LAJMI I FUNDIT:

Hapen dyer të reja për prodhuesit kosovarë

Hapen dyer të reja për prodhuesit kosovarë

Kompania vendore me pronarët Shefqet dhe Muhamet Ymeri, “Galanteria Group”dhe partneri nga Suedia Kompania “EC Plast & Barracuda Boats AB”, e përfaqësuar nga Esa Stenroos, të hënën kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me vlerë prej më shumë se 3 milionë eurosh.

Marrëveshja është nënshkruar në praninë e kryetarit të OEK-së Besim Beqaj, Ministrit të Ekonomisë dhe Financave Ahmet Shalës dhe Ambasadores së Suedisë në Kosovë, Ann-Sofie Nilsson.

Bazuar në një njoftim zyrtar të OEK-së marrëveshja obligon palën kosovare që në periudhën kohore njëvjeçare të eksportojë mallra gjegjësisht dru të përpunuar në vlerë prej miliona eurove në vendet skandinave Suedi, Finlandë, Norvegji, Islandë.

"Këto dy kompani nënshkruan edhe kontratën tjetër e cila ka te bëjë me ndërtimin e një fabrike për prodhimin e shtëpive montazhe nga kompania e njohur suedeze Constructa AB kompani".


Në njoftimin e OEK-ut thuhet se investimet totale për ndertimin e kësaj fabrike kapin shumën rreth 2 milionë euro.

"Kompania suedeze merr përsipër investimet në teknologji dhe objekt ndërsa kompania vendore merr përsipër sigurimin e lokacionit. Gjithashtu kompania suedeze merr përsipër marketingun e këtyre prodhimeve i cili është tregu i UE-së, tregu regjional dhe tregu i lindjes së mesme. Planifikohet që investimet të fillojnë në shtator".

OEK-ja po ashtu ka njoftuar se edhe në të ardhmen do të përkrahë bizneset vendore, sidomos sektorin prodhues që të krijojnë partneritet të shëndoshë me partner nga jashtë dhe në të njëjtën kohë produktet kosovare të depërtojnë në tregjet evropiane.

"Kjo, nuk ka dyshim se do të ndikojë me përmirësimin e imazhit të Kosovës përballë investitorëve të huaj dhe me siguri në të ardhmen hapa të tillë do të kenë përkrahjen edhe më të madhe nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare". /Telegrafi/