LAJMI I FUNDIT:

Heshtja e turpshme

Heshtja e turpshme
Ilustrim

Para disa ditës ndodhi një ngjarje që më shqetësoi shumë. Jo një funksionar i zakonshëm, por vetë presidenti i Republikës së Çekisë, z. Milosh Zeman, gjatë vizitës zyrtare të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në Pragë, i kërkoj falje Serbisë. Për çfarë?! Për përfshirjen e vendit të tij në sulmet ajrore të NATO-s gjatë luftës së Kosovës 1999. Dua të jem i saktë, ndaj po e citoj në burim deklaratën e presidentit çek, pasi ajo është sa qëndrim institucional, aq edhe rrëfim privat, kur ai vendos shpirtin e tij përballë së vërtetës dhe Zotit: “Dua ta shfrytëzoj këtë rast për të kërkuar falje për bombardimin e ish-Jugosllavisë”, “Ishte mungesë guximi” tha ai. “Me këtë lutje falje, unë zgjidha traumën time të kahershme, sepse pendimi është çlirues”. “E thashë këtë dhe shpëtova shpirtin tim”, është shprehur Zeman.

Sigurisht që një narrativë e tillë s’ka si të mos më sjellë ndërmend ushtarakun Zhvejk, të çekut Hashek, kur thotë “Ç’më duhet mua, se ç’bëj unë”, por kjo shpallje më trazoi njëlloj, si për mbidozën e saj antishqiptare, që i rikthehet tezës së shfajësimit të mizorive të forcave serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës, ashtu edhe për heshtjen vrastare me të cilën u shoqërua. Po përballemi me dy fakte njëkohësisht: amnistim të agresorit të dënuar botërisht për krime dhe amnezi ndaj vuajtjeve të viktimave, të njohura nga bora mbarë.


Sigurisht që mes palëve të përfshira e të prekura nga kjo dektaratë do të kishte edhe të kënaqur. Dhe, ai ishte presidentit aktual i Serbisë, Vuçiqi (për kujtesë ish-ministër i Informacionit në qeverisjen e Slobadan Milosheviqit, që vazhdon të deklarojë edhe aktualisht se “nuk do të firmosë asnjëherë njohjen e pavarsisë së Kosovës”), i cili me “xhentilesë” u përgjigj se serbët “do të jenë gjithmonë mirënjohës” ndaj Zemanit për faljen e tij. “Fjalët që tha ai për bombardimet nuk janë thënë kurrë më parë”.

Dhe, vërtet është siç thotë Vuçiqi. Askush nuk deri më sot nuk ka pasur cinizmin e patejkalueshëm dhe të përsëritur të Zemanit rreth kësaj çështjeje. Po ky nuk ishte veprimi i parë i Zemanit ndaj shqiptarëve, sidomos shqiptarëve në Kosovë. Po ky person, në shtator të vitit 2019, tha në Beograd se do të diskutojë me ekspertët kushtetues të vendit të tij, mundësinë e tërheqjes së njohjes së pavarësisë së Kosovës. Ky propozim i tij u refuzua nga zyrtarët më të lartë kushtetues të Çekisë. Ishte Ministri i Jashtëm çek, Tomas Petricek, i cili në përfundim të takimit deklaroi se qëndrimi i Republikës Çeke kundrejt Kosovës, nuk ka ndryshuar. A duhet të mendojmë se “armiqësia ndaj kombit shqiptar është bërë vijë presidenciale në Pragë”.

Paradoksi thellohet deri në absurd kur vëren se presidenti i sotëm çek ka qenë kryeministër në kohën e bombardimeve të NATO-s ndaj forcave serbe. Ai, si Ponc Pilati, deklaroi se në atë kohë “kishte bërë përpjekje për të parandaluar fushatën e bombardimeve, por nuk kishte gjetur mbështetje tek aleatët”. Në dobi të kujt? Përkrah cilës forcë ka dashur ta radhisë dhe do ta radhisë Çekinë ky ofiqar? Paradoksi thellohet kur dihet që Republika Çeke e ka njohur Republikën e Kosovës në maj të vitit 2008.

Për të përfunduar me këtë radhë paradoksesh, duhet të evidentojmë se presidenti i Republikës së Çekisë është i vetmi nga ish-komunistët e Luftës së Ftohtë që sot, në vitin 2021, është president i një vendi anëtar të BE-së dhe NATO-s.

Kaq për këtë aspekt të politikës së të huajve kundër faktorit shqiptar. Tani po e kthej vështrimin nga brenda vetes. Kam ndjekur me vëmendje po kaq të madh reagimet e autoriteteve zyrtare shqiptare dhe atyre intelektuale brenda dhe jashtë kufirit. Të them se u trishtova dhe zhgënjeva, kur u përballa me heshtje të gjithanshme, është pak.

