LAJMI I FUNDIT:

Gjykata penale ndërkombëtare dhe Kodi Penal i Kosovës

Kodi Penal i Kosovës përfaqëson modelin e kodeve penale në të cilat organet ligjdhënëse të shteteve kanë inkorporuar në brendinë e tyre, të thuash, të gjitha llojet e veprimeve kriminale të cilat i adreson Statuti i Gjykatës Penale Ndërkombëtare. Në këtë aspekt, përveç tjerash, vlerësohet të ketë ushtruar ndikim edhe fakti se popullsia shumicë e Kosovës, jo më larg se dymbëdhjetë vite më parë, kishte përjetuar gjenocidin e egër serb të shoqëruar me zbatimin e veprimeve nga më të vrazhdat dhe më barbaret të cilat i përjetoi njerëzimi gjatë historisë. Së këndejmi, përmes një zgjidhje të tillë Kosova- shteti më i ri i Evropës adresoi mesazhin përmes të cilit bëri me dije botën e përparuar se në truallin e saj nuk do të lë hapësirë për përsëritjen e veprimeve të ngjashme, gjegjësisht se të njëjtat do t’i ndëshkojë në çdo situatë të mundshme të paraqitjes së tyre. Kështu, autoritetet kompetente të vendit përmes kësaj zgjidhje u orvatën të japin kontributin e tyre modest në kultivimin dhe ruajtjen e paqes dhe vlerave tjera mbarënjerëzore.

Në çështjen e shtruar, vështruar në kontekst të veprave penale që i përmban Statuti i Gjykatës Penale Ndërkombëtare dhe që nuk i përmban Kodi Penal i Kosovës, kam ardhur në përfundim se ky Kod jo vetëm që i është përmbajtur besnikërisht zgjidhjeve të adresuara në Statutin e kësaj gjykate, por në fakt janë shënuar raste kur zgjidhjet e tij, vështruar në kontekst të përmbajtjes, edhe kanë zgjeruar zonën inkriminuese. I tillë vlerësoj të jetë inkriminimi i adresuar në nenin 121, paragrafi 2, nënparagrafi 10 i cili u referohet krimeve të luftës të cilat paraqesin shkelje të rëndë të ligjeve dhe zakoneve që zbatohen në konfliktet e armatosura që nuk kanë karakter ndërkombëtar, e i cili ka këtë përmbajtje: "Deklarimi se nuk do të ketë aspak mëshirë".

Në fakt, konsideroj të ketë kuptim më të gjerë se zgjidhja e dhënë në Statutin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare, neni 8, paragrafi 2, nënparagrafi (e) , pika (X), që ka këtë përmbajtje: "Deklarimi se nuk do të ofrohet vendosja dhe ushqimi".


Kjo përmbajtje më e gjerë sipas mendimit tim është rezultat i faktit se zgjidhja që adreson Kodi Penal i Kosovës në inkriminimin "Deklarimi se nuk do të ketë aspak mëshirë", përveç që përfshinë në vete zgjidhjen gjegjëse të Statutit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare, ajo në të vërtetë përfshinë edhe aspekte të tjera që rezultojnë me mungesë mëshire gjatë konflikteve të armatosura që nuk kanë karakter ndërkombëtare psh., mungesën e mëshirës në raport me shëndetin e rëndë të personave të pambrojtur.

Ndërsa në raport me parimet çështja qëndron shumë më ndryshe. Në fakt, në këtë aspekt, ndryshimi manifestohet, të paktën, në tri drejtime:

