LAJMI I FUNDIT:

Indeksi i konkurrencës me rezultate të prekshme nëpër komuna

Indeksi i konkurrencës me rezultate të prekshme nëpër komuna

Agjencioni UBO Consulting, së bashku më përfaqësues të USAID-it, kanë prezantuar rezultatet e sondazhit të Indeksit të Konkurrencës në Komuna, ku vendin e parë e ka marrë Komuna e Vitisë, të dytin Komuna e Lipjanit si dhe të tretin Komuna e Vushtrrisë.

Uliks Osmani, president i UBO Consulting, ka thënë se kjo ngjarje është si rezultat i punës 9 mujore në drejtim të studimit të indeksit të konkurrencës të komunave për vitin 2014.

Ndërsa për katër vite që ka filluar ky studim Osmani, ka shtuar se kanë bërë matjen ekonomike nëpër të gjitha komunat e Kosovës dhe kanë identifikuar trendet e qeverisjes lokale. “Kjo ngjarje kurorëzon një punë 9 mujore me plot angazhim në drejtim të implementimit të studimit Indeksi i Konkurrencës së Komunave për vitin 2014. Ashtu siç jeni në dijeni agjencioni UBO Consulting në mbështetje financiare të USAID-it, ka realizuar këtë studim për katër vite rresht”, ka thënë Osmani.


Chris Edwards, u.d drejtorit të USAID-it, ka thënë se është shumë i lumtur që Komunat në Kosovë kanë bërë progres të jashtëzakonshëm në drejtim të qeverisjes efektive dhe në drejtim të përmirësimit të mjedisit për zhvillim të biznesit.

“Jam shumë i lumtur që mund të raportoj se partneriteti i USAID-it, me Komunat e Kosovës është duke dhënë rezultate të prekshme dhe shërbime më të mira për qytetarët e Republikës së Kosovës. Komunat e juaja kanë bërë një progres të jashtëzakonshëm në drejtim të qeverisjes më efektive dhe në drejtim të përmirësimit të mjedisit për zhvillim të biznesit. USAID thekson se ndërmarrësia private është një aspekt kyç i zhvillimit ekonomik dhe prosperitetit të Kosovës. Është e rëndësisë thelbësore që politikat qeveritare ta reflektojnë këtë fakt dhe t’i japin një prioritet të lartë krijimit të kushteve të domosdoshme për zhvillimin e suksesshëm të bizneseve”, ka shtuar ai.

Naim Ismaili, kryetar i Komunës së Shtimes dhe Kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës, ka pohuar se ky indeks i konkurrencës u shërben komunave si instrument për t’i identifikuar sfidat e të bërit biznes.

“Indeksi i Konkurrencës në Komuna, po shërben si një instrument shumë i fuqishëm që t’i identifikoj se cilat janë potencialet, mundësitë, njëkohësisht edhe cilat janë sfidat e të bërit biznes duke pas parasysh se pika apo trageti i përbashkët edhe i bizneseve të komunave në Kosovë është që të gjejnë një rrugë më të mirë, që të krijojnë kushte më të mira, me qëllim që biznesi të shënoj rritje dhe bizneset në komunat tona dhe në përgjithësi në Kosovë të bëjnë punë e tyre gjithmonë duke pas parasysh me suksese dhe me trende të rritjes”, tha Ismaili. /Telegrafi/