimat e lartcekura ishin persona civil të cilët nuk merrnin pjesë drejtpërdrejt në armiqësi dhe gëzonin mbrojtjen e garantuar nga e drejta humanitare ndërkombëtare dhe si rrjedhojë, vrasja dhe keqtrajtimi i tyre si pasojë e sulmit të qëllimshëm, përbënë shkelje të rëndë të Konventave të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë, të zbatueshme në konfliktet e armatosura.
Prokuroria Speciale përshkruan se në kuadër të sulmit të armatosur, të ndërmarrë ndaj lagjes Jasharaj në Prekaz, me datë 5 mars 1998, pjesëtarët e Njësive Speciale Policore Serbe, kishin depërtuar në lagje, duke kontrolluar shtëpitë e banorëve. Gjatë këtij operacioni, në orët e hershme të mëngjesit, kishin marrë peng personat civil Milazim Jashari dhe Muhamet Jashari, të cilët ndodheshin në shtëpinë e Milazim Jasharit.
Më pas, të njëjtit ishin dërguar në Stacionin Policorë në Skenderaj, ku ishin mbajtur për tri ditë rresht, gjatë se cilës kohë ishin torturuar dhe maltretuar fizikisht dhe psiqikisht, duke iu shkaktuar vuajtje të mëdha fizike dhe psikike dhe duke ua cenuar rëndë dinjitetin njerëzorë. Këto veprime, përbëjnë shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare humanitare ngase viktimat ishin persona civil të cilët gëzojnë mbrojtje sipas Konventave të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë.
Gjithashtu, në kuadër të sulmit të armatosur ndaj lagjes Jasharaj në Prekaz, me 7 mars 1998, rreth orës 10 (dhjetë), pjesëtarët e Forcave Policore Serbe, pasi kishin depërtuar në brendi të lagjes, kishin arritur qe të hynin në shtëpinë e Sefer Jasharit, ku kishin marrë peng civilët, përkatësisht foshnjën Miftar Jashari, 2 muajsh, Elfie Jashari, 4 vjeçare, Gentiana Jashari, 5 vjeçare, Alban Jashari, 6 vjeçar, Besarta (B) Jashari, 6 vjeçare, Fatmire Jashari, 8 vjeçare, Valmire Jashari, 10 vjeçare, Xhemile Jashari, 12 vjeçare, Valentina Jashari, 17 vjeçare, Zoja Jashari, Fidaije Jashari, Sela Jashari, Ganimete Jashari, Violeta Jashari, Feride Jashari dhe Elfije Jashari, të cilët ishin persona civilë dhe nuk merrnin pjesë drejtpërdrejt në konflikt të armatosur.
Pas kapjes se tyre, të njëjtit nën trysninë e vrasjes dhe torturës, ishin dërguar në oborrin e Fabrikës së Municionit në Skenderaj, ku gjatë mbajtjes peng iu kishin nënshtruar torturës, keqtrajtimit fizik dhe psikik, trajtimit mizorë, çnjerëzorë dhe poshtërues. Gjatë kësaj kohe ata janë privuar nga ushqimi dhe uji, janë ekspozuar ndaj temperaturave të ulëta dhe janë kërcënuan vazhdimisht me vrasje deri në orët e mbrëmjes se asaj dite.
Po atë ditë prokuroria përshkruan se pjesëtarët e forcave policore serbe, kishin marrë peng edhe civilët Arif Jashari, 10 vjeçar, Naser Jashari, Bekim (B) Jashari dhe Maliq Jashari, të cilët në atë moment janë rrahur dhe keqtrajtuan fizikisht. Me pas ata i kishin dërguan në oborrin e Fabrikës se Municionit, ku dhuna fizike ndaj tyre kishte vazhduar në forma të ndryshme. Me vonë, Maliq Jashari, Bekim (B) Jashari dhe Naser Jashari, ishin transferuar në Stacionin Policorë në Skenderaj, ku kishte vazhduar rrahja dhe keqtrajtimi fizik, ndërsa me pas ishin dërguar në Stacionin Policorë në Mitrovicë, ku keqtrajtimi dhe dhuna fizike ndaj tyre kishte vazhduar deri në orët e mesnatës, kur edhe i kishin dëbuar në rrugë.
