LAJMI I FUNDIT:

Katër arsyet pse po forcohet majtizmi në Kosovë

Katër arsyet pse po forcohet majtizmi në Kosovë

Konceptet politike të djathta dhe të majta në kuptimin sikundër janë zhvilluar dhe definuar në Evropën perëndimore dhe gjetiu, janë të ndryshme nga ato në Evropën Lindore, ndërkaq janë edhe më të ndryshme nga ato të Ballkanit e sidomos të Kosovës. Krejt e kuptueshme se kjo determinohet nga rrethanat dalluese, se si janë zhvilluar nacionalizmat, si janë krijuar shtetet, si dhe pse janë bërë e si kanë përfunduar luftërat e të tjera të ngjashme.

Tek ne këto profilizime ende nuk janë shquar dhe stabilizuar, e për rrjedhojë jo rrallë definohen, vlerësohen e perceptohen herë pasaktësisht, herë me të meta e jo rrallë edhe gabueshëm. Përkundër kësaj, edhe tek ne në një të ardhme do të jenë të pashmangshme profilizime të tilla që do të jenë pozitive. Por, për shumë arsye duket se gjithnjë e më shumë në Kosovë po krijohet terren më i favorshëm për majtizëm se sa për djathtizëm. Janë disa karakteristika kruciale të cilat më japin të drejtë të konstatoj kështu e të cilat drejtpërsëdrejti dererminojnë forcimin e majtizmit Kosovë. Të njëjtat karakteristika në asnjë mënyrë nuk janë në favor të koncepteve të djathta, së paku jo tani për tani.


1) Varfëria – Shembuj të ndryshëm, gjithandej në Evropë e gjetiu, dëshmojnë se forcat e djathta të shpeshtën kanë qenë në element kur rrethanat e krijuara kërkonin më shumë patriotizëm, flijim dhe kthim në vlerat e bazike. Majtistët ndërkaq ishin në element kur varfëria dhe patriotizmi i rrejshëm i molisnin qytetarët dhe ku barazia sociale kthehej në shpresë kolektive.

Sot, në Kosovë, varfëria e madhe dhe zhgënjimet nga patriotizmi i rrejshëm korruptiv u bë kërcënues për çdo gjë që kemi arritur si shoqëri. Dhe, tani ky terren është i përshtatshëm për majtistët të cilët konceptualisht janë të përgatitur që të ofrojnë parajsën e barazisë socialë në këtë dynja, pa pasur nevojë të vdiset. Duket se sa më e madhe të jetë varfëria, aq më shumë rritet besimi në këtë parajsë. Kur kësaj i shtohet oratoria me plot moralizma, anti-egoizma e antiglobalizma të konceptualistëve majtistë, mund të thuhet se fukarallëku në Kosovë do ta ushqejë deri në ngopje politike majtizmin për të pasur shumë shpejt parti e lëvizje të majta.

Nëse mund të flitet për traditë majtiste në Kosovë, ai është i importuar herë nga Beogradi e herë nga Tirana. Duket se tani për herë të parë kemi elemente të majtizmit të pavarur në Kosovë, sado që si koncept ai këtë pavarësi e ka me prirje më të shquara për ta reduktuar e ndërlidhur me qendra të tjera.

2) Multietniciteti – I strukturuar nga burokratët ndërkombëtarë, multietniciteti në Kosovë është koncept bazë i shtetit të Kosovës i cili në terren – jo vetëm në përqindje etnike – nuk është tipik i tillë. Por, ai është legjitimuar nga shqiptarët si një nga lëshimet e tyre që janë bërë si kompensim për ta pasur një Kosovë të pavarur.

