LAJMI I FUNDIT:

Kah toka e premtuar

Shqiptarët e Kosovës po e braktisin vendin e tyre. Të dëshpëruar po mësyjnë drejt Perëndimit, atje ku i kanë orientuar shpresat për një të ardhme ma të mirë. Ata nuk zgjedhin mënyra dhe mjete për të ikë aty ku kanë projektuar tokën e premtuar.

Ky ishte një nga top-lajmet e këtyre ditëve me vapë në Prishtinë, ku degdisja e njeriut s’ka të ndalur nga politikat miope dhe papërgjegjësia e klasës politike që luan me të ardhmen e vendit.


Zbulimi i këtij lajmi nga media ishte një furtunë serioze për qeverinë, e cila, e kapur nga zagushia e një të vërtete që s’mund të fshehte, u mundua ta mbuloj Diellin me shoshë.

Siç ndodh shpesh në këso raste, reagimet e qeverisë janë të shpeshta, të rrufeshme dhe të zëshme. Mirëpo, përballë një realiteti tejet serioz, ato reagime u dukën tepër të qullta dhe të pështira. Për mua, sorollatjet dhe improvizimet e dobëta të qeverisë ishin rikonfirmim i faktit se kjo qeveri pak e qanë kokën për atë se çka ndodh vërtet me qytetarët e vendit që ajo udhëheq. Paraqitjet e njëpasnjëshme qeveritare, me arsyetime se azili s’është zgjidhje, se Kosova ka stabilitet politik etj., ishin përpjekje fëmijërore të një qeverie që kaherë e ka humb busullën e orientimit dhe po e drejton këtë vend kah humnera.

Kjo ikje masive e shqiptarëve drejt Perëndimit duhet lexuar dhe kuptuar si një dëshmi e fort se sa herë politika bën flirte me të ardhmen e shqiptarëve, sidomos me të ardhmen e tyre evropiane, populli edhe ma shumë e sforcon nevojën të jetë pjesë e kësaj familjeje. Me këtë, ata dëshmojnë identitetin e tyre evropian.

Në anën tjetër, opozita e fragmentuar, shpeshherë e pasinqertë, pa ide dhe e gjendur në mjegull, sillet dhe flet përçartë, përballë kësaj gjendje të mjerë dhe skajshmërisht dëshpëruese.

Në gjithë këtë debat, një gjë bën shumë përshtypje. Pse, askush s’e shpjegon faktin pse shqiptarët ikin masovikisht kah Perëndimi? A ju është grabitur atyre ëndrra për një Kosovë evropiane?

Për mua, këto mbesin pyetje thelbësore që kërkojnë përgjigje të shpejt dhe serioze nga ana e atyre që kanë përgjegjësi dhe atyre që duan të marrin përgjegjësi për këtë vend dhe të ardhmen e tij. E kam thënë dhe përsëritur disa herë: Kosova po e rrezikon të ardhmen evropaine, me flirtet e shpeshta që po bën me idetë dhe orientimet jo-evropiane, sidomos me Turqinë.

Është e vërtet se qeveria e Kosovës e ka gojën plotë integrime e Evropë. Në këtë kontekst, ajo që të lë një shije të hidhur është humnera mes diskursit evropian të politikës sonë dhe veprimeve të saja jo-evropiane. Kjo qeveri ka “nostalgji” për Perëndimin, mirëpo s’e ka të qartësuar brenda vetvetes çfarë është në fakt kjo organizatë. Këndej pari, ajo nuk zbaton në praktikë modelet evropiane për shtetin, demokracinë dhe qeverisjen. A është ky “refuzim” i butë? Qytetarët që marrin rrugën maleve dhe rrugëve ilegale, përgjatë gjithë vitit e shohin një klasë politike që e ka gojën plot Evropë, të mos bëj asgjë thelbësore për të ecur krahas Evropës.

Arsyet e atyre që marrin rrugën kah Perëndimi janë të ndryshme, mirëpo në esencë lidhen me një qëllim: ata kërkojnë lumturi dhe mirëqenie për ta dhe familjet e tyre. Pikërisht për këtë, Perëndimi për ta mbetet toka e premtuar, ku ata mund të realizojnë lumturinë që vendi tyre s’ju jep.