Të gjithë personat e lartpërmendur ishin civilë, të cilët nuk merrnin pjesë drejtpërdrejt në konfliktin e armatosur dhe gëzonin mbrojtjen e garantuar nga Konventat e Gjenevës dhe Protokollet Shtesë, ngase marrja peng, tortura, keqtrajtimi fizik dhe psikik, trajtimi mizorë, çnjerëzorë e poshtërues si dhe kërcënimet serioze ndaj jetës se tyre, përbejnë shkelje të rënda të se drejtës ndërkombëtare humanitare.
Gjatë sulmit sistematik dhe të pandërprerë të zhvilluar më 5, 6 dhe 7 mars 1998, sipas aktakuzës pjesëtarët e Njësive Speciale Policore Serbe, duke përdorur armatim dhe mjete të rënda luftarake, përveç vrasjes së një numri të madh të personave civil, kishin shkatërruar dhe dëmtuar në masë të gjerë shtëpi, objekte dhe infrastrukturë civile në lagjen Jasharaj në Prekaz të Poshtëm.
Objektet e shkatërruara ishin objekte civile që nuk përbënin objektiva ushtarake dhe si të tilla, gëzonin mbrojtje sipas Konventave të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë dhe rregullave të së drejtës zakonore ndërkombëtare. Si pasojë e këtyre veprimeve u shkaktuan dëme të konsiderueshme materiale dhe u cenua rëndë popullsia civile, veprime të cilat përbëjnë shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare humanitare. Me të gjitha këto veprime, të pandehurit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale, Krime lufte kundër popullsisë civile.
35 të akuzuar tashmë janë të vendosur në dosjen prej 155 faqesh të Prokurorisë Speciale në lidhje me krime lufte të cilat kanë ndodhur në lagjen e Jasharëve në Prekaz.
KALLXO.com ka siguruar dosjen dhjetëra faqeshe tregon rolin e secilit të akuzuar tashmë që pati përgjatë luftës në Kosovë më saktësisht e që dyshohen se ishin të përfshirë në planifikimin, organizimin, koordinimin, urdhërimin dhe drejtimin e sulmit ndaj lagjes Jasharaj në fshatin Prekaz i Poshtëm.
Në krye të strukturës, sipas dosjes, ishte Jovica Stanishiq, në cilësinë e shefit të Departamentit të Sigurisë Shtetërore, ndërsa Vllastimir Gjorgjeviq ishte shef i Departamentit të Sigurisë Publike.
Sreten Lukiq ishte ndihmës shef për çështje policore në Sekretariatin e Punëve të Brendshme në Beograd, si dhe koordinator dhe udhëheqës i shtabit të krijuar në Prishtinë.
Goran Radosavljeviq i njohur edhe me nofkën ‘Guri’ ishte udhëheqës për detyra dhe punë të natyrës speciale të sigurisë në shtabin e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Prishtinë dhe koordinator, përkatësisht udhëheqës i shtabit në Fabrikën e Municionit në Skenderaj.
Milorad Ulemek i njohur me nofkën ‘Legia’ ishte komandant i Njësisë për Operacione Speciale, ndërsa Zhivko Trajkoviq komandant i Njësive Speciale Antiterroriste.
Zoran Simoviq i njohur me nofkën ‘Tutinac’ ishte komandant i Njësisë Speciale Antiterroriste në Beograd, ndërsa Spasoje Vuleviq ishte zëvendëskomandant në teren i kësaj njësie.
Branko Çurçiq ishte komandant i Njësisë Speciale Antiterroriste në Novi Sad, ndërsa Zhelimir Mrdal ishte zëvendëskomandant në teren.