Pavarësisht të gjithave, prej tij ndërkombëtarët nuk kanë hequr dorë asnjëherë, sepse konsiderohet si bazë e shëndoshë për qëndrueshmërinë e Kosovës si shtet dhe shtetndërtimit demokratik si synim. Duket se në të tilla rrethana, konceptet majtiste në Kosovë janë preferencë nga kreatorët ndërkombëtarë të multietnicitetit dhe kjo tek ne do të thotë shumë. Ky majtizëm që ka qëllim primar ‘barazinë sociale’, ‘njeriun pa kurrfarë dallime’ dhe që konsideron se ‘patriotizmi nuk të jep bukë me hangër’, mund edhe ta ushqejë e forcoj atë, duke e ndihmuar kështu procesin për Kosovën multietnike.

Kjo gjendje, sidomos viteve të fundit, apriori i jep terren të përshtatshëm majtistëve të rinj në Kosovë, gjë që do të determinojë edhe formimin e ndonjë lëvizjeje apo partie politike të majtë.

3) Kushtetuta – Duke filluar nga Kushtetuta e Kosovës e cila e definon Kosovën si shtet të komuniteteve, nga ligjet dhe parimet të cilat thënë figurativisht nuk janë për ‘kuqezi’, kthimi kah vlerat nacionale shqiptare, kultivimi dhe begatimi i tyre dhe bërja e shqiptarizmës bazë mbi të cilën do të konceptohet brumi politik për një parti, në Kosovë herë nuk favorizohet, herë mund të ndalohet, herë tërthorazi edhe ndëshkohet. Kjo në shumë mënyra do të thotë se brumi i djathtizmit në Kosovë edhe me ligj është i reduktuar.

Edhe ato parti të djathta apo që thonë se janë të djathta, duhet t’i përshtaten kësaj Kushtetute, këtyre ligjeve, multietnicitetit, çka shpesh ato i bëjnë jo tipike të djathta. Këto ligje nuk kanë këtë efekt për majtizmin, përkundrazi. Parimisht majtizmit gjëra të tilla jo të favorizuara me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës nuk i ka për bazë, nuk i ka prioritare, prandaj edhe nuk ka pengesa në këtë terren për t’u konsoliduar e vepruar, duke mos shkelur e thyer ligjet dhe parimet mbi të cilat ligjërisht funksionon shteti i Kosovës.

4) Islami politik – Parimisht dihet se djathtizmi gjithandej duke kultivuar nacionalen dhe duke u kthyer në vlerat e trashëguara, ka krijuar lidhje më të fortë me fenë, gjë që nuk është rasti tek majtistët. Mirëpo, për aq sa shqiptarët janë të ndryshëm me kombet të cilat i takojnë një feje, kështu me të drejtë nuk është me djathtizmin tek shqiptarët. Kjo qasje djathtiste ndaj fesë, tek kombet e ndryshme të cilat i përkasin një feje, ka forcuar edhe më unitetin apo edhe konsoliduar kombin në raport me armiqtë që zakonisht ishin të feve tjera.

Djathtizmi shqiptar në këtë pikë dallon nga djathtizmi tipik, dhe për këtë ka të drejtë, për aq sa shqiptarët nuk i takojnë një feje dhe për aq sa preferencat fetare në politikë mund të shkaktojnë tek ata përçarje. Këtë realitet, këtë terren të ri që krijohet nga abstenimi i djathtizmit tek ne, duket se majtizmi në Kosovë po e shfrytëzon, duke e krijuar një lidhje të re në të parë jo të zakonshme me fenë, konkretisht me islamin politik.

Dhe, ky flirt nga larg, ndërmjet islamit politik dhe majtizmit në Kosovë, gjithnjë e më shumë po forcohet. Pikat takuese i kanë në ato se të gjithë ‘njerëzit janë të barabartë pavarësisht ngjyrimeve e dallimeve’ dhe ‘aspiratës për një parajsë sociale’. Por, gjithnjë e më shumë e kanë edhe një pikë takimi e kjo është një lloj politike antiglobaliste e herë-herë edhe antiperëndimore – që të dyja këto të shprehura tek jo pak majtistë anekënd botës.

Kështu, majtistët në Kosovë forcohen duke bërë një aleatë me islamin politik që nuk preferon të duket shumë, por si tebdil rreshtohet dhe vepron bashkë me majtistët.