LAJMI I FUNDIT:

Kemi humbur një forcë drejtpeshuese

Kemi humbur një forcë drejtpeshuese

Në sfondin e krizës që ka përfshi Universitetin e Prishtinës, na ravijëzohet i gjithë sistemi ynë i katandisur në mjerim, ku degradimet politike zënë kryet e radhës, e pas së cilave vijnë degradimet në shëndetësi, pamundësia e zhvillimit ekonomik, kultura pa ndonjë status të avancuar shoqëror, krizat identitare dhe fetare. Thjesht, ka kohë që po e paguajmë shtrenjtë tagrin e këtij arsimi jocilësor, të devijuar nga parimet thelbësore që ka mësimdhënia dhe mësimnxënia.

Kur shohim pamjet rreth Rektoratit në Prishtinë, aferat e vazhdueshme e alarmante, që kanë përfshirë alamet profesorë, atëherë na shfaqet përpara korifeu i kulturës shqiptare, Pjetër Bogdani, i cili në shekullin e XVII, vajtonte me zemër të plasur e me dashuri zhuritëse për atdheun, dvarrjen e dijes dhe kërkonte të mos lihej dija e gjuha e dheut të zhduket, por sikur lufton gjithë dheu e bota për vet, të luftohej për t’u lartësuar nga urtësia.


E, në fakt, ndër ne, urtësia është plandosur për tokë, e mbi të ka vu thembrën padija e arroganca.

Parimi i mirënjohur, se vetëm drite e diturisë do t’na shpie përpara, është përmbysur keq. Tani kërkohen mendjet e robëruara, shkollimi i kontrolluar dhe universitet që prodhon mendje oportuniste. E gjithë kjo s’i shërben interesit të përgjithshëm, përpos disa profesorëve e politikanëve mendjeshkurtër.

Në vend që universiteti ynë të riafirmohej dhe të bëhej referencë e shëndoshe, ku qytetarët e dëshpëruar në zagushinë mbytëse që i ka përfshi, do të mund të drejtonin sytë e shpresës, ai është shndërruar në tempull të marrive. E, kështu, dija ka humb vlerën që duhej të kishte në shoqëri. Për këtë arsye, vendi ynë s’ka autoritete shkencore, politike, kulturore e as morale. E gjithë kjo krizë ka bërë që vendi të mos ketë asnjë faktorë drejtpeshues, që ndihmon ruajtjen e ekuilibrave të domosdoshëm dhe kohezionit të brendshëm.

Kështu po i shërbehet të keqes, sepse një shoqëri pa autoritete kulturore, shkencore, politike a morale, shndërrohet ne një gërmadhë individësh te çorientuar.

Andaj, me arsye të plotë e të mllefosur, shumë studentë, profesorë e qytetarë hedhin akuza mbi ndërtesën e Rektoratit, ku kërkohet keqja. Ç’është e vërteta, aty vetëm po shpërthen e keqja dhe po kundërmon rënd. Kjo e keqe i ka rrënjët diku ma thellë. Ajo është mbledhur gjatë dhe është ngjizur, ndihmuar e përkrah, nëpër selitë e partive politikë dhe të grupeve të ndryshme të interesit.

Tani pak është me rëndësi të kërkojmë fajtorin. Sepse, po të bëhej një analizë e stërholluar, fajtori rezulton të jetë shkapërderdhur dhe gjendet kudo mes nesh, mes atyre që kanë bashkëjetuar tinëzisht me këtë të keqe, mes atyre që e kanë ndihmuar të keqe, mes e atyre që e kanë hesht këtë të keqe dhe mes atyre që s’e kanë penguar këtë të keqe.

Natyrisht, përgjegjësia ma e madhe bie mbi politikën dhe qeverinë, e cila pamëshirshëm ka abuzuar me dijen, jo vetëm duke e politizuar, por edhe duke e përdorur si trampolinë për synime tepër të ulëta, si për avancime në karrierë, qëllime elektorale etj. Këto vite universiteti ju ka shërbyer shumë “personaliteteve” të jetës sonë politike, kulturore e shkencore, që të ngjiten në majat e shoqërisë, pa meritë, por duke u kamufluar pas disa titujve e diplomave të sajuara dhe duke shërbyer mirë.

