LAJMI I FUNDIT:

Jo ndarje, por ripërkufizim kufijsh

“Timeo danaos et dona ferentes”- (I kam frikë grekët edhe kur të bëjnë dhurata). Fjalët e urta të plakut trojan Laokonti.

Gjendja e rëndë e krijuar politike dhe e sigurisë në pjesën veriore të Kosovës, sidomos pas dislokimit të doganierëve dhe policëve të Kosovës në pikat kufitare Bërnjak dhe Jarinje dhe kundërshtimit të serbëve lokal ndaj autoriteteve të Kosovës paraqet sfidën më të vështirë gjatë kësaj kohe, si për politikën e Kosovës, asaj kombëtare, por edhe politikës ndërkombëtare.

Ky rajon i banuar kryesisht me popullsi serbe është lënë pas dore për 12 vjet dhe gjatë kësaj kohe është shndërruar në oazë të joligjshmërisë, krimit, përfitimeve kontrabanduese dhe allishverisheve të ndryshme duke qëndruar në duart e grupeve të ndryshme kriminale serbe, por jo vetëm të tillë, të cilat njëkohësisht janë duke u përdorur nga patronët e tyre politik, si në Beograd, Prishtinë, por edhe nga disa patronë ndërkombëtar për përfitimeve të tyre personale dhe asgjë më shumë.


Tani, kur kemi përpjekjet e autoriteteve të Kosovës për shtrirje të autoritetit të saj në këtë pjesë të vendit kjo punë po kundërshtohet në radhë të parë nga këto grupe kriminale të “lejuara më parë” nga bashkësia ndërkombëtare dhe Prishtina, por edhe të mbështetura nga Beogradi me të gjitha format.

Padyshim, se rrënjët e këtij problemi janë më të hershme, që nga periudha e pasluftës së Dytë Botërore, atëherë kur komunistët jugosllavë kishin përkufizuar kufijtë e Kosovës duke ndarë tri komunat e banuara me shqiptarë të Luginës së Preshevës me dy komunat e pjesës veriore të Kosovës, Leposaviqin dhe Zubin Potokun për hesape të tyre politike.

Duke mos u marrë më shumë me gjenezën e këtij problemi, tani faktet flasin se pas aksionit të fundit të autoriteteve të Kosovës dhe krijimit të gjendjes kaotike nga serbët lokal kemi një pat pozicion politik, i cili kërkon zgjidhje duke e përdorur zgjuarsinë dhe duke menaxhuar me kokë të ftohur, në radhë të parë për t’i ikur eskalimit të mëtutjeshëm të gjendjes dhe krijimit të një konflikti të ri, i cili do të kishte pasoja të mëdha, si për Kosovën, por edhe për rajonin.

Tashmë, kur botërisht kemi të njohur synimet e Beogradit, i cili haptas kërkon ndarjen e këtij rajoni dhe bashkëngjitjes së shtetit serb, politikë e cila është trumbetuar një kohë të gjatë duke filluar nga kreu i këtij shteti Boris Tadiq dhe pionët e tij të mëposhtëm.

Qëndrimi i bashkësisë ndërkombëtare është se nuk ka ndryshim kufijsh për shkak të interesave të tyre gjeopolitike dhe kjo iu është bërë e qartë palëve në konflikt.

Ndërsa, në këtë lojë politika e Prishtinës dhe Tiranës është në kursin e “amenit” të politikës ndërkombëtare, e cila jo shpeshherë ka qenë në interes të zgjidhjes së drejtë të çështjes shqiptare. Me këtë rast, pasiviteti i Prishtinës dhe Tiranës karshi iniciativave serioze dhe të guximshme kombëtare pa masë po neglizhon zgjidhjen e duhur dhe të drejtë të çështjes kombëtare në rajon. Zgjidhjet parciale nuk janë formula që duhet mbështetur, sepse këto humbin kohë, si në zhvillimet e mëtutjeshme integruese ndërshqiptare, por edhe më gjerë.

Beogradi në fund e pranon se ka mbajtur tokën e huaj nën sundimin e tij dhe tani kërkon rikufizim kufijsh. Ky opsion është i njohur që moti nga serbët, por tashmë kur kemi të ashtuquajturin dialog teknik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, si dhe gjendjes së rëndë në veri të vendit këtë ndarje e kërkon pareshtur politika zyrtare në Serbi duke shpresuar se do të ketë sukses.

Kohë më parë, presidenti serb Tadiq gazetës gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”-ut i kishte deklaruar se “Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë është një nga zgjidhjet e mundshme për t’i dhënë fund konfliktit në Ballkan, me kusht që Serbia të marrë një pjesë të territorit të Kosovës”. Ai kishte shtuar se kushdo që di ta lexojë historinë e di se krijimi i “Shqipërisë së Madhe” është një projekt afatgjatë politik i shqiptarëve. Pavarësisht nga qëllimet e tij që fshihen prapa kësaj thënie, ky është një moment i ri në marrëdhëniet shqiptaro-serbe dhe kërkon një analizë më të hollë.

