LAJMI I FUNDIT:

Integrimi i Shqipërisë varet nga plotësimi i kritereve

Integrimi i Shqipërisë varet nga plotësimi i kritereve

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Ettore Sequi theksoi të premten se ecuria e Shqipërisë drejt BE-së varet nga plotësimi i kritereve. Sequi nënvizoi luftën kundër korrupsionit, rregullat transparente për financimin e partive dhe rritjen e bashkëpunimit midis institucioneve.

Ambasadori i bëri komentet në takimin e Grupit Drejtues të Projektit kundër korrupsionit në Shqipëri i bashkëdrejtuar nga Genc Pollo dhe ambasadori Sequi.

Ministri Pollo theksoi se qeveria shqiptare mbetet e palëkundur në luftën kundër korrupsionit. “Kjo ka qenë një sfidë e madhe e mazhorancës qeverisëse gjatë 5 vjeçarit të shkuar dhe vazhdon të mbetet një prioritetet kryesor në vazhdim. Qeveria shqiptare ka demonstruar hapur dhe me vepra vullnetin për të parandaluar dhe luftuar korrupsionin dhe ka shënuar arritje të njohura edhe ndërkombëtarisht”, tha Pollo.

Ministri tha se kjo është bërë përmes përmirësimit të kuadrit ligjor, reformave, forcimit dhe ngritjes së strukturave të reja. /Telegrafi/