Ne mburremi se aktualisht shqiptarët drejtojnë tri ministri të jashtme (Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni), por asnjë nga këto nuk reagoi ndaj daklaratave publike të Zemanit. Kur nuk gjeta asgjë prej institucioneve publike, iu ktheva emisioneve të lajmeve, debateve televizive, shkrimeve të gazetave dhe portaleve, për të parë nëse ka apo jo zgjim të mendimit kritik e intelektual të pavarur. Edhe këtu asgjë.

Të gjithë ishin të shqetësuar për ngjarjet në Rripin e Gazës, për situatën e grushtit të shtetit në Mali, për devijimin në Minsk të aeroplanit që fluturonte nga Athina në Vilnius, por edhe për daljen nga kontrolli të anijes kozmike kineze etj. Përjashtim nga kjo rutinë si gjithmonë është miku im i nderuar, patrioti i madh dhe diplomati par excellence Shaban Murati, i cili ka vite që reagon dhe na paralajmëron ndaj deklaratave të papërgjegjshme të presidentit Milosh Zeman, që në gojën e tij nuk janë vetëm deklarata, por tentativë për t’u kthyer në qëndrim politik apo politikë personale.

Porm paradoksi nuk ka fund. Ndërkohë që ne shqiptarët heshtim, duke u fshehur pas gishtit, reagimi vjen nga Serbia, madje dhe ashpër. Është drejtoresha e Fondit për të Drejtën Humanitare në Beograd, Natasha Kandiq, që shkroi në Twitter: “Presidenti çek kërkoi falje për bombardimin e Jugosllavisë dhe ka zgjidhur traumën e tij shumëvjeçare” me këtë kërkimfalje. Disa vite kanë kaluar dhe ai akoma nuk ka dëgjuar që ushtria dhe policia e po asaj Serbie ka vrarë pamëshirshëm mbi shtatë mijë civilë shqiptarë për 78 ditë”.

Edhe vetë çekët reaguan. Ishte gazeta konservatore e Pragës “Lidove noviny”, e cila shkroi: “Kërkimi i faljes nga Zemani nuk mund të rishkruajë historinë … Askush nuk do të vinte bast me asnjë cent se kërkimi i faljes do të çojë në një katarsis 0 njësoj si mund të thuhet për faljen e dikurshme të Vaclav Havelit ndaj gjermanëve të dëbuar të Sudeteve”.

Po kush është Milosh Zeman? Një skicim i tij do të ishte: Lindi në shtator të vitit 1944, në Kolin (protektorati i Bohemisë dhe Moravia). Ka qenë deputet i Parlamentit; kryetar i Dhomës së Deputetëve të Parlamentit çek, kryeministër midis viteve 1998 -2002. Në vitin 2013 u zgjodh president i Çekisë dhe në 2018 u rizgjodh, funksion që është në masë të madhe ceremonial.

Sot, 77-vjeçari Zeman është figura e fundit politike e ngelur akoma aktive nga periudha transitore post-komuniste e viteve të 1990. Ai është i njohur për qëndrimin e tij prorus dhe lidhje të afërta me Kinën, që ka avokuar për heqjen e vizave të hyrjes për qytetarët e Rusisë, si dhe është kundër pranimit të Ukrainës në NATO. Kjo politikë e tij e ka zemëruar shpesh një pjesë të madhe të shoqërisë çeke, të cilët janë ngritur edhe në protesta.

Siç theksova më lart, ajo që edhe më detyroi të shkruaj është fakti që Zemani njihet tashmë mirë për qëndrimet antishqiptare, sidomos ndaj shqiptarëve të Kosovës. Gjatë fushatës së tij për president, në një prononcim për agjencinë çeke të lajmeve CTK citohet të ketë thënë se nëse do të fitonte zgjedhjet, ai “nuk do të lejonte që një ambasador çek të dërgohej në Prishtinë”. “Madje do të tërheq edhe konsullin që është atje, e jo më të dërgoj një ambasador. Unë e konsideroj Kosovën një regjim terrorist të financuar nga narko-trafikantë”.

