LAJMI I FUNDIT:

Gjeniu Leonard Bernstein

Gjeniu Leonard Bernstein

Kompozitori, dirigjenti, frymëzuesi, i dyshuari i FBI-së… Leonard Bernstein u lind 100 vjet më parë dhe Proms – sezoni veror që zgjat tetë javë në Londër (The Royal Albert Hall), me koncerte ditore të muzikës klasike – do të shënojë veprën e tij. Muzikantët, kritikët dhe familja e tij e kujtojnë për ditoren Guardian këtë talent të mahnitshëm. Pjesë të shkrimeve të tyre i transmeton Telegrafi më poshtë.

MARIN ALSOP, DIRIGJENT: BERSTEIN INSPIRUESI

Bernstein ishte brilant në shumë fusha: dirigjent gjenial, kompozitor, autor, pianist, mendimtar, aktivist, edukator dhe zbavitës. Por, për mua, gjenialiteti i tij ishte në ndërlidhjen e pikave mes gjithë këtyre gjërave. Çdo gjë që ai lexoi dhe përjetoi ndikoi në gjithçka që ai mendonte dhe bënte. Mendoj se dikur tha se nuk e dinte nëse e donte muzikën apo njerëzit më shumë. Kishte pasion, entuziazëm dhe kureshtje të madhe e të pakufishme për botën tonë. Bernstein nuk mendonte për arsimin dhe muzikën si pjesë të ndara; për të ato ishin pjesë e një qasjeje sistematike, organike, edukative. Ai ishte në ballë të të mësuarit ndërdisiplinor – njëkohësisht një koncept radikal dhe një kthim mbrapa te grekët e lashtë. Arsimi në tërësi ishte i rëndësishëm për të: informacion si ushqim, burim energjie dhe, më e rëndësishmja, si mundësi…


Në qytetin që e donte, në Nju Jork (banesën e tij të re, 1947)

JOHN MAUCERI, DIRIGJENT: DIRIGJENTI BERNSTEIN

Për herë të parë e takova Bernsteinin në vitin 1971. U bëra asistent i tij, pastaj dirigjova shumë nga veprat e tij. Gjëja e parë që më tha teksa u ulëm për një sandviç ishte se besonte se çdo kryevepër u ndërtua në një tempo të vetëm dhe se të gjitha shpejtësitë e muzikës janë të lidhura me atë shtyllë qendrore. Ai ishte dirigjent shumë fizik. Stili i tij nuk ishte për shijen e të gjithëve… Ai më tha se e urren mënyrën se si duket kur dirigjonte, duke shtuar se “kur e bëj këtë e marr tingullin që dua”. Për të Beethoveni ishte kompozitori më i madh i të gjitha kohërave. Emisioni i tij i parë televiziv ishte me Simfoninë e V-të të Beethovenit. Beethoveni kurrë nuk ju lë në baltë, tha ai, sepse çdo gjë që shkroi tingëllon. Ai nuk ndihej mirë kur dirigjonte Wagnerin: si hebre e kishte të vështirë të ndante muzikën e tij nga shkrimet e tij antisemite dhe nga mënyra se si ishte përdorur nga nazistët. Megjithatë, e donte mendjen dhe balancën e Haydnit, ndërsa shquhej për interpretimet e Mahlerit – një kompozitor shumë afër zemrës së tij…

Ndjesia për Mahlerin… Bernsteini duke dirigjuar Orkestrën Simfonike të Bostonit (1970)

