LAJMI I FUNDIT:

Hetuesit dhe gjuha e koduar e zijoshëve

Hetuesit dhe gjuha e koduar e zijoshëve

Megjithëse, gjuha e shkruar drejt, këtu në Zezë, është dashur të mësohet në vazhdimësi, së paku tash pesëdhjetë vjet, e folmja e zijoshëve, të duket sikur është ndalur në mesjetë. Zijoshët kanë edhe shkolla ku të mësojnë, por mësimin e kanë iri. Kanë ata edhe mjaftë tokë pjellore, por punën nuk u do shpirti. Nuk ka familje e zijoshëve që nuk ka dikën jashtë vendit, dhe ata, atje bëjnë çdo lloj pune por, kur kthehen në Zezë, duken sikur kanë harruar edhe emrat e mjeteve të punës, dhe zakonisht, gjithë ditën e kalojnë duke shëtitur me makina luksoze. Në Zezë, nuk janë më shumë se njëqind familje, por gjuha që flasin mes tyre, shpeshherë ka dallime të mëdha nga lagjja në lagje. Jo pak herë, ndodhë që për të njëjtin send përdorin fjalë të ndryshme.

Mizioni i huaj që u vendos këtu, kishte sjellë përkthyes për gjuhën e zijoshëve, pa menduar se këtu, gjuha e shkruar është e panjohur. Që në kontaktet e para me zijosh, të huajt nuk po merreshin vesh fare, megjithëse kishin edhe përkthyes të përgatitur enkas për ketë fshat. Ankesat për varfëri, zijoshët nuk i ndalin asnjëherë, por nga makinat zbresin vetëm për gjumë. Megjithëse gjatë ditës, por edhe deri në orët e vona shpenzojnë shuma të mëdha parash, nuk sheh zijosh duke lexuar një gazetë ditore që kushton vetëm tridhjetë cent.

Gjatë gjithë kontakteve dhe bisedave të dy hetuesve me zijoshët, ishin dëgjuar edhe shumë fjalë pa asnjë kuptim, që përdornin ata, jo vetëm kur i merrnin në pyetje, por edhe në biseda të zakonshme.


Secili zijosh, fjalën e parë e ka; asi bre, me asish! Fjalinë e fillojnë me fjalën; asi bre! Qorrziu, hetues zyrtar i rastit, këtë shprehje e kishte përdorur, që kur  kishte filluar të flasë si fëmijë, këtu në fshat, ku fjala e parë e çdo zijoshi është  asi bre, ose desha me asishë. Kishte edhe të tjera shprehje e fjalë, që përsëriteshin,  si domethënë apo si nuk kaka, nuk koksha, nuk kokshe, nuk kokshit e nuk kakan. Zijoshët ua kanë ndryshuar kuptimin edhe shumë foljeve të gjuhës amtare. Ata i dëgjon se, si ia kanë ndryshuar rrënjën edhe foljes ndihmëtare me qenë.. Zijoshët nuk thonë ishim, por ishmi. “Ishmi” thonë, bile edhe shumë zijoshë “të shkolluar” natën e në detyra publike.

Fjala me asish, tek të huajt, zgjonte tepër dyshime, pasi varej se cila fjalë përdoret para apo pas saj në fjali. Kuptimin e saj, zijoshët e ndryshojnë pa ndërpre gjatë përdorimit. Herë herë i japin kuptim të foljes, herë të emrit, përemrit, apo mbiemrit. Kjo fjalë përdoret aq shumë, vend e pavend, sa as djalli vet, nuk arrin t’i kuptojë zijoshët se për çfarë flasin, në cilindo rast apo për cilëndo ngjarje.

Qorrziu, krejt pa dashur, nisi ta torturojë veten se, çfarë kuptimi mund të ketë, sidomos  shprehja me asishë. Sa më shumë që mundohej ta zbërthente kuptimin e  shprehjes “asish bre” po ngatërrohej edhe më tepër, aq më parë, kur këtë fjalë, zijoshët e përdorin në çdo bisedë. Jo pak herë, kjo shprehje tregon veprim. Kur folësi thotë; Asi bre, nisa të kërkojë asi, po ai e asihi, dhe nuk kuptova çka asishte ky! Sapo fillon të flas për ndonjë ngjarje, edhe Zi Ziu përdorë po ato shprehje; asi bre, kësi bre, po asihi e kësihi, asishi e kësishi..Meqenëse kjo shprehje përdoret aq shumë dhe kudo, para foljes që shpreh veprim, atëherë kjo  mund të jetë ndonjë kod që duhet zbërthyer, mendonte me veti Qorrziu, hetues zyrtar i rastit të zhdukjes  së Mulziut. Po si të fillonte zbërthimin e kuptimit të shprehjes asishi, kur në asnjë rast nuk kishte informacion mbi  mundësinë e përdorimit të ndonjë gjuhe të koduar të zijoshëve.

