Data4X ka lansuar sesionin e parë të formatit “Data4Breakfast”, që synon të sjellë në një tryezë vendimmarrësit institucionalë dhe drejtuesit e sektorit privat për të diskutuar potencialin ekonomik të Kosovës të identifikuar përmes të dhënave.

Takimi i parë iu kushtua sektorit të tregtisë me pakicë – Retail, si vazhdimësi e “Agjendës 1 Miliard”, bazuar në një analizë njëvjeçare të realizuar nga Data4X.


Sipas analizës, Kosova ka potencial që gjatë 2–3 viteve të ardhshme të zëvendësojë një pjesë të importeve me prodhim vendor. Në sektorin e Retail-it, potenciali i identifikuar arrin në rreth 293 milionë euro produkte që mund të zëvendësohen me prodhim vendor.

Në takim u diskutuan disa prej sfidave kryesore për realizimin e këtij potenciali, përfshirë rritjen e kapaciteteve dhe cilësisë së prodhuesve vendorë, konsistencën e furnizimit, përmirësimin e dialogut ndërmjet Qeverisë dhe sektorit privat, si dhe orientimin e politikave dhe burimeve drejt produkteve dhe industrive ku Kosova ka përparësi konkurruese.

Po ashtu, u theksua rëndësia e të dhënave të sakta dhe analizave sektoriale në procesin e vendimmarrjes, ndërsa si sfida u përmendën edhe fuqia punëtore, energjia dhe modernizimi i praktikave të biznesit.

Në sesion morën pjesë edhe kryeministri Albin Kurti, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, si dhe këshilltarja politike e kryeministrit, Fëllanza Podrimja.

Në diskutim kontribuuan edhe drejtues të kompanive të sektorit të retail-it, përfshirë Xhevdet Rexhepin nga Viva Fresh Store, Shaip Mikullovcin nga Interex, Betim Humollin nga Albi Market, Agon Gashin nga Meridian Express dhe SPAR, si dhe Agon Rexhepin nga Super Viva.

Sipas organizatorëve, “Data4Breakfast” do të vazhdojë dialogun e bazuar në të dhëna edhe me 11 sektorë të tjerë të ekonomisë, me synimin që potencialet e identifikuara përmes analizave të shndërrohen në prioritete dhe veprime konkrete./Telegrafi/