LAJMI I FUNDIT:

Kampionë të padiskutueshëm, e nuk përfaqësojnë Kosovën

Kampionë të padiskutueshëm, e nuk përfaqësojnë Kosovën

Pingpongu nuk është sport aq i popullarizuar në Kosovë, por talentet e këtij sporti nuk kanë munguar asnjëherë. Këtë e dëshmojnë Rrahman Ademaj e Milot Makolli, me ekipin e tyre Elting Kosova.

Kjo dyshe së fundmi ka arritur të shpallen kampion të Kosovës dhe njëkohësisht ta fitojnë kupën, pa humbur asnjë ndeshje të vetme. Madje, e tëra që kanë arritur të bëjnë kundërshtarët e tyre, ka qenë fitimi i tre gemave gjatë gjithë sezonit të sapopërfunduar, ku ata sërish dominuan skenën e lojës me topin e celuloidit. Për Makollin ky ishte një kampionat tjetër i fituar pa derdhur shumë djersë pasi që kualiteti i ekipeve tjera është larg cilësisë së tyre.

“Ne ishim bindshëm më të mirët. Gjatë tërë kampionatit kemi humbur vetëm tre geme, dy vetëm në lojën e fundit ndaj Prishtinës, në të cilën ishim paksa më të relaksuar pasi që kishim epërsi nga ndeshja e parë prej 3:0. Qëllimi ynë ndaj Prishtinës ka qenë që ta fitojmë të paktën një lojë e cila na mjaftonte që të shpallemi kampion prandaj si rezultat i kësaj kemi humbur dy geme” ka deklaruar Makolli për Zëri. Megjithatë, edhe pse për vite me radhë janë më të mirët e këtij sporti dhe pothuajse të pakonkurrencë, për çudi ata nuk janë pjesë e përfaqësueses së Kosovës në pingpong. Kjo për arsye të mosmarrëveshjeve ndërmjet klubit Elting Kosova dhe Federatës së Pingpongut, arsye të cilat tash e sa vite kanë pamundësuar që lojtarët më të mirë kosovarë ta përfaqësojnë shtetin tonë edhe në garat ndërkombëtare.

“Kjo nuk është e drejtë, të jesh më i miri e të mos jesh pjesë e përfaqësueses nuk ka askund në botë. Megjithatë ne do të vazhdojmë të fitojmë gjithqka e të tjerët le të shkojnë e humbin jashtë kufijve të Kosovës”, shtoi Makolli. Rrahman Ademaj, njëri ndër më të mirë në Kosovë është shprehur i lumtur me triumfin në kampionatin e sivjetmë dhe po ashtu ka shprehur gatishmërinë që në çdo moment që do t’i jepet rasti, të bëhet pjesë e përfaqësueses kosovare.


“Ne kemi fituar bindshëm kampionatin pa pësuar asnjë humbje të vetme. Kemi treguar edhe një herë se jemi ndër më të mirët e këtij sporti në vendin tonë. Sa i përket përfaqësueses edhe unë, edhe Miloti jemi të gatshëm t’i bashkangjitemi në çdo moment, nëse rregullohen padrejtësitë e bëra nga ana e federatës dhe mosmarrëveshjet me klubin” ka thënë për “Zërin” Ademaj.

Kujtojmë se Ademaj dhe Makolli janë kampionë të shumëfishtë në garat e Superligës së pingpongut kosovar. Dyshja ka më shumë se dy vjet që ka mbetur jashtë përfaqësueses së Kosovës, jo me dëshirën e tyre, por si viktima të mosmarrëveshjeve të thella të cilat aktualisht e ndajnë botën e pingpongut në Kosovë. /Zëri/Telegrafi/