LAJMI I FUNDIT:

Hipokrat apo hipokrit?

Jemi mësuar tashmë me fenomenin e shfaqjes së partive të reja veçse jo si kërpudhat pas shiut, por para shiut. Viti që kemi përpara krahas debateve të forta mbi çështje jetike që kanë të bëjnë me integrimin e vendit, pritet të jetë një vit i zjarrtë për arsye të ndryshimeve të llogoreve politike të figurave të njohura të politikbërjes në Shqipëri. Priten, madje kanë filluar të duken mëngjeset e partive të reja për zgjedhjet e ardhshme.

Arsyet e shfaqjes në treg të partive të reja janë të larmishme. Së pari mund të rendisim pakënaqësinë e individëve të caktuar në kampet kryesore si rezultat i neglizhencës nga lidershipi. Së dyti mund të rendisim vetëbesimin e këtyre individëve, pasi janë të rizgjedhur disa herë çka do të thotë zgjedhja me partinë e tij i përfton këtij individi pushtet dhe autonomi.


Arsyeja e tretë dhe ndoshta më e rëndësishmja është ajo e planprishjes-parti që formohen në kurriz të një tjetre për ta dobësuar partinë në fjalë. Kjo është edhe arsyeja që e ndez më tepër debatin. Por ajo që bie më tepër në sy, nuk është vetë debati, sesa mënyra sesi mediatizohen sipas interesave këto pozicionime. Vëmë re sesi përçarja e kampit kundërshtar ia çon buzën vesh më vesh kampit tjetër që për fat të keq edhe ai vuan nga e njëjta sëmundje. Pra është një situatë ku armiku i armikut bëhet mik.

Po cili është shqetësimi i vërtetë kur dihet se everesti i partive të formuara në këtë mënyrë nuk shkon më tej se pozicionim si pol i katërt ose ne rastin me te mire i tretë? Ka një specifikë interesante në këtë moment pasi grupi përçarës është njëkohësisht njohës i mirë i dobësive të kampit të vjetër dhe sulmi konsiston jo më drejt kampit kundërshtar tradicional, po ndaj kampit nga ku ka gjeneruar kjo parti. Pra synohet një shkëputje bashkë me një pjesë të elektoratit. Tashmë kjo parti ka në të njëjtën kohë edhe pëlqimin dhe mbështetjen indirekte të kampit kundërshtar pasi i leverdis shumë dobësimi i të “fortit” tradicional.

Problemi nuk qëndron vetëm te formimi i këtyre partive, por edhe te elektorati që nuk di të bëjë dallimin se cili kamp i vjen në ndihmë të hallit. Një elektorat që i jep mundësi jetese çfarëdolloj partie të formuar me çfarëdolloj motoje. Në kushtet e një duopolizimi 20 vjeçar, ku realisht partitë dhe liderët e tyre tradicional kanë aftësinë të përmbushin sadopak kërkesat e elektoratit, ka një grup tjetër partish që i shërbejnë ndoshta pluralizmit, por nuk kanë kurrfarë lidhjeje organike me zgjedhësit e tyre.

Këta shtegtarë të moralitetit politik që hiqen si yje polarë kanë çorientuar shoqërinë, që prej kohësh është në kërkim të vlerave. Secili pretendon të na udhrrëfejë në shtegtimin tonë katërvjeçar dhe për hir të këtij katërvjeçari bëjnë premtime dhe betime si ato të Hipokratit. Nisin si hipokratë dhe përfundojnë hipokritë.