1. Së pari, Statuti i Gjykatës Penale Ndërkombëtare,në pjesën e tretë të tij, ofron një listë të gjerë parimesh mbi bazën e të cilave mbështetet puna dhe funksionimi i Gjykatës Penale Ndërkombëtare, kurse kështu nuk qëndron gjendja sa i përket Kodit Penal të Kosovës. Në fakt, Kodi Penal i Kosovës, në kuadër të dispozitave të përgjithshme të tij adreson vetëm parimin e ligjshmërisë dhe atë të zbatimit të ligjit më të favorshëm. Ndërsa disa parime të tjera, siç është Parimi Ne Bis in Idem, i adreson në mënyrë të shpërndarë, gjegjësisht në dispozita tjera të brendshme të tij.
2. Së dyti, disa parime që i përmban Statuti i Gjykatës Penale Ndërkombëtare e që i ngërthen në vete edhe Kodi Penal i Kosovës reflektojnë zgjidhje që pak a shumë ndryshojnë në mes vete. I tillë është parimi që adreson çështjen e mundësisë së gjykimit nga ana e Gjykatës Penale Ndërkombëtare të personave, që për veprat penale të parapara me Statut, më parë janë ndëshkuar, përkatësisht dënuar nga gjykatat tjera. Në fakt, në këtë rast fjala është për një parim që tejkalon konceptet e një parimi të kundërt me të, përkatësisht të një parimi bazik të drejtësisë- atij të mos gjykimit të personit i cili për veprën e njëjtë është dënuar me aktgjykim të formës së prerë. Kështu, deri sa Statuti i Gjykatës Penale Ndërkombëtare parasheh shprehimisht rregulla mbi bazën e të cilave lejohet mundësia e rigjykimit të një personi të gjykuar nga një gjykatë tjetër për një vepër që bie nën jurizdiksionin e saj, Kodi Penal i Kosovës këtë çështje nuk e adreson në një mënyrë të tillë. Pavarësisht kësaj, edhe Kodi Penal i Kosovës përjashtimisht e lejon mundësinë e rigjykimit të një personi për një vepër për të cilën është gjykuar me aktgjykim të formës së prerë të një gjykate tjerë, por që një mundësi e tillë, në fakt, kryesisht buron nga konteksti që ligjdhënësi u ka dhënë zgjidhje dispozitave gjegjëse të tij.

Së këndejmi, Statuti i Gjykatës Penale Ndërkombëtare në nenin 20, paragrafin 3 të tij lejon mundësinë e rigjykimit të një personi të gjykuar nga një gjykatë tjetër nëse procedura e zhvilluar nga ajo gjykatë:

1. Ka pasur për qëllim mbrojtjen e personit në fjalë nga përgjegjësia penale për krimin e kryer që bie brenda jurizdiksionit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare ose

2. Në çfarëdo mënyre nuk ka qenë e administruar në mënyrë të pavarur e të paanshme, në pajtim me normat e procesit të rregullt të njohura nga e drejta ndërkombëtare, por është zhvilluar në mënyrën që, në rrethanat përkatëse, kanë qenë në mospajtim me qëllimin që personi në fjalë të sjellet para drejtësisë.

Në anën tjetër Kodi Penal i Kosovës në nenin 103 shprehimisht parasheh se procedura penale nuk do të fillohet në Kosovë:

1. Nëse kryesi ka mbajtur në tërësi dënimin e shqiptuar nga një jurizdiksion tjetër,
2. Kryesi në një jurizdiskion tjetër është dënuar me aktgjykim të plotfuqishëm ose është liruar nga dënimi ose dënimi është parashkruar dhe
3. Kur procedura penale për veprën e kryer në një jurizdiksion tjetër mund të fillohet vetëm sipas kërkesës së të dëmtuarit dhe një kërkesë e tillë nuk është paraqitur.

Porse, siç u theksua më lart, në raste specifike edhe Kodi Penal i Kosovës parasheh mundësinë që kryerësi i veprave penale të caktuara të mund të gjykohet nga një gjykatë vendore për të njëjtën vepër për të cilën ai është gjykuar nga gjykata e një shteti tjetër. Një mundësi e tillë, përveç tjerash, rezulton nga zgjidhja e dhënë në nenin 104 sipas të cilit çdo heqje lirie, përfshirë pjesën e dënimit të mbajtur sipas një aktgjykimi të gjykatës së huaj, duhet llogaritur në dënimin e shqiptuar në Kosovë për të njëjtën vepër. Rrjedhimisht, në kontekst të zgjidhjeve të dhëna në Kodin Penal të Kosovës rigjykimi i një personi mund të bëhet nga gjykatat e Kosovës vetëm në rastet e veprave penale të rënda, siç janë ato kundër Kosovës dhe banorëve të saj, dhe atë vetëm në rastet kur vlerësohet se dënimi i shqiptuar nga gjykata e huaj nuk ka qenë në përputhje me shkallën e rrezikut që ka manifestuar vepra e tillë ndaj vlerës së mbrojtur.