Zi Ziu, kur filloi rrëfimin për mundësinë e vrasjes se Mulziut nga Qorrziu, aq shumë përdori këtë shprehje, sa  vet hetuesi  nuk e kuptonte se brenda rrëfimit po qarkullonte edhe emri i tij. Ai, asi bre, e kishte pas kësish këtë Mulziun në shtëpinë e vejushës dhe prej aty ia kishte asih, syrin  me inati, ashtu dhe mund ta këtë asih, natën vonë për ta asish arkën me e asih  arin.

Në këtë fjali, Qorrziu, sikur zuri fillin e zbërthimit të kësaj shprehje, e cila, thjeshtë, i dukej si një kod. Asi, ka kuptimin flori, mendoi me veti. Sa herë Zi Ziu përdorë fjalën ASI, nënkuptohet se ai flet  për DUKATIN e fshehur të Mulziut, për të cilin ishin përhapur aq shumë fjalë edhe larg përtej Zezës. Nëse përdorë fjalën e ASISHI  para foljes e fshehu, mund të mendojë për fshehjen e arkës me flori. Fjalë pas fjale, që në esencë ishin shprehje  të përafërta, dhe realisht pa asnjë kuptim, për Qorrziun, këto tashmë ishin kode, që ruajnë një fshehtësi të madhe. Mund të ndodhë që këta asishin një sekret të madh, dhe po ky Ziu, di ku gjendet arka me flori, dhe ku mund ta kenë asishë atë, mendoi me vete Qorrziu..

Filloi të mendojë seriozisht se, në takimin tjetër, kur ta merr në pyetje Komisari, do t’i rrëfej për gjuhen e koduar që përdorin zijoshët në çdo bisedë. Ai i zbërtheu dy fjalë: Asi = ari, asishi=fshehu. Me dy fjalë nuk po e konstruktonte dot një fjali me kuptim, dhe për fillim, hoqi dorë nga çdo ide për deshifrimin e kësaj të folmeje, të cilës ia dha emrin; gjuhë e koduar.

Qorrziu mendoi seriozisht, se që nga biseda tjetër, do të  regjistroi çdo fjalë. Ndërkohë hetuesi ishte pajisur me  teknologjinë më të re të regjistrimit të bisedave dhe të çdo fjale, ashtu siç i shqiptojnë zijoshët dhe pastaj, mendoi t’i zbërthejë një nga një. Në qeli ,krejt i vetmuar, Qorrziu harroi se me nuk do të ketë rast t’i lutet Ziut për t’ia zbërthyer shprehjet tjera. Nisi të kujtojë shumë fjalë të pakuptimta që kishte përdorë Ziu gjatë bisedës me te, kur po fliste me afsh për kënaqësinë që kishte përjetuar tek vejusha, ku në një natë fatkeqe humbi njërin sy. Qorrziu po mendonte që, herën tjetër, kur Komisari do të na pyes të dyve për shumëçka, dhe nëse Ziu  përdorë gjuhen e koduar të tij, unë vet do t’ia shpjegojë përmbajtjen e atyre shprehjeve të koduara.

Pas dy ditësh. Komisari urdhëroi gardianët ta sjellin Qorrziun në zyre, për të vazhduar  bisedën informative. Papritur, aty e sollën edhe Ziun. Ata e kishin të ndaluar të flisnin me njeri tjetrin.

Kësi bre, i tha Komisari  Qorrziut. Desha të të pyes, se çka ke asish atë natë ti tek vejusha. Qorrziu mbeti i habitur, kur nga goja e Komisarit  dëgjoi shprehjen me asish. Më nuk po mund të lidhte as fjalët e zakonshme në një fjali të thjeshtë. Nuk u përgjigj fare. Ashtu duke pritur pyetjen tjetër nga Komisari, mendoi se Ziu mund ta ketë njoftuar moti komisarin për gjuhën e tij të koduar.

