LAJMI I FUNDIT:

Joe Biden dhe çlirimi i dytë i Kosovës

Joe Biden dhe çlirimi i dytë i Kosovës
Ilustrim

Presidenca e drejtuesit të sotëm të vendit demokratik më të madh e të fuqishëm në botë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, do të jetë pa dyshim çlirimi i dytë i Kosovës.

Po pse?


Jo vetëm dhe thjesht për letrën që me rastin e urimeve për Ditën e Shtetësisë të Serbisë më 15 shkurt 2021, Joe Bajden i dërgoi presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç. Edhe pse në të Biden i ka kërkuar zyrtarisht Vuçiqit që të njohë Kosovën si një shtet sovran dhe të pavarur. “Ju inkurajojmë të vazhdoni të ndërmerrni hapa të vështirë për të arritur atë qëllim përfshirë realizimin reformave të nevojshme dhe arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Kosovën, e cila përqendrohet në njohjen e ndërsjelltë”, shprehet Biden në këtë letër. Ai do të shkojë shumë më tepër se inkurajimet, për fat të keq parazitare (deri tani), të përfaqësuesve të Bashkimit Evropian.

Në dekadën e fundit, qëkur nisi përpjekja e BE-së në vitin 2011, diplomacia evropianoperëndimore nuk është shtyrë kurrë më tepër se sa të kërkojë normalizimin e marrëdhënieve dhe arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse mes Serbisë dhe Kosovës. Evropa e Bashkuar është e përçarë, kur bëhet fjalë për marrëdhëniet Serbi-Kosovë. Pesë shtete të saj: Spanja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Qipro nuk e njohin Kosovën. Bashkimi Evropian nuk ka fuqi të ndikojë shumë mbi Serbinë, pavarësisht interesit të kësaj të fundit për të përfituar nga anëtarësimi i plotë në BE. Serbia ka investimet ruse dhe kineze. Kështu që edhe kushti i panegociushëm për të përshpejtuar procesin e integrimit BE-Serbi tashmë ka ndryshuar. Nuk është më njohja e shtetit të Kosovës nga Serbia, por vetëm normalizimi i marrëdhënieve mes këtyre dy shteteve të Ballkanit. Kurse politika dhe ndikimi i ShBA-ve mbi Ballkan është një përmasë tjetër. Shumë më e fuqishme.

Presidenti i sotme amerikan Joe Biden, mund të quhet përfundimisht një luftëtar i pavarësisë së Kosovës.

Po pse?

Jo më larg se gjashtë muaj më parë, në fund të korrikut 2020, në një bisedë me gazetarët, i pyetur për perspektivën e 15 marrëveshjeve ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë, të negociuara nga administrata e ish-presidentit Trump, Joe Biden, atëherë kandidat për president, u shpreh se “Ajo që kam argumentuar, në lidhje me Serbinë dhe Kosovën, është se Kosova duhet të jetë një vend i pavarur dhe jo pjesë e Serbisë. Kam kaluar shumë kohë atje… Ma merr mendja, nisur nga çfarë është folur, se ajo [marrëveshja] do të forcojë pavarësinë e Kosovës.” Tre muaj më vonë, në fillim të tetorit 2020, komuniteti shqiptar në ShBA i dërgoi një letër shtabit të fushatës së kandidatit për President të Partisë Demokratike Amerikane, Joe Biden, ku i kërkonte pozicionin e tij në lidhje me çështjen shqiptare. Më 17 tetor 2020, gazeta “Illyria” e komunitetit shqiptar në ShBA publikoi letrën e përgjigjes së Shtabit të Fushatës së Bidenit. Në letër theksohej se “ Zëvendëspresidenti Biden është një mik i vjetër i Shqipërisë dhe Kosovës dhe komunitetit shqiptaro-amerikan. Si president ai do të vazhdojë të mbështesë sigurinë e Shqipërisë dhe zhvillimin demokratik dhe ekonomik në rajon. Biden e kupton rolin e rëndësishëm të luajtur nga NATO dhe kërcënimet ndaj rajonit të paraqitura nga Rusia”.

Po çfarë ka bërë Biden deri tani për Kosovën?

Si senator i Senatit Amerikan, ai ishte një zë i shquar në Kongresin e ShBA-ve, duke e kundërshtuar fort agresionin e Millosheviqit ndaj Kosovës. Ai mbrojti fort interesat e Kosovës, në një kohë kur vëmendja e mbarë botës ishte diku tjetër. Veton Surroi, ky personalitet i Kosovës dhe negociator i pavarësisë së saj, u shpreh në Rambuje më 1999 për Bidenin se “Ai ishte personi që ne duhej të kontaktonim në Uashington që në fillim të viteve 1990“. Ishte Biden ai që përgatiti dhe prezantoi Rezolutën e Kongresit Amerikan të vitit 1999, që autorizoi presidentin Clinton “të kryejë operacione ajrore ushtarake dhe sulme raketore kundër Republikës Federale të Jugosllavisë (Serbi dhe Mal i Zi)“. Biden mobilizoi mbështetje për fushatën ajrore të NATO-s dhe për përgjigjen humanitare ndaj spastrimit masiv etnik të Millosheviqit ndaj kosovarëve. Biden mbështeti dhe e ka mbrojtur me vendosmëri pavarësinë e Republikës së Kosovës, duke e cilësuar atë të pakthyeshme dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Biden ka kërkuar drejtësi për krimet e luftës në Kosovë, duke përfshirë një llogari të plotë të personave të zhdukur. Ai e ka shtyrë vazhdimisht presidentin serb Vuçiq të ndihmojë në marrjen e informacionet ndaj personave të zhdukur kosovarë në Serbi, si dhe ka kërkuar vazhdimisht nga udhëheqësit politikë të rajonit që të luftojnë korrupsionin. Biden e ka mbajtur të lartë interesin dhe përfshirjen e ShBA-ve në Kosovë, duke e vizituar atë dy herë si zëvendëspresident.

Më tej, në letrën drejtuar Komunitetit shqiptar ne ShBA, Shtabi i Fushatës se Bidenit shprehej se ”Biden dhe Harris angazhohen që të ndryshojnë qëndrimin e çekuilibruar të administratës se Trump ndaj Kosovës dhe Serbisë, duke rivendosur drejtësinë dhe barazinë në marrëdhëniet mes këtyre dy vendeve dhe duke punuar drejt një bashkëpunimi më të madh. Biden do të punojë në partneritet me Bashkimin Evropian për të ringjallur dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me qëllim të lehtësimit të një zgjidhjeje stabilizuese, të drejtë dhe gjithëpërfshirëse midis dy vendeve, e cila respekton integritetin territorial të Kosovës dhe arrin njohjen e plotë të ndërsjelltë”.

Hapi i parë u hodh me letrën e Biden drejtuar Presidentit serb Vuçiq. Hapa të tjerë do të vijojnë. Çlirimi i dytë i Kosovës, nëpërmjet njohjes së plotë (vetëm kjo sjell normalizimin e sinqertë të raporteve mes të dyja vendeve) të saj nga Serbia, duket tashmë qartë se është në agjendën e punëve ndërkombëtare të presidentit të ri të ShBA-ve.