LAJMI I FUNDIT:

KD: Çeku, prej të enjtes në krye të PSDK-së

KD: Çeku, prej të enjtes në krye të PSDK-së

Edhe pse vazhdimisht ka proklamuar se do të formojë një subjekt të ri politik, ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, nga e njëjta pritet të bëhet pasardhës i Kaqusha Jasharit, në kryesim të Partisë Socialdemokrate të Kosovës, bën të ditur gazeta Koha Ditore.

Sipas burimeve të kësaj gazete, bëhet e ditur se më 10 prill do të mbahet Këshilli i Përgjithshëm i PSDK-së, dhe se gjatë të njëjtës ditë, kjo parti do t’i besohet Çekut.

Zyrtarisht, si kryetarja e PSDK-së, ashtu edhe Çeku, nuk e kanë mohuar, por as pohuar këtë informatë kur janë kontaktuar nga gazeta. Si njëri ashtu edhe tjetri kanë thënë se janë duke zhvilluar negociata dhe se deri të enjten presin që do të kristalizohen pozicionet e reja në PSDK.

Sidoqoftë, ish-shefi i Qeverisë kosovare ka shpjeguar se negociatat që është duke i bërë me udhëheqësit e PSDK-së, nuk kanë të bëjnë me aderimin e tij në këtë parti, por thjesht me marrjen në drejtim të këtij subjekti.


“Tash për tash do t’ia nisim me PSDK-në, e kush e di në rrjedhat e mëvonshme ndoshta do të na bashkohet edhe ndonjë parti tjetër”, ka thënë Çeku në prononcimin e tij për Kohën Ditore. /Telegrafi/