Ka panik të madh për TikTok-un dhe kjo mund ta përshpejtojë fundin e internetit që ne njohim

Nga: Emily Taylor / The Guardian
Përkthimi: Agron Shala / Telegrafi.com
Shefi ekzekutiv i TikTok-ut, Shou Zi Chew, gjatë marrjes në pyetje – për pesë orë nga Kongresi amerikan – zbuloi atë që Huawei mund t’ia kishte thënë gjatë gjithë kohës: të jesh në pronësi të një kompanie kineze, kjo është gjë e keqe për biznesin.
Në fakt, gjatë gjithë kohës paniku për TikTok-un është goxha shumë si ai për Huawei-n dhe 5G-në. Rreziqet e sigurisë dhe të privatësisë janë të mundshme, por kryesisht pa prova. Ajo që bëhet fjalë, në të vërtetë, është besimi, tregtia dhe gjeopolitika.
Seancat dëgjimore në ShBA u zhvilluan në kohën kur Mbretëria e Bashkuar e zgjati ndalesën e saj për TikTok-un në asetet parlamentare, pasi fillimisht e ndaloi aplikacionin nga telefonat e punës të zyrtarëve të qeverisë qendrore. Kanadaja, BE-ja dhe disa shtete anëtare i kanë zbatuar ndalimet e pjesshme.
Megjithatë, në vend që ta shohin këtë moment si mundësi për të analizuar se pse shoqëritë demokratike i kanë lejuar kompanitë e teknologjisë që ta bëjnë mbledhjen e përhapur të të dhënave dhe monitorimin e standardeve, politikëbërësit po nxitojnë dhe ka të ngjarë – përmes ndalimeve që janë të pakëndshme për traditën liberale demokratike – ta përshpejtojnë fragmentimin e Internetit.
TikTok-u fiton para duke i mbledhur të dhënat për përdoruesit e vet dhe duke i ushqyer ata pikërisht me atë për çfarë ata janë profilizuar të reagojnë, përfshirë mallrat dhe shërbimet e reklamuesve. Ky është modeli i biznesit – i çdo platforme të mediave sociale pa pagesë – dhe TikTok-u është sidomos i mirë me këtë. Gati 70 për qind e adoleshentëve amerikanë e përdorin aplikacionin, ndërsa vetëm 30 për qind e të njëjtës grupmoshë e përdorin Facebook-un. Sipas disa vlerësimeve, të rinjtë e hapin aplikacionin deri në 19 herë në ditë.
Politika e privatësisë – prej pesë mijë fjalëve – e kompanisë, përcakton me detaje të zymta se sa të dhëna janë mbledhur: në thelb, gjithçka. Kushtet janë gjithashtu të qarta në lidhje me përdorimin e atyre të dhënave për të personalizuar dhe përshtatur kontentin, për t’i përmbushur blerjet, për t’i personalizuar reklamat dhe për ta matur efektivitetin e tyre.
Por, modeli i biznesit që TikTok-u e ndan me rivalët amerikanë, nuk duket se i shqetëson aq shumë politikëbërësit. Shqetësimet e tyre janë se me kë ndahen këto të dhëna. Kompania mëmë e TikTok-ut, ByteDance, është kineze – dhe shqetësimet për sigurinë janë reale. Ekziston një sundim i dobët i ligjit në Kinë, ka shqetësime për të drejtat e njeriut në lidhje me shtypjen e myslimanëve ujgurë dhe për përdorimin e teknologjisë për të zbatuar konformitetin social dhe politik për të menduarit. Ekzistojnë gjithashtu shqetësime për ligjet e sigurisë kombëtare, të cilat i detyrojnë kompanitë t’i ndajnë të dhënat me qeverinë. Vendosini së bashku të gjitha të dhënat, përfshirë pajisjen, vendndodhjen, adresën IP, përmbajtjen e shikuar, kohëzgjatjen dhe shpeshtësinë e përdorimit, pastaj angazhimin me përdoruesit e tjerë dhe një shtet autoritar, dhe e keni një përzierje djegëse.
Gjithashtu, nuk mund t’i harrojmë mësimet e nxjerra nga zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në ShBA dhe referendumin e Brexit-it, të cilat tregojnë se akterët armiqësorë munden dhe i manipulojnë algoritmet e dizajnuara për reklama dhe i përmbysin ato për qëllime politike. Me TikTok-un, ku popullata e përdoruesve është e re dhe e ndjeshme ndaj shfrytëzimit dhe manipulimit (qoftë ndaj terrorizmit, radikalizimit politik apo ankthit të dëmshëm për imazhin e trupit), këto rreziqe janë akute.