BARRY SELDES, AUTOR: BERNSTEIN AKTIVISTI

Që nga fëmijëria e tij e hershme e deri në vdekjen e tij, Bernstein ishte i palëkundur në mbështetjen për kauzën liberale. Ishte politikisht aktiv gjatë gjithë jetës. Si student në vitet 1930, e dirigjoi veprën e Marc Blitzsteinit (The Cradle Will Rock) që flet për korrupsion dhe lakminë e korporatave. Policia lokale e raportoi në FBI, ku dosja për muzikantin e ri u rrit gjatë 15 viteve të ardhshme… Jo vetëm që Bernstein ishte subjekt i FBI-së për mbështetjen e tij për të ndihmuar rusët gjatë luftës dhe pas lufte refugjatët e fashizmit, por edhe për mbështetjen e tij për të drejtat civile për afro-amerikanët. Në vitin 1949 u etiketua si komunist dhe u fut në listën e zezë: muzika e tij u ndalua nga rrjeti CBS dhe nga filmat. Tek në vitin 1953, kur nënshkroi një deklaratë prej 11 faqeve duke thënë se nuk ishte komunist, u hoq nga lista e zezë, u angazhua nga Warner Brosi për të kompozuar muzikën për filmin “On the Waterfront” dhe u shfaq në CBS. Në vitin 1957, si dirigjent i Filarmonisë së Nju Jorkut ishte plotësisht i rehabilituar. Nën presidentin Kennedy, një mik personal i tij, Bernstein u inkurajua të fliste publikisht në emër të lëvizjes për të drejtat civile. Ai ishte pjesë e “Stars for Freedom”, koncertit të organizuar nga Harry Belafonte për të frymëzuar 25,000 marshues nga Selma në Montgomeri në kërkim të të drejtave të votimit. Ai marshoi kundër Luftës së Vietnamit, por kur më 1970 organizoi një gosti për të mbledhur fonde për grupin Black Panther, u akuzua për veprimtari kriminale dhe, për më keq, kur mbështeti aktivistin kundër luftës, Daniel Berrigan, e gjeti veten në anën e gabuar të jo vetëm FBI-së po edhe të shumicës së mediave liberale. Për fat të mirë, Watergate e shkatërroi Nixonin dhe Hoover vdiq para se të mund të shkatërronin karrierën e dirigjentit.

Gjatë diskutimeve me studentët

HUMPHREY BURTON, STUDIUES: BERNSTEINI SI YLL TELEVIZIV

Shpesh isha në SHBA në fillim të viteve 1960 për të bërë filma për Monitor (programin e artit të BBC-së), kështu që e pash nga afër mënyrën se si Lenny Bernstein mbizotëronte ekranin televiziv amerikan. Erdhi i ngrohtë, i zgjuar, gjithëpërfshirës, emocionues. Ai ishte ndikimi më i madh tek ne prodhuesit e programeve, kur nisëm me BBC2 dhe kur e shtuam sasinë e muzikës klasike në televizor. Lexuesit më të rinj nuk mund të kenë idenë e ndikimit të tij, se si krijoi një oreks për muzikën klasike…

Mësuesi… pamje nga një emision televiziv (1965)

JAMIE BERNSTEIN, E BIJA E GJENIUT: BERNSTEINI SI BABA

Ishte një baba tepër i vëmendshëm dhe i dashur. Natyrisht që ka pasur shumë mungesa të zgjatura, kur udhëtonte dhe nganjëherë ishte frustruese ta ndaja me pjesën tjetër të botës. Por, kur ishte në shtëpi, ishte tamam i pranishëm. Kishim darka të mëdha dhe luanim lojëra me fjalë. Kishim kohën e duhur familjare: prindërit e mi, vëllai im i vogël, motra dhe unë. Ai donte të ndante çdo gjë me të cilën nxitej dhe kjo ishte gjithçka – nga Lewis Carroll te Gilberti dhe Sullivani e deri te rutinat e estradës që i kujtonte nga fëmijëria. Ishte sikur dy njerëz të ndryshëm u bllokuan në një trup. Ishte ana që e shoqëronte çdo herë – dirigjent dhe mësuesi në të; por pastaj ka pasur anën e kompozitorit – e për të kompozuar nevojitet vetmia. Kompozimi ishte gjithmonë një proces i çrregullt. Ai urrente të ishte i vetëm, por duhej ta bënte këtë. E konsideronte veten kryesisht si kompozitor dhe mendoj se do të ishte i kënaqur të shihte se si do të interpretohej muzika në këtë njëqindvjetor. Tingëllon më mirë se kurrë – e freskët sa një margaritar. Gjatë jetës së tij, një kompozitor “serioz” duhej të shkruante muzikë me 12 tone, por meqë shkruante melodi “të bezdisshme” të cilat kurrë nuk u përqafuan nga akademia, ai nuk u njoh si kompozitori i madh, diçka që në fakt ishte. Gjatë jetës së tij donte të kujtohej më shumë për muzikën, por kjo nuk ndodhi e ndonjëherë e bënte të çmendur – por jo për një kohë të gjatë. E pranoi se si ishin gjërat dhe e kaloi jetën duke u përpjekur për ta bërë botën një vend më të mirë…