Pavarësisht këtij momenti të ri politik, marrëdhënieve shqiptaro-serbe janë më të ndërlikuara në rajon dhe ato më së miri i ilustron thënia e plakut trojan Laokonti: “Timeo danaos et dona ferentes” – I kam frikë grekët edhe kur bëjnë dhurata. Përvoja shumë e hidhur me serbët ka mësuar se prapa opsioneve të ndryshme serbe qëndron shpata e Demokleut. Andaj, me plotë mend, çdo ide që projekton Beogradi apriori nga politikanët shqiptarë hedhet poshtë.

Por, me që Serbia pas luftës së vitit 1999 nuk është më ajo që do të mundë të përcaktojë rregulla në arenën ndërkombëtare dhe shqiptarët nuk janë më të pafuqishëm dhe të pafaktorizuar, andaj elita politike, si në Prishtinë dhe Tiranë duhet të largohet nga paragjykimet e tyre ndaj së kaluarës, të mos ketë frikë, të shtrëngojë veten dhe të marrë guximin që nga Beogradi të kërkojë zgjidhjen e duhur. Politikanët shqiptarë nuk duhet të presin sinjale nga askush, por për punën e tyre të mendojnë vetë me kokën e tyre, edhe pse ndoshta në këtë kohë do të dalin disa vështirësi, por do të jenë të tejkalueshme.

Një thënie popullit thotë se veprat e mëdha bëhen në kohë të vështirë, andaj kjo kohë duhet të shfrytëzohet që njëherë e përgjithmonë të zgjidhet problemi ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve.

Qëndrimet e politikanëve tanë se BE-ja dhe SHBA-ja janë kundër ndryshimit të kufijve nuk qëndron, sepse ata mbajnë qëndrime konformë zhvillimeve pragmatike në terren. Kjo më së mirë është treguar me shkatërrimin e ish-Jugosllavisë, të cilët deklaronin se nuk ka ndërrim kufijsh, ndërsa në realitet kishte ndodhur diç tjetër.

Ideja e akademik Rexhep Qoses është opsioni më realist dhe më pragmatik për kontestin politik të kohës së tanishme të zgjidhjes së problemit shqiptarë. Ripërkufizimi i kufijve me Serbinë dhe zhvendosja humane e popullatës do të ishte zgjidhja e duhur dhe më pak e dhimbshme. Kjo zhvendosje nuk është e panjohur gjatë së kaluarës, sidomos zhvendosja e popullsisë greke dhe turke në Qipro, apo në vetë ish-Jugosllavinë pas luftës së Dytë Botërore me “dëbimin” e rreth 500 mijë gjermanëve (folkdojçëve) nga Vojvodina dhe popullzimi i tyre me serbë dhe malazezë.

Ripërkufizimi i kufijve duke i dhënë Serbisë dy komunat veriore të Kosovës, Leposaviqin dhe Zubin Potokun në këmbim të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës do të ishte një zgjidhje më balancuese, si për Prishtinën dhe Beogradin, sepse kjo do të mundësonte në radhë të parë vërtet një pajtim historik në mes dy popujve, do të zvogëlonte barrierat e së kaluarës së hidhur ndërmjet tyre. Në anën tjetër do të hapet perspektiva e shtetit të Kosovës, integrimin e tij me shqiptarët e rajonit si dhe integrimet euro-atlantike. Më pastaj, kjo do të ndikonte në një zhvillim më të hovshëm në të gjitha sferat e jetës duke krijuar një standard më të lartë për të gjithë qytetarët e saj pa marrë parasysh racën, etninë, apo fenë e tyre në këto hapësira. Prandaj, nuk duhet lëshuar këtë rast, sepse fituesit më të mëdhenj të këtij kontesti shqiptaro-serb do të jenë pikërisht këta dy popuj, të cilët do të jetojnë në paqe dhe komshillëk të mirë.

Në trend

Më shumë

"Ku ke qenë në luftën e Kosovës, çfarë ke bërë në 99' për vendin budalla", G Bani i drejtohet me fjalë të ashpra Gjestit pas përjashtimit të Jozit

Magazina
Leonora Jakupi eskalon ndaj Jozi Markut: O i pa fe, o fëlliqësirë - e nderove babain tënd që ka qenë pjesë e UÇK-së

Leonora Jakupi eskalon ndaj Jozi Markut: O i pa fe, o fëlliqësirë - e nderove babain tënd që ka qenë pjesë e UÇK-së

Magazina

"Kosovë e Adem Jasharit ta puthsha plagën" - Jozi del me një video dhe reagon pas kritikave: Ndjej detyrim ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe familjes së Gjestit

Magazina
Mandl: Serbisë nuk i besohet, njohja e Kosovës është e vetmja marrëveshje përfundimtare

Mandl: Serbisë nuk i besohet, njohja e Kosovës është e vetmja marrëveshje përfundimtare

Lajme
Gjendet i vdekur personi që ishte raportuar i zhdukur në Ferizaj, arrestohet një i dyshuar për vrasjen e tij

Gjendet i vdekur personi që ishte raportuar i zhdukur në Ferizaj, arrestohet një i dyshuar për vrasjen e tij

Kronika e Zezë
Rast i rëndë në Gjermani - nëna dyshohet se vrau dy djemtë e saj, pastaj edhe veten

Rast i rëndë në Gjermani - nëna dyshohet se vrau dy djemtë e saj, pastaj edhe veten

Evropa
Kalo në kategori