Radisllav Staleviq ishte komandant i Njësisë Speciale Antiterroriste në Prishtinë, ndërsa Vllado Todoroviq ishte zëvendëskomandant në teren i kësaj njësie.
Në kuadër të Njësisë së Posaçme të Policisë, Branko Prljeviq ishte komandant i Detashmentit të Uzhicës, Radosllav Mitroviq komandant i Detashmentit të Nishit, Milivoje Stojilkoviq komandant i Kompanisë së Leskovcit, Sërxhan Iliq komandant i Kompanisë së Vranjës dhe Nenad Stojkoviq komandant i Togut të Nishit.
Bozhidar Filiq ishte komandant i Detashmentit të Kosovës, ndërsa Zharko Brakoviq ishte komandant i Detashmentit 24 të Prishtinës.
Çedomir Bozhoviq ishte komandant i Kompanisë së Mitrovicës dhe njëkohësisht komandant i Togut të Mitrovicës.
Zharko Rokviq ishte komandant i Togut të Skenderajt, Dushan Ivanoviq komandant i Togut të Leposaviqit, Staleta Mojsilloviq komandant i Togut të Zubin Potokut dhe Vuçina Janiçijeviq komandant i Togut të Vushtrrisë.
Milan Leçiq ishte komandant i Kompanisë së Ferizajt, Radomir Çoliq komandant i Kompanisë së Gjakovës, Sërxhan Peroviq komandant i Kompanisë së Pejës, Nenad Milaciq komandant i Kompanisë së Prishtinës, ndërsa Velko Radenoviq komandant i Kompanisë së Prizrenit.
Sipas dosjes së Prokurorisë Speciale, këta persona, në këto pozita, gjatë muajit mars të vitit 1998, në lagjen Jasharaj të fshatit Prekaz i Poshtëm, dyshohet se kanë vepruar në bashkëkryerje dhe në koordinim të ndërsjellë, duke shfrytëzuar autoritetin dhe kompetencat që lidhen me pozitat e tyre.
Prokuroria pretendon se ata, ndonëse ishin të vetëdijshëm për praninë e një numri të madh të popullsisë civile dhe për pasojat e rënda që mund t’i shkaktoheshin asaj, me dashje kanë planifikuar, organizuar, koordinuar, urdhëruar dhe drejtuar sulmin ndaj zonës ku ndodheshin civilët.
Sipas dosjes, sulmi ishte kryer me përdorimin e artilerisë së rëndë, tankeve dhe mjeteve të tjera luftarake.
Si pasojë e sulmit, sipas Prokurorisë, janë vrarë persona civilë, përfshirë gra, fëmijë dhe të moshuar. Në dosje thuhet gjithashtu se persona civilë janë marrë peng, malltretuar dhe torturuar, ndërsa janë shkatërruar objekte dhe infrastrukturë civile.
Si ishte hartuar dhe koordinuar plani?
Sipas dosjes, gjatë konfliktit të armatosur në Kosovë, në vitin 1998, Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë, përmes Shtabit Ndërsektorial, kishte hartuar planin për ta sulmuar lagjen Jasharaj në fshatin Prekaz i Poshtëm.
Shtabi Ndërsektorial përbëhej nga përfaqësues të Departamentit të Sigurisë Publike dhe Departamentit të Sigurisë Shtetërore dhe udhëhiqej nga Jovica Stanishiq, në cilësinë e zëvendësministrit të Punëve të Brendshme dhe shefit të Departamentit të Sigurisë Shtetërore.
Zëvendësi i tij, sipas dosjes, ishte Vllastimir Gjorgjeviq, në cilësinë e zëvendësministrit të Punëve të Brendshme dhe shefit të Departamentit të Sigurisë Publike.
Për realizimin e këtij plani, Shtabi Ndërsektorial kishte bashkërenduar veprimet me Shtabin e Ministrisë së Punëve të Brendshme për Kosovën, me seli në Prishtinë, i themeluar në vitin 1997.
