Zyrtare: Meriton Korenica, lojtar i FCSB-së

Meriton Korenica tashmë është zyrtarisht lojtar i FCSB-së.
Mesfushori kosovar është larguar nga Cluji dhe ka kompletuar transferimin te gjiganti rumun për shumën prej 600 mijë eurosh, bëri të ditur presidenti i FCSB-së, Gigi Becali.
Korenica, i cili luan kryesisht si mesfushor me tipare sulmuese, mund të aktivizohet në disa pozita. Në bazë të marrëveshjes së tij të re, 30-vjeçari do të ketë pagë mujore prej 30 mijë eurosh.

Në këtë edicion me Clujin, Korenica ka zhvilluar 10 ndeshje dhe ka shënuar tri gola. Ai pritet të jetë në dispozicion të FCSB-së për derbin ndaj Dinamos.
Trajneri i FCSB-së, Marius Baciu, ka konfirmuar se Korenica është në gjendje të mirë fizike dhe se vendimi për aktivizimin e tij do të merret pas stërvitjes.
“Korenica është 100 për qind i gatshëm dhe do të marrim vendim për të. Mendoj se do të jetë në skuadër, por të shohim çfarë do të ndodhë në stërvitje”, ka deklaruar Baciu.
Korenica është aktivizuar më herët te Rahoveci, Shkëndija e Tetovës, Metalurgu, Liria, Prishtina, Ballkani dhe Manisa. Në Rumani u transferua në verën e vitit 2024 nga Manisa për 400 mijë euro.
Në prezantimin e tij te FCSB-ja, Korenica shprehu kënaqësinë për transferimin dhe synimet e tij me klubin. “Ndihem mirë, jam i lumtur që jam këtu. Do të mundohem ta jap më të mirën për këtë skuadër.
Të gjithë e njohin FCSB-në. Për mua është kënaqësi të jem këtu. Dua të jap çdo gjë. Mendoj se transferimi këtu do të jetë mirë për karrierën time.
Dua që kjo kaptinë të jetë e mirë. Shpresoj që t’i sigurojmë këtij klubi shumë trofe”, deklaroi ai. /Telegrafi/








































