LAJMI I FUNDIT:

Grupi i PS komision hetimor për shkarkimin e Topallit

Grupi i PS komision hetimor për shkarkimin e Topallit

Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste filloi procedurat për të hetuar dhe shkarkuar kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, raportoi të mërkurën e përditshmja Gazeta Shqiptare.

Burime nga Partia Socialiste i thanë të përditshmes se deputetët Erjon Braçe dhe Gazmir Bizhga janë ngarkuar nga kryetari i Grupit, Gramoz Ruçi që të ngrenë fillimisht një grup pune, i cili të mbledhë të gjitha të dhënat për shkeljet e Topallit dhe informacionin e plotë t’ia paraqesin grupit parlamentar.

“Topalli po abuzon me buxhetin e Kuvendit dhe ne s’kemi asnjë informacion në grup. Çfarë do të bëjmë me nismat që kemi thënë se do të merren për hetimin e saj?”, mësohet të ketë thënë Bizhga gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PS-së.

Sipas të përditshmes, Ruçi ka thënë se pas mbledhjes së informacionit nga grupi i punës, do të diskutohet për ndërmarrjen e kërkesës për ngritjen e komisionit hetimor për kreun e Kuvendit dhe më pas do të ketë një nismë edhe për shkarkimin e saj.


Ndonëse shpeshherë deputetët socialistë kanë akuzuar kryetaren e Kuvendit si “nxitëse të dhunës parlamentare” dhe “shkelëse të demokracisë në Parlament” nisma për shkarkimin e saj është shtyrë për shkak të mungesës së votave në Parlament.

PS ka ndërmarrë dy mocione mosbesimi ndaj Topallit, të cilave kryetarja e parlamentit u ka mbijetuar në të dyja rastet. /Telegrafi/