LAJMI I FUNDIT:

Java e Bibliotekës në Kosovë

Java e Bibliotekës në Kosovë

Në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës u hap solemnisht edicioni i tetë i "Javës së Bibliotekës në Kosovë". Me këtë rast, zëvendësambasadori amerikan në Kosovë, Michael Murphy, theksoi se investimi në biblioteka është punë e mençur, duke u zotuar për ndihmë zhvillimit të bibliotekarisë në Kosovë që të krijohet kulturë leximi.

Java e Bibliotekës në Kosovë është bërë ngjarje kulturore e vitit për librin dhe bibliotekat dhe së bashku me Konferencën Kombëtare të Bibliotekarisë, e cila organizohet në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, janë dy manifestime që kanë peshën e veçantë kulturore për zhvillimin e bibliotekarisë në përgjithësi. Kështu vlerësoi drejtori i Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, Sali Bashota.

Zëvendësambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Michael Murphy tha se një demokraci e shëndoshë, në të cilën ligji respektohet dhe qytetarët janë të lirë të zhvillojnë aktivitetet e tyre në çdo fushë, janë synimet e Amerikës për shtetin e Kosovës.

Ndërsa ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare e Kosovës e cilësoi si ajkë të vlerave të intelektuale kosovarë,të cilët fuqishëm kanë ruajtur shpresën për krijimin e shtetit të pavarur.


"Java e bibliotekës" që nisi të hënën do të zgjasë deri më 17 prill, kur edhe shënohet solemnisht përmbyllja e aktiviteteve të këtij manifestimi. /rtv21/