LAJMI I FUNDIT:

Haradinaj: Kosova është gati për liberalizimin e vizave

Haradinaj: Kosova është gati për liberalizimin e vizave

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj është takuar sot me zëvendëspresidentin e Parlamentit Evropian, Reiner Wieland, ndërsa kanë biseduar për çështjen e liberalizimit të vizave.

Haradinaj gjatë takimit me zëvendëspresidentin e Parlamentit Evropian, Reiner Wieland, ambasadorin Christian Heldt dhe shefin e Zyrës së “Konrad Adenauer” në Kosovë, Johanes Rey tha se Kosova është gati për liberalizimin e vizave dhe ne presim mbështetjen e Parlamentit Evropian.

“Kosova është gati për liberalizimin e vizave dhe ne presim mbështetjen e Parlamentit Evropian në këtë proces, i cili është jetik për qytetarët tanë”, tha kryeministri.


Më tej, Haradinaj, theksoi edhe rëndësinë e intensifikimit të bashkëpunimit ekonomik me Gjermaninë, duke i forcuar marrëdhëniet bilaterale me këtë vend.

“Kosova është partneri ideal i Gjermanisë për të forcuar bashkëpunimin ekonomik. Ne kemi resurset e nevojshme, të përshtatshme për investitorët gjerman dhe tani është koha që të shohim projekte konkrete në këtë drejtim”, shtoi Haradinaj.

Kryeministri përmendi në takim edhe rëndësinë që ka liberalizimi i vizave për qytetarët e vendit dhe tani siç tha ai Kosova është një realitet tjetër, nga i cili nuk mund të kenë probleme vendet e BE-së.

Zëvendëspresidenti i Parlamentit Evropian, Reiner Wieland falënderoi kryeministrin për gatishmërinë e bashkëpunimit për projekte specifike nga fusha e edukimit në programet e BE-së dhe Qeverisë Gjermane, duke shprehur mbështetjen për Kosovën në rrugën e saj për fuqizimin e rendit dhe ligjit dhe përafrimin e vendit me agjendën evropiane. /Telegrafi/