Së treti, Statuti i Gjykatës Penale Ndërkombëtare i përmban disa parime të cilat nuk i përmban fare Kodi Penal i Kosovës. Të tilla parime janë:

1. Parimi që adreson çështjen e përjashtimit të jurizdiksionit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare ndaj personave që kanë kryer çfarëdo vepre të paraparë me Statutin e kësaj gjykate e të cilët në kohën e kryerjes kanë qenë nën moshën tetëmbëdhjetë vjeçare. Një përjashtim i tillë vlerësohet i arsyeshëm mbështetur në shumë rrethana, zgjidhje e rekomandime që vijnë nga aktorë relevantë, ligje e konventa që adresojnë nevojën për tretman të posaçëm ndaj personave të tillë, që në të drejtën penale quhen persona të mitur, tretman i cili, në shumë aspekte, është vështirë të sigurohet në rastet kur personat e tillë do të gjykohen jashtë shtetit të tyre. Kodi Penal i Kosovës personat që u përkasin grup moshave ndërmjet 14 – 18 vjeçare i konsideron penalisht përgjegjës për të gjitha veprat penale të përcaktuara me legjislacionin në fuqi që ata dyshohet t’i kenë kryer, përfshirë veprat penale kundër njerëzimit dhe të drejtës ndërkombëtare, ashtu që ndaj tyre, në kushtet e parapara me ligj, pa asnjë pengesë mund të iniciohet dhe zhvillohet procedurë penale konkrete.
2. Parimi që adreson çështjen e pavlefshmërisë së imunitetit apo të rregullave speciale procedurale, që mund t’i jenë bashkëngjitur pozitës zyrtare të personit sipas të drejtës kombëtare apo asaj ndërkombëtare në relacion me ushtrimin e jurizdiksionit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare.

Sipas këtij parimi imuniteti apo rregullat speciale procedurale që janë rrjedhojë e pozitës zyrtare të kryerësit të veprave penale të parashikuara më Statutin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare nuk paraqesin kurrfarë pengese për ushtrimin e jurizdiksionit të saj ndaj një personi të tillë. Ky rregull i referohet çdo lloj imuniteti, qoftë ai produkt i të drejtës së brendshme apo asaj ndërkombëtare.

Ky parim, decidivisht nuk është parashikuar në Kodin Penal të Kosovës. Pavarësisht kësaj Kushtetuta e Kosovës imunitetin e zyrtarëve vendor nuk e konsideron pengesë për zhvillim të procedurës penale. Kështu, një deputet që dyshohet për kryerje të një vepre penale mund të ndiqet penalisht dhe t’i nënshtrohet procedurave hetimore. Për kundër kësaj, në relacion me të huajt imuniteti që ata gëzojnë i bën të njëjtit të paprekshëm në çdo situatë, përfshijnë ato që rezultojnë me dyshime për përfshirje të tyre në veprimtari kriminale. Shembull tipik është ai i vrasjes së dy protestuesve në Prishtinë në vitin 2007 nga ana e policëve rumunë që ishin me shërbim në Kosovë.

3. Parimi që adreson çështjen e ndëshkimit të kryerësve të veprave penale që bien në kompetencë të Gjykatë Penale Ndërkombëtare nga ana e kësaj gjykate edhe në situatat kur:

• Ai person përkitazi me sjelljen, në lidhje me veprën penale mendon të angazhohet në atë sjellje
• Ai person përkitazi me pasojën e veprës penale mendon të shkaktojë atë pasojë, apo është i vetëdijshëm se ajo do të paraqitet sipas rrjedhës së rregullt të ngjarjeve.

Për dallim nga kjo zgjidhje Kodi Penal i Kosovës nuk parasheh asnjë mundësi të ndëshkimit të një personi për faktin se ai ka menduar ta ndërmarrë një veprim kriminal ose të shkaktojë një pasojë me atribute të veprës penale.