Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj në një konferencë për media ka bërë të ditur se kanë dorëzuar aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj 35 të pandehurve për krime lufte të kryera në lagjen e Jasharajve, në Prekaz të Skenderajt.

Isufaj tha se Prokuroria Speciale ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm në përmbushje të mandatit të saj ligjor, duke dorëzuar aktakuzën në një çështje me rëndësi të veçantë për institucionet e drejtësisë, të opinionit publik, e që lidhet me vrasjet e civilëve shqiptarë në lagjen e Jasharajve në Prekaz të Skenderajt.


“Aktakuza është rezultat i një pune të kujdesshme, profesionale dhe të bazuar në prova në përputhje me kompetencat dhe përgjegjësitë ligjore që ka Prokuroria Speciale e Kosovës”, tha ai, raporton Telegrafi.

Sipas tij, aktakuza ka rëndësi të veçantë edhe për faktin se bëhet fjalë për aktakuzë të parë që lidhet me vrasjen e civilëve në lagjen e Jasharajve në Prekaz.

“Tani është në kompetencë të Gjykatës që të vlerësojë aktakuzën me provat e paraqitura në përputhje me ligjin dhe standardet e një gjykimi të drejtë. Por, si Prokurori Speciale jam i bindur se në këtë rast është punuar me kujdes të shtuar me qëllim që pretendimet e ngritura në aktakuzë të provohen para para gjykatës”, tha ai, raporton Telegrafi.

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës më tej shtoi se rëndësia e kësaj aktakuze është edhe me faktin se konfirmon përkushtimin e vazhdueshëm për të trajtuar krimet e luftës dhe kërkuar përgjegjësi penale pavarësisht kompleksitetit të këtyre rasteve dhe kohës së kaluar.