LAJMI I FUNDIT:

Ismet, a po t’pihet?!

Ismet, a po t’pihet?!

Thuhet se duhani është armiku më i madh i njeriut, posaçërisht i sportistit. Por, një sportist i njohur kosovar të premten doli të jetë ‘mik i madh’ i cigares. Fjala është për Ismet Munishin. Trajnerin e Llamkos Kosovës të premten nuk e kënaqnin lojtarët e tij me paraqitje në duel me Fushë Kosovën. Vushtrriasit nuk luanin siç kërkonte Munishi, andaj ky i fundit nga nervozizmi është detyruar ta ndezë një cigare. Cigaren e ndezi pak para fillimit të pjesës së dytë, duke shkuar tek bankina.

Pirja e duhanit në detyrë nga ana e personave zyrtarë të një ndeshje futbolli, trajnerët, e lëre më lojtarët, është rreptësishtë e ndaluar, dhe atë në gjithë globin. Por, këtë sikur e harroi Ismet Munishi të premten, kur nga nervozizmi e ndezi cigaren në stadiumin ‘Ekrem Grajçevci’, ku u kap nga fotoreporteri i Arenës.

Trajneri tashmë i suksesshëm kosovar e pranon gabimin e bërë, për çka shpreh keqardhje, andaj edhe është i gatshëm ta paguaj dënimin eventual, nëse i shqiptohet nga ana e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK). “Pirja e duhanit në stadium është e ndalur, por është e vërtetë se unë e kam ndezur një cigare në ndeshjen e fundit, sepse isha i nervozuar. Jam i gatshëm t’u përgjigjem rregulloreve”, tha për Arenën, Munishi.
Ai thotë se nuk do të tymosë më nëpër stadiume, ndonëse është konsumues i rregullt i duhanit. “Unë rregullisht e pi duhanin, por asnjëherë nuk e kam ndezur në stadium. Nuk besoj as që do ta ndezi ndonjëherë tjetër, por nuk e di si u bë që e ndeza në ndeshjen e fundit”, u shpreh Munishi, i cili po shkëlqen me Llamkos Kosovën në këtë edicion. Madje, me ‘gladiatorët’ e tij, tashmë ai e ka siguruar epitetin e kampionit për stinorin vjeshtor, derisa mbetet favoriti kryesor për ta fituar trofeun e çmueshëm në sezonin pranveror.

Federata nuk dinë si të sillet karshi cigares së Munishit


Në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK) thonë se pirja e duhanit nga ana e trajnerëve në detyrë është rreptësishtë e ndaluar. Por, kështu nuk specifikohet edhe në aktet normative të saj, andaj shtëpia e futbollit kosovar nuk e ka idenë se si të veproj karshi Ismet Munishit, i cili e ndezi cigaren në ndeshjen Fushë Kosova – Llamkos Kosova (0:2).

“Pirja e duhanit është aq e ndaluar saqë nuk ka nevojë të futet fare në rregullore”, tha sekretari i FFK-së, Eroll Salihu, i cili u habit kur e kuptoi se Ismet Munishi e ka ndez cigaren në detyrë. “Duhani është armiku më i madh i sportistit”, thotë ai.
Salihu paralajmëron se Komisari i Garave i Superligës nuk do të ketë mundësi ta ndëshkojë Munishin më shumë sesa me një vërejtje.

“Meqenëse nuk është e specifikuar në rregullore, sigurisht se Komisari i Garave do ta qortojë Munishin me vërejtje. Dhe në rast se përsëritet ky rast edhe njëherë nga kushdo qoftë, atëherë ne do të detyrohemi ta fusim në rregullore masën ndëshkuese ndaj atyre që pinë duhan në detyrë zyrtare”, deklaroi Salihu.

“Ata që e pinë rregullisht duhanin, sigurisht se e kanë të vështirë të qëndrojnë gjatë një ndeshje pa pirë cigare. Por duhet të përmbahen. Të paktën morali nuk duhet t’i lejojë të pinë duhan në arenat sportive, sidomos trajnerët, edukuesit e të rinjve”, përfundoi sekretari i përgjithshëm i futbollit kosovar.
Ismet Munishi nuk është trajneri i vetëm që ka pirë duhan në detyrë zyrtare. Vite më parë ka pas raste të ngjashme edhe me trajnerë tjerë. Mirëpo, ata duket të jenë vetëdijesuar në këto vitet e fundit, ngase nuk e ndezin duhanin në detyrë, ndonëse janë konsumues të rregullt të tij. /Tribuna/Telegrafi/