LAJMI I FUNDIT:

Kadare nderohet me çmimin ‘Jeronim De Rada’

Kadare nderohet me çmimin ‘Jeronim De Rada’

Shkrimtari i madh i letrave shqipe, Ismail Kadare është nderuar në Tiranë me çmimin special “Jeronim De Rada”.

Çmimi iu dorëzua nga ambasadori italian, Masimo Gajani, në ditën e katërt të “Panairit të Librit 2014”.

Ky çmim erdhi këtë vit për të kujtuar veprën letrare të poetit të madh Jeronim De Rada në 200 vjetorin e lindjes së tij.

Shkrimtari Kadare u shpreh se ndihej i nderuar dhe i prekur për çmimin e marrë, duke vlerësuar figurën e De Radës si gjeniun e parë të Rilindjes dhe profet i të ardhmes së Shqipërisë.


“Të dashur lexues, unë jam i gëzuar dhe jam i nderuar edhe i prekur për këtë çmim që mban emrin e gjeniut të parë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, poetit që e ndihmoi të lindte Rilindja, që u bë paraardhësi i asaj drite të madhe që zbuloi në atë kohë Shqipërinë, kur në fakt ajo ishte në muzgun e saj. Kam kënaqësinë pra të marr çmimin që mban emrin e këtij gjeniu i cili riktheu letërsinë shqipe në orientimin e saj evropian që ajo ishte duke e humbur. Pra, ky ishte poeti i madh gjeniu i letrave dhe një profet i të ardhmes së Shqipërisë”, është shprehur Kadare, transmeton Kosovapress.

Ismail Kadare nuk harroi të shprehte edhe vlerësimin e tij për Italinë, si një vend mik prej shekujsh që nga koha e poetit të madh, Jeronim de Rada, kohë kur arbëreshët e ikur në Itali jo vetëm që u ndjenë si në atdheun e tyre por qenë të lirë të bënin art e ta trashëgonin ndër shekuj deri në ditët e sotme.

Për dy orë me radhë shkrimtari Kadare është rrethuar nga qindra lexues të librave të tij që e uruan për çmimin dhe kërkonin të merrnin një autograf si kujtim prej tij.

Panairi i librit këtë të shtunë priti qindra vizitorë nga gjithë Shqipëria. Si asnjë ditë më parë nuk ishin parë kaq shumë njerëz që blinin libra në Panair. Nesër është dita e fundit e Panairit 2014, kur pritet të bëhet edhe një bilanc nga ana e organizatorëve mbi numrin e vizitorëve dhe librave të shitur këtë vit.

Deri më tani rezultojnë si librat më të shitur romani “Mjegullat e Tiranës” e Ismail Kadaresë dhe ‘Ahmet Zogu’, i Blendi Fevziut. /Telegrafi/