Gjatë operacionit në Prekaz të Poshtëm, ky shtab udhëhiqej nga Sreten Lukiq, i cili, sipas dosjes, ishte përgjegjës për koordinimin dhe bashkërendimin operacional të Njësisë për Operacione Speciale, Njësisë Speciale Antiterroriste dhe Njësisë së Posaçme Policore.
Po ashtu, sipas dosjes, Lukiq ishte përgjegjës për miratimin e përdorimit të llojit të armatimit dhe mjeteve luftarake, dhënien e urdhrave, pranimin dhe dhënien e raporteve dhe mbikëqyrjen e realizimit të operacionit.
Në zbatim të planit të hartuar dhe koordinuar nga këto dy shtabe, ishte përcaktuar që në sulmin ndaj lagjes Jasharaj të angazhoheshin Njësitë Speciale Antiterroriste dhe Njësitë e Posaçme Policore, të cilat vepronin në kuadër të Departamentit për Siguri Publike, si dhe Njësia për Operacione Speciale, e cila vepronte në kuadër të Departamentit për Siguri Shtetërore.
Prokuroria Speciale e Kosovës ka dorëzuar aktakuzë për krime lufte të kryera në lagjen e Jasharajve, në Prekaz të Skenderajt ndaj 35 të pandehurve.
Blerim Isufaj, kryeprokuror i Prokurorisë Speciale tha se kjo është aktakuza e parë e dorëzuar lidhur me krimet ndaj civilëve në lagjen e Jasharajve në Prekaz.
“Rëndësia e aktakuzës është e veçantë sepse është aktakuzë e parë që lidhet me vrasjen e civilëve në lagjen e Jasharve në Prekaz të Skenderajt. Si prokurori speciale jam i bindur se është punuar me kujdes të shtuar që pretendimet në aktakuzë të vërtetohen para gjykatës. Sikurse rasti i krimeve të luftës në Zubin Potok për shkak që bëhet fjalë për një rast në hetim nuk mund të japim detaje. Gjatë javëve të fundit është dorëzu edhe një aktakuzë për spiunazh. Po ashtu vlen të theksohet bashkëpunimi me institucionet e tjera relevante”- tha Isufi.
Prokurori Valdet Gashi ka dhënë detaje rreth aktakuzës të dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Gashi tha se si prokurori kanë vërtetuar se 35 të pandehurit kanë kryer veprën penale për krime lufte kundër popullatës civile në datat 5-6 dhe 7 mars të vitit 1998.
Prokurori Gashi theksoi se të pandehurit kanë pasur pozita të larta në zingjirin komandues të forcave speciale serbe në atë kohë.
“Pas një pune disa vjeçare kemi arritur të finalizojmë punën me aktakuzë. Ky është një rast shumë kompleks dhe sfidues por falë një pune intensive të prokurorisë dhe bashkëpunimit të ngushtë me Policinë dhe institucione të tjera ne kemi arrit të dorëzojmë aktakuzën në Gjykatë. Ne kemi arritur të vërtetojmë se të pandehurit kanë kryer veprën penale krime lufte kundër popullatës civile në datat 5-6-7 mars të vitit 1998. Si rezultat i hetimit kemi arritur të identifikojmë 35 të pandehurit që janë në pozita të larta komanduese të ushtrisë serbe. Kemi identifikuar se cilat njësi kanë marrë pjesë, aktivitetit secilit prej të pandehurve, armatimi që është përdorur. Provat e siguruara në këtë hetim është vërtetuar se janë vrarë 26 persona civil në mesin e të cilëve kishte fëmijë përveç tjerash është provuar se gjatë këtij sulmi, njësitë policore kishin marrë peng civil që i kishin torturua”- ka dhënë detaje prokurori Gashi.
Gashi tha se aktakuza është ngritur në mungesë dhe se nga informacionet që kanë 35 të pandehurit janë gjallë.
