LAJMI I FUNDIT:

Ia shohin sherrin amerikanëve

Ia shohin sherrin amerikanëve

Janë në krizë financiare, aq sa nuk mund t’i vazhdojnë aktivitetet e tyre në kuadër të ETC Superligës së Kosovës në basketboll. Dy skuadrat që u futën me synime të mëdha në stinorin e ri në elitën e basketbollit kosovar, pas vetëm pesë xhirosh deklaruan tërheqjen duke u arsyetuar me mungesë të donatorëve dhe me krizë financiare. Gjithsesi, gjerë tani, të dy skuadrat kanë qenë ndër më aktivet në angazhimin e të huajve.

Gjilanasit e Dritës kanë qenë ndër të parët që kanë mbyllur ‘katërshen’ e përforcimeve të huaja, teksa edhe Besa u shqua me një treg aktiv sa i përket të huajve. Madje, pejanët angazhuan edhe trajnerin e mirënjohur, Boris Kurtoviq, i cili njëherësh është në mesin e tre trajnerëve më të paguar në vend. E gjithë ky investim i dy skuadrave që kanë deklaruar tërheqjen nga garat, shihet si i paarsyeshëm nga ish-trajneri i Eurosportit dhe njohësit të këtij sporti, Dritëro Sefaja.

Ky i fundit, duke folur për Arena, ka theksuar se të dyja skuadrat është dashur të angazhojnë më shumë basketbollistë vendor në mënyrë që t’i sjellin ‘shëndet’ të dyfishtë vetës së tyre. /Tribuna/Telegrafi/