E, kryemarria e gjithë kësaj ishte dhe mbetet vendosja e një rektori nga komuniteti i politikës dhe me uniformë politike, në krye të Universitetit.

Dihet se liria shpirtërore, që është parakusht për çdo liri të personit, është e ndërlidhur me autonominë e dijes, etikën shkencore dhe institucionet e pavarura akademike, që janë të afta të krijojnë ekuilibër shoqëror dhe drejtpeshim brenda një shoqërie.

Andaj, dalja nga kjo letargji e mjerueshme që e ka përfshi universitetin dhe në përgjithësi institucionet e dijes, është detyre prioritare e vendit tonë. Mbi të gjitha, është një mision fisnik, qe hap portat kah liria e shpirtit, si parakusht për të kultivuar gjitha liritë tjera, si dhe dëshirën për të mirën, të vërtetën, drejtësinë.

Tingëllon e klishetizuar ta përsërisim, por duhet ta rikujtojmë se liria e shpirtit s’mund të vjen në shprehje kur robërohet dija, kur kontrollohen institucionet akademike e shkencore nga politika, çfarë do qoftë ajo.

Një shoqëri me edukim gjysmake, kështu siç e kemi, mund t’i shërbej për një moment, vetëm një politike pa vizione dhe disa halldupëve të marrosur, qe vetëkënaqen duke e varfëruar vendin e tyre e duke vu në krah grada që s’i meritojnë dhe s’ju vlejnë pesë pare.

Liria, perspektiva dhe lumturia e këtij vendi, ngjizet nëpërmjet edukimit te mirëfilltë. Prandaj, prioritet i gjitha prioriteteve duhet te jetë vendosja e rendit dhe dijës ne Universitet dhe largimi i epigoneve te shumte që tash e sa vite kanë ngufatë universitetin dhe na kanë bërë gazi i botës.

Një shoqëri është e lirë, për aq sa ka shkolla të lira. Andaj, beteja për shkollën, është e ndërlidhur me betejën për kombin e shtetin.

Të katandisur në këtë gjendje, e përballë rrokullisjes drejt humnerës, duhet kërkuar shtegun e daljes. Dalja nga kjo gjendje, s’është e lehtë, por as e pamundur.

Si asnjëherë më parë, duhet etikë, për ta ndal hovin e degradimit, defetizmit dhe shpresave të vokta që kanë kapluar dhe molepsur rrugën e vendit tonë kah e nesërmja.

Ma shumë se kurrë, shoqëria jonë ka nevojë të injektohet nga etika e përgjegjësisë dhe dashuria vepruese për Atdheun, dijen e kulturën. E, Atdheut, shërbimin ma të mirë ja bëjmë me shkollim të mirëfilltë, kjo edhe për faktin se arsimi është forca ma e fuqishme drejtpeshuese përballë sfidave tjera, nga helmi i gjuhës politike, si dhe arma ma e fortë për të ecur drejt progresit.

Thjesht, asgjë ma shumë se ka penguar Kosovën të ec përpara këto vite se sa degradimi i plotë i sistemit arsimor, i cili ka prodhuar e vazhdon të prodhojë mediokritet dhe injorancë, kuadro jokompetente, por argatë me mendim servil dhe jo kreativ.

Për fund, e shoh të udhës të përfundojë këtë shkrim, me një citat domethënës, të shkrimtarit meksikan David Toscana: “Ne e dimë se librat u japin njerëzve ambicie, shpresa dhe dinjitet. Nëse ne nuk zgjohemi si të arsimuar, njashtu si finlandezët, rrugët do të jenë të mbushura me njerëz të zemëruar dhe qeveria jonë e frikësuar do të pyesë vetën se çfarë do të bëjnë më shumë sesa një trajnim për pjatalarës”.