Sipas prokurorit Gashit sfidë gjatë hetimeve ka qenë identifikimi i njësive speciale serbe që kanë ndërmarrë veprimet për kryerjen e vrasjeve.
“Sfida ma e madhe ka qenë identifikimi i këtyre njësive. Departamenti i sigurisë publike ka qenë i inkuadruar, ministria e punëve të brendshme, departamenti i sigurisë shtetërore ka qenë edhe njësia për operacione speciale e Serbisë që ka pas për obligim dhe për detyrë ta sulmoj shtëpinë e familjes së Shaban Jasharit”- tha Gashi.
Gashi tha se aktakuza përfshinë vrasjen e 26 civilëve në të gjithë lagjën e Jasharajve dhe nuk bëhet fjalë vetëm për familjen e ngushtë të Jasharajve, por të gjithë banorët e lagjes së Jasharajve.
Ai bëri të ditur se në sulm kanë marrë pjesë disa struktura të forcave serbe, përfshirë Departamentin e Sigurisë Publike, strukturat e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, Departamentin e Sigurisë Shtetërore dhe Njësinë për Operacione Speciale (JSO).
Sipas Gashit, JSO-ja drejtohej nga Milorad Ulemek, i njohur si “Legija”, dhe kjo njësi kishte, sipas aktakuzës, detyrë të sulmonte drejtpërdrejt shtëpinë e familjes së Shaban Jasharit.
“Janë shumë njësi që janë përfshirë. Është Njësia e Posaçme e Policisë, Njësia Speciale Antiterroriste, mandej kemi departamente të Punëve të Brendshme që janë në kuadër të nivelit të Ministrisë”, tha Gashi.
Janari i vitit 2026, ka shënuar 28-vjetorin e sulmit të dytë ndaj Familjes Jashari, më 22 janar 1998.
Më 22 janar 1998 në Prekaz kishte pasur luftime në mes familjes Jashari në njërën anë dhe forcave serbe në anën tjetër.
Ky njihet si sulmi i dytë ndaj Kullës së Jasharajve.
Atë ditë, rreth 500 metra larg shtëpive të lagjes Jashari, kishin lëvizur forca të policisë serbe, të cilat ishin drejtuar drejt Kullës së Jasharajve, për ta sulmuar atë me armë të llojeve të ndryshme.
Plagë kishin marrë disa anëtarë të familjes Jashari pas rezistencës që shfaqën ndaj sulmit, ndërsa forcat e armikut ishin detyruar të tërhiqen.
Sulmi i tretë i Serbisë në familjen Jashari kishte ndodhur më 5 mars të vitit 1998.
Pas një lufte që kishte zgjatur tri ditë, kishin rënë heroikisht 59 anëtarë të familjes Jashari, përfshirë edhe komandantin legjendar të UÇK-së, Adem Jasharin.
Që nga viti 1991 deri më 1998, Prekazi dhe Drenica ishin të rrethuar nga forcat policore, ushtarake e paraushtarake serbe. Synimi ishte vrasja e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari dhe familjes së tij, për të shuar dhe shtypur rezistencën që familja Jashari me në krye Ademin e Hamzën po i bënin regjimit të Sllobodan Millosheviqit.
Më 30 dhjetor të vitit 1991 ishte kryer sulmi i parë ndaj familjes Jashari, ndërsa, sulmin e dytë forcat serbe e kanë kryer në muajin janar 1998. Më 22 janar forcat serbe e kanë sulmuar familjen Jashari, por edhe kësaj beteje, fëmijët dhe gratë e familjes Jashari i kanë rezistuar. Megjithatë, në këtë betejë që ka zgjatur afër 30 minuta, të plagosura kanë mbetur Iliriana, vajza e Rifat Jasharit dhe Selvetja, vajza e Hamzë Jasharit./Kallxo.com



































