LAJMI I FUNDIT:

Kandidimi i Bashës dhe Xhaferrit rikonfiguron Parlamentin dhe Qeverinë

Kandidimi i Bashës dhe Xhaferrit rikonfiguron Parlamentin dhe Qeverinë

Lulzim Basha dhe Fedinand Xhaferri janë dy kandidatët për bashkitë më të mëdha në vend, përkatësisht atë të Tiranës dhe Durrës, gjë që do të sjellë rikonfigurim të Qeverisë dhe të mazhorancës në Parlament.

E përditshmja Mapo raportoi të premten se Xhaferri është kandidati zyrtar i mazhorancës për Bashkinë e Durrësit, një garë në të cilën Xhaferri hynë për herë të dytë, dikur nën siglën e Partisë Demokrate të Reformuar, ndërsa tani nën siglën e PD.

Në bazë të Kodit Zgjedhor, si Basha ashtu dhe Xhaferri duhet të japin dorëheqjen deri në fund të këtij muaji për t’u regjistruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve si kandidatë të koalicionit qeverisës për zgjedhjet lokale të 8 majit.

Ndërkaq, e përditshmja Mapo bëri të ditur se po përfliten edhe emrat që do t’i zëvendësojnë Bashën dhe Xhaferrin në parlament e qeveri.


Kështu, në Parlament Basha pritet të zëvendësohet nga Aurel Bylykbashi, ndërsa Xhaferri nga Ndriçim Babasi. Në postet ministrore, deputetja Mesila Doda është emri më i lakuar për Ministrinë e Kulturës, ndërsa për portofolin e Ministrisë së Brendshme emrat janë Eduard Halimi, Ilir Rusmali dhe Viktor Gumi. /Telegrafi/