LAJMI I FUNDIT:

Ina Rama merr mbështetje në Londër

Ina Rama merr mbështetje në Londër

Kryeprokurorja shqiptare Ina Rama ka marrë mbështetje në Londër nga Prokuroria angleze për rezultate të besueshme dhe hetime të paanshme që janë në vazhdim e sipër. Ambasada britanike ka thënë në një njoftim për media se Rama, e cila zhvilloi një vizitë disa-ditore në Londër, është ftuar nga Shërbimi Mbretëror i Prokurorisë së Mbretërisë së Bashkuar.

Ina Rama është takuar me Prokurorin e Përgjithshëm të Anglisë, Dominic Grieve, i cili ka thënë se vizita e Prokurores së Përgjithshme shqiptare ka qenë një mundësi e vlefshme për të shkëmbyer përvojat dhe praktikat më të mira, me një prej institucioneve kryesore ligjore të Shqipërisë.

Ai ka thënë gjithashtu se shpreson se një bashkëpunim i tillë do të ndihmojë në forcimin e kapacitetit të Zyrës së Prokurores dhe në mbështetjen e tyre në përpjekjet për të dhënë rezultate të besueshme e të paanshme në hetimet në vazhdim. Prokurori i Përgjithshëm Britanik ka theksuar se institucione të forta, profesionale e të pavarura janë të domosdoshme për të konsoliduar demokracinë në Shqipëri dhe për ta sjellë vendin më pranë anëtarësimit në BE.

Kryeprokurorja Ina Rama është takuar në Angli edhe me drejtorin e Prokurorisë Publike, Keir Starmer, zyrtarë të Agjencisë kundër Krimit të Organizuar (SOCA) dhe ka vizituar një gjykatë të Mbretërisë së Bashkuar. /Telegrafi/