LAJMI I FUNDIT:

Jetë në kuti shkrepësesh…

Si ishte puna e sjelljes së dhuratave nga Zvicra të 4 shkrepëseve në një kuti, si humbi kjo modë dhe na dolën shkrepëset ”moderne” pa etiketë diçka si Made in China në kohën e xhaxhit…Përse këto shkrepëse na duhen për ti shikuar pacientët në kokë në spitalet tona legjendare rreth e rreth Arbnisë. Si po jetojmë jetë në kuti shkrepësesh, e përralla thotë ndryshe…

Fatos Kongoli shkrimtari ynë i njohur ka një titull metaforik romani ”Jetë në kuti shkrepësesh”,më duket vetëm një metaforë interesante, huazim për simbolikën e shkrepëses së shqiptarit…Njeriu me shkrepës frikësohet nga nata dhe dëshiron të ndriçojë rrugën, rrugën pa dritë, ama shkrepësja e shqiptarit është model unikat në këtë botë moderne që ecë me shpejtësi dhe që do ta kujtonte me mall, nostalgji dhe shaka shkrepësen e shqiptarit…


Made in France…

Kur vinë mërgimtarët nga toka helvetike sjellin një kuti shkrepësesh, janë 4 shkrepëse zakonisht të vendosura në një kuti që djemtë e ri ia sjellin gjyshit për të dredhë ndonjë cigare duhan në odë të burrave, pa një pa dy të tregojnë çmimin në raste të zakonshme për të treguar superioritetin e shkrepëseve model unikat nga Franca. Breza të tërë shqiptarësh kanë sjellë të njëjtat shkrepëse në atdhe të shoqëruara me ”Marlboro light”…
Por një ditë nuk u shkëput tradita por u zbeh funksioni i shkrepëseve të sjella nga Zvicra dhe të prodhuara në Francë. Një hënë e errët doli në sipërfaqe të dheut do të thoshte ironikisht Kadare dhe ua lëshoj rrugën shkrepëseve të vetme funksionale në atdheun e shqipeve.

Made in China…

Shkrepëset që janë aktuale në atdheun tonë të dashur dhe të brengosur nuk kanë etiketë prodhimi duket se janë të prodhuara në ndonjë bodrum të errët pasi kanë një dritë në fund që i duhet shumë shqiptarit ama duken se janë të prodhuara në Kinë me shumicë dhe me çmim të lirë, pasi nuk mund ti thuash si djemtë e tokës helvetike se kaq është çmimi i tyre, duket se janë të prodhuara nga një dashuri e madhe dhe marramendëse si në epokën e komunizmit ku xhaxhi nuk do të lejonte prodhimin francez sepse popullit i duhet drita sepse është aktiv në punën e përditshme për të mirën e Republikës e cila po ”ndriçonte nëpër natë”…

I kemi vënë re në çdo cep të atdheut shkrepëset me një dritë në fund ndoshta shkrepëset më unikate në historinë moderne të teknikës dhe teknologjisë. Pleqtë që rrinë nëpër oda të burrave (sado të rrallë…) i kanë harruar shkrepëset që i sjellin djemtë nga Helvetia, këto që duken si model kinez u duken më ekonomike dhe logjike si thonë ata në këtë kohë këto shkrepëse s’kanë të paguar…

Jetë në kuti shkrepësesh…

Meselja e tregimit o burra të dheut është se ne jetojmë në kuti shkrepësesh, ky model ” barbar ” i shkrepëseve që i ka secili shqiptar dhe secila familje na duhen për të shkuar në tualet sepse Republika nuk po përparon që të ketë dritë të mjaftueshme për njeriun e saj. Këto shkrepëse u duhen shumë të sëmurëve në spitalet tona legjendare (Spitalet në Arbni nuk shërojnë njerëz…?!), po ashtu u hyjnë në punë të afërmve të pacientëve të shtruar për të ua lëshuar dritën në kokë që të hetojnë në errësirë se ku janë ata tipa që pinë barna të stërshitura! U hyjnë në punë jashtëzakonisht shumë bujqve dhe punëtorëve ( të pakët) për të shikuar mekanizmin përballë që të mos e këpusin dorën,na duhen të gjithëve për të gjetur cigaret nëpër dhomë kur ndalet rryma dhe për të shkuar që të ndezim gjeneratorin me cigaren ndezur…

Kështu kotet në gjumë Republika jonë , krenare me zbulimin unikat shkrepëset e rralla pa etiketë prodhimi që duken si kineze të prodhuara në kohën e xhaxhit ( se puna është se Kina është fuqia e dytë ekonomike në botë),jetojmë pra në kuti shkrepësesh…

Ndoshta vetëm jam mahitur pak, se punët qëndrojnë shumë bukur si në Helvetinë e djemve me shkrepëse Made in France, apo jo burra të dheut…Besa koha është e shkurtër e do të bëhet më mirë?!…
Derisa të bëhet më mirë vazhdojmë ti kërkojmë me shkrepës në kokë në spitalet e Arbnisë pacientët që pinë barna të stërshitura në spitale legjendare dhe vazhdojmë të jetojmë në kuti shkrepësesh…