LAJMI I FUNDIT:

Hapet konkursi për pranimin e filmave në Bridge Film Fest

Hapet konkursi për pranimin e filmave në Bridge Film Fest

Festivali Ndërkombëtar i Filmit, “Bridge Film Fest”, në partneritet me organizatën AKTIV në Mitrovicën veriore, së shpejti fillon edicionin e dytë.

Më datën 22 mars 2015, “Bridge Film Fest” ka hapur konkursin për pranimin e filmave artistikë për të gjithë filmbërësit anë e mbanë botës.

“Mirëserdhët në pjesën tjetër!” hap dyert e qytetit të Mitrovicës për turistët, vizitorët, të huajt dhe qytetarët vendas për t’u bashkuar në javën e filmit, që mbahet nga 16-22 tetor. Në këtë edicion, “Bridge Film Fest” do të pranojë gjithsejtë 30 filma; 25 filma të metrazhit të shkurtër dhe 6 filma të metrazhit të gjatë, të cilët do të shfaqen në Mitrovicën veriore dhe atë jugore.

Festivali i Filmit në Mitrovicë organizohet për të dytën herë prej një grupi grash, të cilat janë bashkuar njëzëri për të ngritur paqësisht ura të reja komunikimi mes kulturash e etnish nëpërmjet artit. Ndikuar nga rrethanat ekonomiko-politike dhe ato sociale, ky festival është një përpjekje modeste për të ringjallur jetën kulturore të qytetit si dhe për të mbledhur personalitete paqësore, me ndikim të konsiderueshëm në proceset e ndërtimit të paqes, raporton Koha.net.

Nisur nga eksperienca e vitit të kaluar, edicioni i dytë mëton të sjellë figura të rëndësishme të kulturës, artit e politikës. Deri më tani është konfirmuar pjesëmarrja e personaliteteve të rëndësishme nga bota e filmit, qoftë si pjesëtarë të jurisë profesionale ose si të ftuar të veçantë.

Deri më tani, festivali është mirëpritur dhe mbështetur nga shumë institucione, të cilat do të bëhen të ditura në ditët në vazhdim.

Potencialisht, mbështetësi kryesor është Ambasada norvegjeze, e cila përveç mbështetjes financiare, është zotuar edhe për të lobuar në pjesën veriore të qytetit.

Nga ana tjetër, festivali është mirëpritur dhe përkrahur nga Komuna e Mitrovicës jugore. Procedurat e detajuara të përzgjedhjes së filmave do t’i gjeni në ueb-faqen e Festivalit – http://www.bridgefilmfest.net/.