Elvir Gashijani kalon në Turqi te Bodrumspor - detajet e transferimit dhe përfitimet e Llapit

Sulmuesi i krahut, Elvir Gashijani, ka bërë hapin e radhës në karrierë, duke u transferuar në Turqi te Bodrumspor, skuadër që garon në kategorinë e dytë të futbollit turk.
19-vjeçari do të nënshkruajë kontratë me klubin turk deri në vitin 2030, ndërsa transferimi nga Llapi ka kushtuar 150 mijë euro.
Llapi ka ruajtur gjithashtu 25 për qind të kartonit të futbollistit, duke përfituar në rast të një transferimi të ardhshëm, mëson Telegrafi.
Gashijani largohet nga Llapi pas 103 ndeshjeve, në të cilat ka shënuar 7 gola dhe ka dhënë 14 asistime.

Nga 2 Korriku dhe Trepça ’89 te Llapi
Gashijani është formuar në futbollin kosovar, ku në grupmoshat e reja ka luajtur për 2 Korrikun dhe Trepçën ’89, para se të vazhdonte zhvillimin te Llapi.
Ai ka qenë gjithashtu pjesë e rregullt e Përfaqësueses së Kosovës në grupmoshat U17, U19 dhe U21.
Me Kosovën U21 ka zhvilluar gjashtë ndeshje, ndërsa paraqitjet më të mira i ka pasur me U19, ku në 10 ndeshje ka shënuar tri gola.

Tashmë, Gashijani do të ketë mundësinë të vazhdojë karrierën në futbollin turk, ku synon të bëjë hapin e radhës në zhvillimin e tij si futbollist. /Telegrafi/








