Shqiptarët ia kanë mësyrë Perëndimit dhe po refuzojnë pritjen e vizave dhe lumturisë që s’ju jep vendi i tyre për të cilin kanë sakrifikuar shumë. Ata shpresat për një jetë më të mirë tani i kanë larg vendit të tyre. Ata gjithmonë kanë qenë të bindur se Dielli për ta lind vetëm në Perëndim, prandaj kanë luftuar dhe duruar, duke pritur një Kosovë evropiane në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Diellin evropian shpeshherë ia kanë errësua politikat e ndyta dhe politikanët mendjeshkurtër. Ky marshim, në këtë mënyrë kah Perëndimi, është një refuzim për Kosovën orientale pa barazi dhe pa mirëqenie qytetare.

Përgjatë gjithë historisë sonë, flirtet me idetë jo-evropiane vetëm sa e kanë sforcuar dëshirën e shqiptarëve për qytetërim perëndimor. Për këtë arsye, ata mësyjnë malet, rrezikojnë jetën e tyre, sepse janë të bindur se atje lind Dielli për ta. Ata kanë edhe rrugë tjera, por s’i preferojnë ato. Madje, ata mund të mësyjnë edhe të vëllezërit e politikanëve tanë, të cilëve ju falën një pjesë të ekonomisë së Kosovës, por s’e duan atë rrugë.

Këto emigrime masive, në kohën kur kemi lirinë dhe shtetin tonë, janë një sinjal i fuqishëm që duhet të na forcojnë, t’i rrekemi punës, të gjithë bashkë, ta bëjmë Kosovën si krejt Evropa. Shqiptarët s’ndjehen askund mirë, përveç se në shtratin e tyre të natyrshëm. Thjesht, ky është identiteti i tyre, identiteti evropian i shqiptarëve,që po ju shartohet padrejtësisht nga disa parti dhe politikanë mendjeshkurtër.

Sa herë ka ndodhur që politika e ka errësua ëndrrën evropiane të shqiptarëve, ajo u tregua më e fort, më rezistuese dhe më këmbëngulëse dhe ka shpërthyer me vrullin e saj që ka gjetur burimin të populli.

Qeveria dhe opozita në vend duhet të jenë të sigurt se vetëm një gjë e ndal këtë kërkesë të kosovareve që ikin maleve drejt një toke të premtuar, e ajo është përmbushja e plot ëndrrës së shqiptarëve, për Kosovën evropiane, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës.

Qytetarët e Kosovës e kanë ndjerë se iu është grabitur ëndrra për një jetë më të mirë, me dinjitet dhe prosperitet në vendin e tyre. Për këtë, ata duan shtegtim kah toka e premtuar.

Mos përkushtimi i sinqertë për kauzën evropiane, apo thënë ndryshe ikja nga Evropa, historikisht na ka shkaktuar vetëm katrahura dhe degdisje. Kjo ikje e shqiptarëve kah Perëndimi, është një tip i refuzimit estetik ndaj Kosovës orientale.

Një qeveri, e cila u kërkon shqiptarëve t’ua ndërroj historinë, në favor të një identiteti fetar me shenja osmane, s’ka sesi të jetë evropiane. Një qeveri e cila s’ka përgjigje ndaj atyre që përbaltin figurat e kombit, siç janë rastet e shumta me Gjergj Kastriotin, Nënë Terezën, Idriz Seferin e shumë të tjerë, s’ka identitet evropian. Një qeveri, e cila s’është në gjendje t’i mbroj femrat shqiptare, kur ato përbuzën në mënyrë idioteske, s’ka sesi të jetë evropiane. Një qeveri e cila brenda vetës ka figura politike që e luftojnë laicitetin e shtetit, është një qeveri që s’ka qëndrim të qartë për shtetin laik. Për ma tepër, një qeveri që koncentron ekonominë të një kastë kusarësh, që fal ekonominë “vëllezërve turq”, s’ka sesi të krijojë mirëqenie dhe jetë të dinjitetshme për qytetarët e vet.

Në këtë kohë, t’ju thonë qytetarëve mos ikni, në kohën kur degdisja dhe përbaltja e qytetarëve shqiptarë është në kulmin e padurueshëm, është vetëm tallje me qytetarët e rraskapitur.