LAJMI I FUNDIT:

Kaosi në banesat kolektive

Duke kaluar afër banesave kolektive, asnjëherë nuk mund ta dish se çfarë do të mund të të bjerë në kokë. Ndonjë pampers, ndonjë qese e mbushur me bërllok, duq cigare e ndezur, pështymë e qurra ose edhe ndonjë ve e prishur. Ndërsa natën asnjëherë nuk e di se çfarë muzike do të dëgjosh. Kjo të imponohet nga dëshira e fqinjit në anën e djathtë, në anën e majtë, atij sipër teje ose nën ty. Herë muzikë rep, hip-hop e popullore, ose diçka të përafërt. Për më tepër, nëse cilido fqinj ka dasmë ose syneti, ose edhe dorë fejese, thjeshtë, aty në banesë do të ketë rrëmujë për ditë me radhë. Ose, nëse qëllon që pas njërit fqinj tashti edhe tjetri të martohet, fejohet ose t’i bëj djemtë synet atëherë vazhdimësia e rrëmujës do të kthehet në normalitet.

Kështu, mund të ankohemi tërë ditën dhe për çdo ditë pse Bashkimi Evropian (BE) nuk po na respekton e nuk po na trajton njëjtë sikurse fqinjët tanë, mund të ankohemi pse ka aq shumë korrupsion në këtë vend mes këtyre njerëzve, mund të ankohemi pse ka aq shumë krim në këtë vend, pra, mund të ankohemi për çdo gjë që mund të na bie ndërmend (e që të gjitha ankesat të jenë legjitime), por gjithmonë dështojmë të pyesim veten: çfarë po bëj unë si qytetar që të ndryshohet situata? Po votoj? Përgjigje më parë naive.

Sido që të jetë, organizimi dhe mirëkuptimi i ndërsjellë i të jetuarit mes nesh, mes njëri-tjetrit, nuk bëhet në baza vullnetare e individuale. Pra, nuk është më koha që t’i themi fqinjit “i pashkollë” ose edhe “katunar”. Ky është rasti që, si qytetarë të këtij vendi e të këtij qyteti-rrëmujë, të kërkojmë ndërhyrjen nga ana Kuvendit të Komunës së Prishtinës. Sigurisht, kjo situatë nuk vlen vetëm për komunën e Prishtinës por për secilën komunë në Kosovë në secilin rast. Sepse në këtë kuadër ndodhish në banesat kolektive (por jo vetëm aty), s’ke qare të parashtrosh pyetjen: ku në dreq është Isa Mustafa?


Dua të them, nëse kosovarët dëshirojnë të bëhen pjesë e BE-së, nëse kosovarët, përgjithësisht, duan të bëhen e të jenë shoqëri normale me një jetë normale atëherë ata duhet të gjejnë mënyra e forma që të bëjnë presion në kuvendet komunale dhe të kërkojnë të drejtën e organizimit të jetesës së tyre ditore ndër-njerëzore. Pra, qytetarët e Kosovës, dhe veçanërisht qytetarët e Prishtinës, duhet të kërkojnë që kryetari i komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, të ndërmerr hapa ligjorë dhe të rregullojë të jetuarit në bashkësi, në komunitet. Tek e fundit, kosovarët nuk kanë qare të mësojnë të jetojnë në bashkësi, në komunitetet, pra, në banesë, në rrugë, në shkollë, në organizatën ku punojnë, por edhe në familje. Ata duhet ta dinë e ta mësojnë që dëshirat e tyre personale shpesh cenojnë mirëqenien e tjetrit afër. Por, po e përsërisë, kjo marrëdhënie ndër-njerëzore (ose ndër-fqinjësore) sqarohet e rregullohet me ligj dhe zbatohet me polic.

Dua të them, shumica e veprave penale (krimeve) që po kryhen në Kosovë, e sidomos në Prishtinë, janë mu për shkak që Kuvendi Komunal i Prishtinës, dhe i secilës komunë tjetër në Kosovë, po dështon që të rregullojë përmes ligjit dhe zbatuesve të tyre jetesën mes qytetarëve. Shumica e vrasjeve që po kryhen sot në Kosovë po bëhen nga fqinjët dhe atë për shkak të pronës publike, pastaj po kryhen rrahje e vjedhje, po kryhet përdorimi i narkotikëve ose edhe përdorimi i tepërt i alkoolit, e të mos flasim për zhurmë e fjalosje përmes të cilave po krijohen bela fqinjësore.

Kështu, përmes ligjit dhe rregullave të tjera ligjore, banuesi i banesave kolektive në Prishtinë (dhe kudo në Kosovë) duhet ta mësojë që nuk pështyhet e qurravet nga dritarja e tarraca në rrugë sepse është vepër e dënueshme penale, pra, krim, se nuk mund të gjuhet pelena e qesja e mbushur me bërllok nga dritarja e tarraca në rrugë sepse është krim, se nuk mund të lëshohet muzikë natën sepse është krim, se nuk mund të organizosh dasmë, syneti e fejesë në banesë kolektive e të bësh zhurmë edhe pas orës 22 të mbrëmjes sepse është krim.

Sigurisht, nuk e di nëse do të kishte jetë më ideale kur shoqëria e Kosovës të mësohej të jetojë mes vete në harmoni pa pas nevojë për ligj dhe polic. Por, kjo po del të jetë vetëm debat e diskutim i mirë, por, praktikisht, deri më tash i parealizueshëm.

Ndërkohë, ligji i mirëfilltë dhe polici i drejtë në zbatimin e ligjit është ilaç për arsimimin e shoqërisë në mënyrë që njerëzit (fqinjët, kolegët në punë, në shkollë, në rrugë e gjetiu) të mësohen të jetojnë në bashkësi, në një vend që u takon të gjithëve e jo vetëm disave. Ligji dhe polici janë mënyra që shmangin që shoqëria, pra, njerëzit në mënyrë individuale e personale të marrin drejtësinë në duart e tyre e të kenë rolin e gjykatësit, prokurorit dhe policit.