Në emër të kujt flet ky njeri dhe me kë e ka? Nuk ka njeri normal ta kuptojë. Ai Zeman në fakt akuzon NATO-n dhe veçanërisht miken tonë të madhe ShBA-në si organizatore për të ndëshkuar bashkërisht Millosheviqin dhe terrorizmin serb, megjithëse e ka firmosur “de jure” kryerjen e këtij sulmi. Ai injoron Tribunalin e Hagës që ka dënuar për krime kundër njerëzimit disa nga drejtuesit e Serbisë. Ai ka fyer dhe fyen vendin e tij, pasi megjithëse Çekia e njohur de jure Kosovën dhe zyrtarët më të lartë kushtetues (kryeministri, kryetaret e dhomave të parlamentit, ministri i jashtëm, ai i brendshëm, i mbrojtjes etj.) kanë hedhur poshtë zyrtarisht pretendimet dhe propozimet e tij, ai vazhdon të toksikojë mjedisin politik lart e poshtë, se nuk e njeh. Ai ka fyer edhe simbolin e ndryshimit në Çeki, të madhin, Vaclav Havel, i cili e përkufizoi i pari ndërhyrjen e NATO-s në Serbi në vitin 1999 si një “ndërhyrje humanitare”. Presidenti çek sot arrin deri aty sa sulmon edhe kujtimin e Alexander Dubcekut, duke deklaruar se ai ishte “një nga ata që u mbush në brekë në 1968”.

Duke marrë shkas nga gjithë sa parashtrova më lart, po i sjell në kujtesë disa të vërteta të shpërfillura prej tij, por të pohuara nga organizatat më prestigjioze ndërkombëtare, për gjenocidin serb në Kosovë dhe rolin e NATO-s në ndalimin e këtij gjenocidi:

Mbi një milion shqiptarë të Kosovës u dëbuan nga shtëpitë e tyre nga forcat serbe të sigurisë (Raport i organizatës së OKB-së për refugjatët, (UNHCR) dhe OSBE). Ndërkohë, Amnesty International thekson se “deri në fund të luftës në Kosovë, në qershor të vitit 1999, më shumë se gjysma e popullatës civile të Kosovës jetonin në kampe refugjatësh në Shqipëri dhe Maqedoni”.

Mbi 13 mijë civilë shqiptarë u vranë e u masakruan, midis tyre qindra fëmijë, madje edhe foshnja u vranë në barkun e nënave shqiptare me pretekstin se po i ekzekutonin “armiqtë e ardhshëm”.

Ishin 6,057 persona të zhdukur, si pasojë e luftës në Kosovë. Fati i shumicës prej tyre tashmë është zbardhur, por për 1,647 persona ende nuk dihet asgjë (Raport i Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq), ku rreth 80 për qind e personave të zhdukur gjatë luftës kanë qenë meshkuj të moshës prej 18 deri në 40 vjeç.

Mbi 40 për qind e të gjitha shtëpive të banimit në Kosovë u dëmtuan rëndë ose u shkatërruan plotësisht. Shkollat dhe objektet e kultit u prekën në mënyrë të ngjashme (Human Rights Watch dhe UNHCR). Sipas një vlerësimi të dëmeve nga Kombet e Bashkuara, nga 649 shkolla në Kosovë, më shumë se një e pesta e shkollave u dëmtuan rëndë dhe më shumë se 60 për qind u shkatërruan plotësisht.

Mbi 20 mijë burra dhe gra, u dhunuan gjatë luftës në Kosovë, ku dhunimi u përdorur si mjet i luftës ndaj qytetarëve të pafajshëm të Kosovës nga ana e forcave ushtarake policore dhe paramilitare të regjimit të Millosheviçit.

529 varreza masive janë identifikuar, shumica dërmuese e tyre në Kosovë. Në këto varreza janë gjetur trupat e pajetë të 4.300 personave të vrarë.

A nuk të duken të mjaftueshme këto masakra, që detyruan NATO-n të organizonte operacionin e forcave aleate që kishte si qëllim të ndalonte abuzimet e të drejtave të njeriut në Kosovë; ku nga 24 marsi e deri më 10 qershor 1999 u kryen 2300 sulmeve ajrore, që vazhduan më pas me futjen në Kosovë të rreth 37,200 trupave nga 36 vende të ndryshme. Nëse nuk ju duken është problem i madh për Zemanin, nuk kam çfarë ti them, përveçse Zoti e ndjeftë.

Dua t’i kujtoj se edhe Gjermania hitleriane u bombardua dhe shkatërrua, por askush nuk ka guxuar t’i shkojë në mendje të kërkoj falje (megjithëse kanë kaluar 76 vjet), madje (jo rastësisht) 9 maji është data kur festohet edhe fitorja ndaj fashizmit e është vendosur edhe si Dita e Evropës.