Derisa ndalimet rriten, TikTok-u ka nxituar t’i zbatojë masat e ndërtimit të besimit. Duken bindëse detajet e iniciativave si Project Clover në BE dhe Project Texas në ShBA. Të dhënat e përdoruesve do të mbahen në vend, në BE ose në ShBA, praktikat e të dhënave do të verifikohen nga palët e treta të besuara – si Oracle në ShBA – dhe do të ketë një kufi për t’i paracaktuar 60 minutat para ekranit për të rinjtë.
Por, ashtu si me Huawei-n, kjo nuk do të jetë e mjaftueshme, sepse kjo nuk ka të bëjë kurrë me detajet. Siç u bë e qartë nga pyetja agresive e Kongresit ndaj CEO-s të TikTok-ut, ku ai shpesh ndërpritej dhe tentohej të bindej, politikëbërësit amerikanë nuk mendojnë se kanë nevojë për më shumë informacione. Ata duan ta komunikojnë mosbesimin e tyre ndaj Kinës, në kontekstin e përkeqësimit të tensioneve gjeopolitike dhe ekonomike.
Ky është një lajm i keq për internetin. Në vitet e para, infrastruktura e përbashkët fizike dhe arkitektura e lehtë digjitale ndërvepruese u ndien si një e mirë e përbashkët publike. Të gjithë, pavarësisht nga dallimet e tyre politike, kishin interes të hynin në internet.
Sot, shtyllat e gjeopolitikës shtrihen në shtresat më të thella të arkitekturës teknike, nga kabllot nënujore te gjysmëpërçuesit, e deri te standardet teknike në zhvillim. Kina dhe kompanitë kineze, përfshirë Huawei-n, madje kanë paraqitur propozime – në organet e standardeve teknike – që do ta ndryshonin rrënjësisht arkitekturën e internetit, duke e fragmentuar strukturën e tij të përbashkët.
Kjo mund të mos jetë befasuese kur kemi parasysh qëndrimin e Kinës ndaj rrjedhës së lirë të të dhënave; ajo që është më shqetësuese është t’i shohësh demokracitë e përparuara – të cilat supozohej se do ta mbanin flamurin e internetit të vetëm global – të kontribuojnë në të njëjtën tendencë fragmentare. Ndalimi i TikTok-ut do të ishte lehtësim për disa nga rivalët e tij në ShBA, duke ua ofruar atyre një dritare të çmuar për ta përmirësuar lojën e vet me brezat e rinj. Por, ndikimi kushtetues i një ndalimi është ai që duhet të jetë shqetësues në vendin e amendamentit të parë.
Derisa po rritet popullariteti i TikTok-ut midis të rinjve, politika e lartë e debatit aktual i margjinalizon shqetësimet e vërteta – për varësinë, ndikimin në shëndetin mendor dhe për imazhin e trupit – të atij segmenti më të cenueshëm të shoqërive tona.
Demokracitë e përparuara kanë mundësi për të pasur një debat të matur se si të mbahet së bashku interneti global, duke i respektuar dallimet politike, duke e mbrojtur shprehjen e lirë dhe duke i mbështetur më të cenuarit. Në vend të kësaj, përfitimet e pabesueshme të arkitekturës sonë të përbashkët digjitale po fshihen nga përgjigjet e pamenduara dhe automatike ndaj rritjes ekonomike dhe politike të Kinës. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë
E zgjodhi për ta rikthyer në lojë, G Bani tani ndërron mendim për Gjestin - e quan lojtar të shkëlqyer

FSK në vendin e 141-të, publikohet indeksi i fuqive ushtarake në botë

Përplasje e ashpër mes Eglit dhe Gjestit: Mos më ndiq nga pas, po më luan

Rregullat e reja të qirasë së plazheve godasin rëndë Ulqinin

Britania e Madhe do të shpallë paketën më të madhe të sanksioneve kundër Rusisë

Gerta për Eglin: E nxori Xumin për këtë gjë dhe e bën vetë, Aldo: Duhet të qeshësh sa herë flet për moral

104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?

Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!

Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?

Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!

25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Më të lexuarat

Livia eliminohet nga Big Brother VIP Albania

Muhamet Dragusha zbulon klubin që ia ndërtoi shtëpinë

Si përfundoi në fajde furrtari nga Prizreni?

Analistët: LVV-ja synon të “peshkojë” deputetë opozitarë për formimin e qeverisë

Paradoksale: Në Dragash mbi 240 vota për partitë serbe, edhe pse atje nuk ka serbë

Palestinezi që ka qëndruar më së gjati në burg, izraelitët pritet ta lirojnë