LAJMI I FUNDIT:

Hmm…A nuk e pata shtëpinë këtu?!

Hmm…A nuk e pata shtëpinë këtu?!

Të ktheheni në shtëpi dhe të vëreni se ju mungojnë gjësendet, mund të jetë një përjetim jo shumë i këndshëm – por të ktheheni në shtëpi dhe të mos e gjeni shtëpinë, është një përjetim vërtetë i tmerrshëm.

Kjo gjë i ka ndodhur një gruaje ruse, e cila pasi është kthyer në pronën e saj, ka kuptuar se shtëpia e saj nuk është më – madje ajo nuk ka gjetur as edhe një gjurmë të vetme nga shtëpia, ka njoftuar televizioni NTV.

"Aty nuk kishte asgjë, madje as edhe një gjurmë e vetme”, ka thënë Lyudmila Martemyanova, nga qyteti Nizhny Novgorod, e cila për disa ditë kishte munguar nga shtëpia e saj.

Më vonë ajo ka kuptuar se shtëpia i është rrënuar gabimisht nga punëtorët e një firme të ndërtimtarisë, e cila kishte marrë përsipër të bënte rrënimin e një shtëpie tjetër.


Prokurori lokal, Nikolai Govorkov, ka thënë se punëtorët e kompanisë së ndërtimeve kishin shkatërruar shtëpinë e gabuar dhe jo atë që duhej dhe që ishte fare pranë saj.

Martemyanova ka refuzuar një dëmshpërblim modest që i ka ofruar kompania, e cila ia kishte shkatërruar shtëpinë, andaj ka vendosur ta padisë atë në gjyq.