LAJMI I FUNDIT:

Gjyqtarët në sprovë, nesër testi i dytë fizik

Gjyqtarët në sprovë, nesër testi i dytë fizik

Referët e Superligës dhe Ligës së parë do të sprovohen të mërkurën, në një test fizik të cilin do ta organizojë Komisioni i Gjyqtarëve të Federatës. Kryetari i këtij të fundit, Përparim Hasani tregon se tash e tutje do të mbahen katër teste fizike gjatë një sezoni, për t’i detyruar gjyqtarët që të jenë në formën e duhur fizike gjatë tërë kohës.

Komisioni i Gjyqtarëve, pranë Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) po tregohet mjaft i kujdesshëm, sa i përket mbajtjes së formës së gjyqtarëve të Superligës dhe Ligës së Parë.

Ky Komision, që drejtohet nga kryetari Përparim Hasani, ua ka ‘shtrënguar’ me të madhe referave, të cilët do t’i vë në sprovë sërish, duke e organizuar nesër testin fizik për ta, duke filluar nga ora 10:00 në stadiumin ‘Adem Jashari’ në Mitrovicë.

Sipas Hasanit, tash e tutje gjyqtarët do t’i nënshtrohen së paku nga dy herë gjatë një stinori, respektivisht 4 herë gjatë një sezoni të plotë testeve fizike, në mënyrë që të ketë një pasqyrë reale për përgatitjen fizike të gjyqtarëve.


Për referat që nuk e kalojnë testin apo mungojnë pa arsye, nuk do të ketë pardon. “Gjyqtarët duhet të jenë sa më të përgatitur dhe për këtë do të bëjmë teste fizike nga dy herë gjatë një stinori, siç bëjnë në Shqipëri dhe në vendet tjera. Do t’u përshtatemi atyre kushteve”, deklaroi fillimisht për Express, ish gjyqtari më i mirë në Kosovës.

“Gjyqtarët që nuk do ta kalojnë testin, sezoni do të përfundojë për ta. Edhe ata që mungojnë e që nuk kanë arsye, s’kanë çka lypin në vazhdim të sezonit”, vazhdoi ai.

Tash e tutje, Komisioni i Gjyqtarëve do të jetë më rigoroz dhe në dijeni për formën fizike të gjyqtarëve, të cilëve u duhet jo pak të vrapojnë gjatë një ndeshjeje. /Express/Telegrafi/