LAJMI I FUNDIT:

Hajriz Hajdari e pranon: E dëmtova Gjilanin pa qëllim

Hajriz Hajdari e pranon: E dëmtova Gjilanin pa qëllim

Gjyqtari i futbollit, Hajriz Hajdari, pranon se e ka dëmtuar klubin e futbollit Gjilani në humbjen që kjo skuadër pësoi javën e shkuar ndaj Prishtinës (1:0), në derbin e xhiros së 22-të.

Ngul këmbë se gabimi nuk ishte i qëllimshëm, por sido që të jetë, pasojat tashmë janë bërë dhe ato janë: skuadra e Gjilanit ka humbur ndeshjen, po ashtu kjo skuadër ka kërkuar që Hajrizi bashkë me pesë referë të tjerë të mos ndajnë drejtësi në ndeshjet e saj dhe së fundi, Hajrizi nuk është deleguar për xhiron që luhet këtë fundjavë.

E bashkë me të nuk janë deleguar as katër nga pesë referët tjerë, për të cilët Gjilani ka shtruar ankesë si dhe një tjetër, për të cilin është ankuar Besa se e ka dëmtuar në ndeshje me Llapin, po ashtu fundjavën që shkoi, shkruan sot Koha Ditore.


“Po, është e vërtetë që është dëmtuar Gjilani, por njerëz jemi, edhe ne gabojmë”, ka thënë Hajdari të enjten për gazetën.

Gjilani humbi 1:0 ndeshjen nga Prishtina të zhvilluar në kryeqendër. Gjilani u ankua se dy penallti nuk iu referuan, ndërkohë që u ankua edhe për penalltinë e lehtë të dhënë për Prishtinën.

Hajdari thotë se të gjitha vendimet ishin të drejta, por rastit të minutës së 79-të, kur një lojtar i Gjilanit u pengua brenda zonës, por Hajdari e vlerësoi si jashtë zonës ndërhyrjen dhe dha përparësi, meqë topi shkoi te një lojtar tjetër i Gjilanit.