Dua t’i kujtoj Zemanit se Moska (e parapërlyera e tij) nuk ka kërkuar ende falje për krimet e kryera në 1968, në shtypjen e Pranverës së Pragës, duke dërguar mbi gjysmë milion ushtarë të Traktatit të Varshavës, me mjetet ushtarake më moderne të kohës, për të pushtuar vendin. Pranvera e Pragës, kjo përpjekje madhështore për liri e demokraci, kishte një qëllim sa të bukur aq utopik (mision i pamundur), ndërtimin e një “socializmi me fytyrë njerëzore”, u shtyp brutalisht me pushtimin e Çekosllovakisë nga Bashkimi Sovjetik dhe nga anëtarët e tjerë të Traktatit të Varshavës (Hungaria, Polonia, Bullgaria dhe Gjermania Lindore), duke ndaluar kështu të gjitha reformat që kishin filluar në Çekosllovaki. Në këtë pushtim u vranë 137 civilë çekosllovakë dhe u plagosën rëndë rreth 500 persona. Respekt dhe nderim për rezistencën e shoqërisë çekosllovake, se ndonëse sovjetikët kishin parashikuar që do ta shtypnin Pranverën e Pragës për 4-5 ditë, ajo që zgjati për rreth tetë muaj. Gjithashtu dua t’i kujtoj se në këtë moment të vështirë për Çekosllovakinë, shqiptarët kudo në trojet e tyre ishin në krah të tyre dhe në mënyrat më të dukshme e mbështeten përpjekjen e një populli demokrat që aspironte liri, demokraci e vetëvendosje. Ata shikonin te Pranvera e Pragës dritën e çlirimit nga sundimi diktatorial. Ishte shteti shqiptar ndër të parët që dënoi këtë krim të rëndë. Në deklaratën e Qeverisë tonë të 23 gushtit 1968, ai u cilësua si “agresion i tipit fashist”, kurse me VKM nr.118 datë 05.09.1968 dhe ligjin nr.4425 datë 13.09.1968, dolën aktet e nevojshme juridike “Mbi denoncimin nga Republika Popullore e Shqipërisë të Traktatit të Varshavës”.

Por, qytetarët shqiptarë nuk e ngatërrojmë popullin çek me Zemanin dhe deklaratat e tij, pasi popujt tanë janë nga viktimat e para të agresionit nazifashisht në Luftën e Dytë Botërore. Ne i jemi mirënjohës Çekisë për mundësinë që i dha disa të rinjve shqiptar gjatë vitet 1950-‘60 për t’u shkolluar në universitetet e tyre, të cilët u bënë nga pionierët e parë të inteligjencës, mjekësisë, shkencës, teknikës dhe artit shqiptar. Ne kemi nderim dhe mirënjohje për çfarë i ka dhënë Çekia kulturës botërore në art e letërsi, që nga Karel Capeku dhe librat e tij të njohur botërisht, e deri të përkthimet më të fundit në shqip të të pakrahasueshmit Franz Kafka, Milan Kundera, Bogumil Hrabal dhe Havel, veprat e të cilit vazhdojnë të luhen në skenat teatrore shqiptare, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. Por, ne nuk mund të fshihemi më pas heshtjes. Heshtjen nuk mund ta paraqesim si qëndrim. As t’ua lëmë të tjerëve të shprehen për ne, siç bëri më 12 maj 2021 intelektualja kroato-gjermane Alida Bremer, që botoi në Deutsche Welle kundërshtimin e saj ndaj përurimit zyrtar në Banja Lukë (kryeqyteti i Republikës Srpska), të statujës së shkrimtarit Peter Handke – mik i Milosheviqit dhe një nga ata që i amniston krimet serbe në Bosnjë e Kosovë, nderuar nga presidenti i sotëm serb me dekoratën më të lartë të Serbisë “Urdhrin e Karagjorgjes”, pikërisht në vendet ku është kryer gjenocid, ndërkohë që në Tiranë promovohet me bujë vepra letrare e tij.

Në përfundim do të kërkoja modestish që tri ministritë e jashtme shqiptare të ndërmarrin të paktën ndonjë veprim në formë proteste diplomatike ndaj deklaratave antishqiptare të këtij individi të veshur me pushtet. Gjithashtu sugjeroj që këto institucione (dhe jo vetëm ato) të koordinohen, jo vetëm për tu përballur me fushatën agresive të çnjohjeve dhe delegjitimimit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë, por për të shtuar numrin e njohjeve dhe anëtarësimin në organizmat ndërkombëtar, pasi pavarësia e saj është një realitet i pandryshueshëm dhe faktor paqe e stabiliteti në rajon. E drejta është me ne shqiptarët, pasi edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, në opinionin e saj të 22 korrikut 2010, vlerësonte që Deklarata e Pavarësisë “nuk kishte shkelur asnjë normë të aplikueshme të së drejtës ndërkombëtare, përfshirë të drejtën ndërkombëtare si të tillë, Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit, si dhe Kornizën Kushtetuese të Kosovës”.