Për çdo njeri normal, këto shprehje nuk ishin asgjë tjetër, por dobësi e tyre për ligjërim të drejtë, për  një temë të caktuar, por për Qorrziun, ato fjalë krejt pa lidhje, tash ishin bërë kode që nuk  i zbërthente dot, apo se paku, ashtu po e  torturonte veten me teori të ndryshme konspiracioni, se gjoja fjala është për një gjuhe të koduar, për të cilën nuk kishte folur askush asnjëherë në Zezë. Kronika e Zezës tash po pasurohej edhe me shprehje të një gjuhe  plot kode, të cilën  nuk do ta zbërthente asnjëherë, dhe tashme gjithçka po ngatërrohej edhe më shumë. Qorrziu nisi të numërojë trajta të ndryshme, po të njëjtës shprehje, dhe ato ishin bukur shumë, ndërsa dallonin vetëm nga parashtesat apo prapashtesat. Asi, kësi, asih, kësih, kësihi,kësihin

Kësihnin, kësish, kësosh, kësoshe, asoshe, asishi, asishën, asishnin, kësishi, kësishni, kësishin,

Madje, këto shprehje, here here merrnin kuptim përemri, mbiemri, emri, por edhe të foljes. I dukeshin aq shumë, sa filloi të flas vetë me veti me zë; aaaasih, kkkesih,aaasihi, kkkkesihi, kesishi, kesishin, kesishnin, asishni, asishnin. Komisari po e dëgjonte mirë, dhe pasi i bëri disa pyetje e diktoi se Qorrziu po fliste përçartë, andaj nuk e ndërpreu.

Tash  Qorrziu do të na thotë kuptimin e shprehjeve që sapo dëgjuam; çka doni të thoni me fjalët asishi  e kësishi, vazhdoi Komisari?

Po Zoti Komisar, ky Ziu më mësoi këtë fjalë, të cilën më parë nuk e kisha  përdorur e as dëgjuar asnjëherë tha Qorrziu. Mirë, atëherë  ju  edhe qenkeni marr vesh të flisni me gjuhë të koduar, këtu para meje. Sot dhe këtu, keni për te zbërthyer të gjitha këto kode dhe prej tyre do të mësojmë edhe emrin e vrasësit të Mulziut. Heshtja mbretëroi në dhomë. Aty dëgjoheshin vetëm britmat e  Komisarit.

Tash i dua kodet e zbërthyera tha ai. Çka keni asih ju deri tash, do të shohim, pasi të asishni pantollat. Kur  Komisari tha; do të asishni pantollonat, Ziu këtë shprehje e lidhi me fjalën do t’i mbushni pantollat. Në anën tjetër, Ziu as që kishte ide se kush ka folur për njëfarë gjuhe të koduar, por, ai tash po dëgjonte edhe këtë risi, që nuk e kuptonte dot.

Qorrziu i pashpresë, në gjendje krejt të mjerë, po mundohej të zbërthente se paku një prej këtyre shprehjeve, por secila lidhej me një fjale tjetër që tregonte veprim. Unë, asi bre, ,nisi të flas Qorrziu,… por komisari ia ndërpreu fjalën në gjysmë. Domethënë, ti e paske fshehur kufomën, vrasësin edhe arkën. Jo unë desha me asish… por, prapë komisari ia ndërpreu fjalën…domethënë ti e ke kësish Mulziun. Se si e lidhi komisari fjalën kësishë me emrin e Mulziut, Qorziu nuk  e kuptoi fare, por ajo mund të zbërthehej sikur  ky  ka vrarë Mulziun.

Komisari, pas çdo dy apo tri fjalësh, e ndërpriste Qorrziun, dhe dukej sikur po ia lexonte çdo mendim, apo kod( siç thoshte) të fjalisë. Unë pata asih për  të gjetur arkën, por ata asihnin shumë fjalë të pakuptimta dhe…Domethënë, ti e di ku e ke fshehur arkën me flori dhe para, ia ndërpreu fjalët Komisari? Po, asi, deshi të vazhdonte Qorrziu,…. por Komisari ia ndërpreu serish fjalën; tash do na rrëfesh se ku e ke fshehur arkën dhe ku i ke varrosur të vrarët, dhe jo vetëm Mulziun por edhe Dikushin e Gjithkushin.

Çdo fjalë që shqiptonte, Qorrziut, po i rëndonte barrën penale. Tash, ai mund të akuzohej për tri vrasje, e ndoshta edhe për më shumë..

Qorrziu ishte  mbërthyer nga inati ndaj  vetvetes pse është gjallë, dhe si  ia pa sherrin syrit qorr, pa të cilin mbeti herët. Syri i verbër po behej fatkeqësi edhe më e madhe për te, dhe mundësi reale për dënim me burg të përjetshëm. Nisi ta akuzonte vetveten hapur. Shpresat e tij për te dal nga burgu, ishin tretur fare.

Nisi ta vajtojë veten  ne heshtje, se si ka gabuar që pranoi detyrën e hetuesit, në një vend siç është Zeza, ku as djalli vet nuk mund t’i zbërthejë të gjitha ato të zeza që ka ky fshat, me më pak se njëqind oxhak shtëpish.

(sic.)