LAJMI I FUNDIT:

GNK: Plani Ahtisaari platforma më e mirë për statusin e Kosovës

GNK: Plani Ahtisaari platforma më e mirë për statusin e Kosovës

Në një letër drejtuar kryetarëve të shteteve të vendeve të Bashkimit Evropian, presidenti i Grupit Ndërkombëtar të Krizave, Gareth Evans, thotë se BE-ja ka një mundësi historike për të dërguar një mesazh të qartë se është e gatshme të marrë rolin udhëheqës, kur kryetarët e shteteve dhe qeverive të takohen në Këshillin e Evropës, më 14 dhjetor.

Evans shkruan se përmbajtja e mesazhit duhet të marrë formën e një deklarate të Këshillit, ku do të theksohet se, Treshja e ka përmbushur mandatin e saj dhe, komuniteti ndërkombëtar, veçanërisht BE-ja, ka eksploruar çdo variant të mundshëm me Beogradin dhe Prishtinën, për të gjetur një zgjidhje të pranueshme nga të dy palët.

Po ashtu, kjo deklaratë sipas tij, duhet të theksoi se, Plani Ahtisaari për pavarësi të mbikëqyrur, është platforma më e mirë për zgjidhjen e statusit të Kosovës; dhe Bashkimi Evropian, në bashkëpunim me eksponentë ndërkombëtarë duhet të marrë shpejt përsipër një rol të rëndësishëm në Kosovë për zbatimin e Planit Ahtisaari, përfshirë edhe përgatitjet e tij, për vendosjen e një misioni evropian për sigurimin dhe mbrojtjen, si dhe hapjen e një zyre civile ndërkombëtare.

Evans thekson se ky mesazh duhet t’i dërgohet Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon, para se Këshilli i Sigurimit të mblidhet, më 19 dhjetor, për të diskutuar për Kosovën. /VoA/