LAJMI I FUNDIT:

Ischinger: BE-ja shumë shpejtë do të njohë pavarësinë e Kosovës

Ischinger: BE-ja shumë shpejtë do të njohë pavarësinë e Kosovës

Bashkimi Evropian, shumë shpejtë, do ta njohë ndarjen e Kosovës nga Serbia, pra pavarësimin e vendit. Kjo është bindje e anëtarit të BE-së në Treshen ndërmjetësuese, Wolfgang Ischinger, i cili ka thënë se ky vendim pritet të ndodh brenda ditësh.

Në një deklaratë për radion gjermane RBB, Ischinger ka thënë se Kosova, praktikisht, do ta fitojë pavarësinë e kushtëzuar dhe të mbikëqyrur ndërkombëtarisht.

Kosovës do t’i vihen kushte të cilat kanë të bëjnë me respektimin e ligjit për mbrojtjen e pakicave dhe miratimin e një kushtetute moderne, tashmë të shqyrtuar, ka thënë Ischinger.

“(Kosova) Do të jetë një krijesë shtetërore e cila do t’i nënshtrohet edhe më tej mbikëqyrjes së kujdesshme ndërkombëtare. Edhe më tej, atje do të jenë të stacionuar trupat ndërkombëtare dhe do të jenë të pranishme, si BE-ja, po ashtu edhe OKB-ja”, ka shprehur mendimin e tij Ischinger.


“Dhe kjo do të thotë së bëhet fjalë për një pavarësi të mbikëqyrur ndërkombëtarisht”, ka precizuar Ischinger duke plotësuar se, Kosova e pavarur, nuk do të jetë shtet sovran sikurse, ta zëmë, Gjermania apo Franca.