Vendos 'perla' e Albin Krasniqit - Prishtina mposht Vushtrrinë dhe merr fitoren e tretë radhazi

Prishtina ka regjistruar fitoren e tretë në po aq ndeshje, duke mposhtur kësaj radhe Vushtrrinë me rezultat 1-0.
Ndeshja, e vlefshme për javën e katërt, u zhvillua në “Kampioni Nacional” në Hajvali, ndërsa për Prishtinën rezultoi më e vështirë nga sa pritej.
Në pjesën e parë, Prishtina krijoi disa raste për shënim, por Asane Diatta dhe Leotrim Kryeziu nuk ishin të saktë në finalizim.

Në pjesën e dytë, konkretisht në minutën e 60-të, Albin Krasniqi shënoi një gol të bukur për t’i dhënë epërsinë 1-0 Prishtinës.
Prishtina pati raste edhe pas golit për ta dyfishuar epërsinë, por skuadra e drejtuar nga Besnik Kollari u mbrojt mirë dhe e mbajti ndeshjen të hapur deri në fund.
Në kohën shtesë, Vushtrria pati mundësinë për të rrëmbyer një pikë, por Kim Sane, i vetëm përballë portierit, gjuajti jashtë portës.
Me këtë fitore, Prishtina shkon në kuotën e nëntë pikëve pas tri ndeshjeve të zhvilluara. Kryeqytetasit kanë edhe një ndeshje më pak, atë kundër Dritës, ndërsa aktualisht mbajnë vendin e parë në renditje. /Telegrafi/








