Prindi i mirë… Jamie Bernstein “ndihmon” babanë teksa punon (1950)

DREW MCONIE, KOREOGRAF: TEATRI MUZIKOR I BERNSTEINIT

Kur isha i ri lëshonim kasetat e teatrit muzikor në makinë. Kisha dy këngë të preferuara që i lëshoja vazhdimisht: “New York, New York” (nga “On the Town”) dhe “Dance West Side Story në Gym”. Disa vjet më vonë kuptova se të dy ishin në të vërtetë të shkruara nga i njëjti person! Ashtu si shumë njerëz, puna e parë e Bernsteinit që e njoha mirë ishte “West Side Story”. Isha i mahnitur nga kombinimi i shprehjes emocionale përmes muzikës dhe gjenisë së koreografisë, Jerome Robbins. Nuk mund të ketë asnjë shembull më të mirë të bashkëpunimit të pastër, të të dy formave të artit që me të vërtetë pushtojnë njëra-tjetrën. Teatri muzikor i Bernsteinit gjithmonë tregon një histori… Ai krijoi botë inteligjente e emocionale ku personazhet e tij me të vërtetë mund të jetojnë…

Pamje nga mjuzikli “On The Town”

ANTONIO PAPPANO, DIRIGJENT: BERNSTEINI SI SIMFONIST

Doja të shënoja qindvjeçarin e Bernsteinit ndryshe, dhe u përcaktova te simfonitë si cikël, vepra që i çmoj shumë. I kam regjistruar që të tri (simfonitë) me Orkestrën e Akademisë së Santa Cecilias, dhe do ta sjell një në Proms. Bernstein e donte ngjyrën dhe ngrohtësinë e orkestrës. Kompozimet e tij u dëmtuan nga shumë bashkëkohës të tij – se ai nuk u përshtatet me muzikën e Darmstadtit, të Boulezit, të avangardës – por Lenny bëri më shumë për muzikën e re amerikane sesa të gjithë të tjerët bashkë. Bernsteini i përshkruante simfonitë e tij si një krizë besimi, por gjithmonë duke kërkuar shpengimin, për ripërtëritje të besimit. Shikoni se çfarë na hedh Perëndia – është e vështirë të jesh hebre, e vështirë të jesh i krishterë, të jesh fetar – është tema mbizotëruese e ciklit. Simfonia e tij e parë, “Jeremiah”, u shkrua në vitin 1942 – një kohë kur bota ishte një vend shumë i errët. Simfonia e tij e tretë dhe e fundit, “Kaddish” (1963) është një përgjigje ndaj vrasjes së JF Kennedyt…

SCARLETT STRALLEN, AKTORE DHE KËNGËTARE: BERNSTEINI, FAVORITI I KËNGËTARËVE

Nuk mendoja se e vlerësoja plotësisht gjenialitetin e Bernsteinit, derisa nuk e mësova temën “Candide” (operetë). Cunegonde është karakteri më i preferuar që kam luajtur ndonjëherë… Gjithçka është në muzikë. E tëra që këngëtari duhet të bëjë është të dalë e të japë atë që ka shkruar Bernsteini dhe karakteri merr jetë. Gjithçka është bërë për ty në notat e shkruara. Për mu gjenialiteti i Bernsteinit është si një Shakespeare apo Sondheim – çdo notë apo fjalë është me qëllim, për karakterin…

ALEX ROSS, KRITIK: BERNSTEIN DHE AMERIKA SOT

Reputacioni muzikor i Bernsteinit duket më i madh sot sesa në vitet e para pas vdekjes së tij. Teksa veprat dalin nga hija e madhe e personalitetit të tij, ato tregojnë virtytet e tyre të çuditshme: komandën e gjuhëve të shumta muzikore, kontradiktat e guximshme të zhanreve dhe stileve, ndjeshmërinë politike dhe natyrisht rrjedhshmërinë e invencionit… Qëndrimi i Bernsteinit, paaftësia e tij për të thënë diçka tjetër përveç asaj që ai me të vërtetë donte të thoshte, është ajo që na mungon sot. Dikush mund të paramendojë se të bërtitura nga zemërimi spektakli i Donald Trumpit do të kishte nxjerr prej tij. Amerika gjithëpërfshirëse që Bernsteini e njihte e donte dhe mishëronte, duket shumë larg sot. /Telegrafi/