Gjashtëdhjetë vjet pas Krizës së Raketave në Kubë, ShBA-ja e ka marrë mësimin – por jo Putini
Nga: Vladislav Zubok, profesor i historisë ndërkombëtare në LSE (London School of Economics) / The Guardian
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com
Shumë kriza të mëdha të së shkuarës janë reduktuar në përvjetorë: dalin për një ditë në qendër të vëmendjes së medias dhe më pas zhduken për një vit ose një dekadë tjetër. Përvjetori i sivjetshëm i Krizës së Raketave në Kubë, megjithatë duket ndryshe. Papritur e kaluara po na kapton. Në shtator, Vladimir Putini tha se në rastin e “një kërcënimi për integritetin territorial të vendit tonë, për ta mbrojtur Rusinë dhe popullin tonë ne sigurisht që do t’i përdorim të gjitha mjetet që kemi në dispozicion. Ky nuk është blof.” Ky fjalim dashakeqës u interpretua nga shumë njerëz si tregues se udhëheqësi rus mund t’i përdorte armë bërthamore për ta parandaluar humbjen dhe poshtërimin e tij në Ukrainë. Kështu, drama që u luajt 60 vjet më parë, çuditërisht ka rezonancë të freskët.
Në maj 1962, Nikita Hrushovi doli me idenë që ai mendoi se ishte e shkëlqyer: t’i dërgonte raketa balistike me koka bërthamore, për në ishullin e Kubës – pa e ditur ShBA-ja këtë. Ky projekt i vrullshëm, i zbatuar me nguti, rezultoi në incidentin më të madh të lojës me armët bërthamore në histori. Në kujtimet gojore të redaktuara nga djali i tij Sergei, Hrushovi shtjelloi motivet e veta. Ai kishte frikë se amerikanët arrogantë do të përpiqen të përmbysnin regjimin e Castros, duke poshtëruar kështu Bashkimin Sovjetik – sponsorin e Kubës. Raketat u dërguan si parandalim.
Ushtria sovjetike e përqafoi me entuziazëm idenë e Hrushovit. Ata kërkuan korrigjimin e ekuilibrit ushtarak që ishte në favor të ShBA-së. Revolucionarët kubanë gjithashtu e miratuan këtë. Megjithatë, askush nuk e pyeti Hrushovin se çfarë do të ndodhte nëse amerikanët do t’i zbulonin raketat gjatë rrugës për në Kubë, para se të ishin gati, ose nëse do të reagonin dhunshëm ndaj tyre pasi ato instalohen. Nuk kishte “Plan B”.
Ky dështim u ndërlikua nga planifikimi i lodhshëm sovjetik. Kreu i Forcës Strategjike të Raketave, Marshalli Sergei Birjuzov, i premtoi Hrushovit se amerikanët nuk do t’i zbulonin raketat sovjetike, sepse palmat do t’i mbulonin ato. Një ekspert, i cili e njihte më mirë vegjetacionin e Kubës, donte të kundërshtonte, por menjëherë eprori ia shkeli këmbën nën tavolinë, që ai ta mbyllte gojën. Nuk është monopol sovjetiko-rus tradita për t’ua thënë shefave atë që duan të dëgjojnë, duke fshehur realitetet e sikletshme nën qilim. Megjithatë, tradita me të vërtetë lulëzoi nën sovjetikët dhe e shtrembëroi vendimmarrjen, madje edhe në situatat mes jetës dhe vdekjes.
Sidoqoftë,, ushtria sovjetike arriti të bëjë atë që dukej pothuajse e pamundur: dërguan 42 mijë trupa, krahas raketave taktike dhe atyre me rreze të mesme me koka bërthamore, përmes Kanalit dhe përtej Atlantikut pa marrë vesh inteligjenca britanike dhe amerikane. Në fillim, stuhitë tropikale penguan aeroplanët e zbulimit U-2 t’i zbulonin raketat sovjetike në vend, por kur moti u përmirësua, ndodhi e pashmangshmja – palmat dolën se nuk ishin të mjaftueshme për maskim.
Basti i Hrushovit e vuri Kennedyn nën presion të jashtëzakonshëm, për të autorizuar goditjen e parë kundër Bashkimit Sovjetik. Martin Sherwin, në historinë e tij të fundit për këtë krizë, shkruan se ushtria amerikane ishte po aq e gatshme sa homologët e tyre për ta zhvilluar luftën bërthamore. Për fat të mirë, ata ishin më pak të papërgjegjshëm dhe i kushtonin më shumë vëmendje detajeve. Ata ia pranuan Kennedyt se nuk mund të garantonin zhdukjen totale të raketave sovjetike. Kjo ftohu temperamentin në Shtëpinë e Bardhë dhe e zhvendosi diskutimin në bllokadën ushtarake.
Hrushovi nisi ta kërkojë daljen. U ndihmua nga Shtëpia e Bardhë, e cila e hapi një linjë të fshehtë komunikimi nëpërmjet ambasadorit sovjetik. Në mënyrën e tij të zakonshme, e bëri tërheqjen – pa planifikim dhe me nxitim. Ishte gjë e çrregullt dhe poshtëruese. Teksa bota reagoi me një psherëtimë të madhe lehtësimi, Hrushovi u përpoq ta përshkruante humbjen e tij të turpshme si “fitore”. Përsëri Shtëpia e Bardhë e ndihmoi udhëheqësin sovjetik, duke rënë dakord për një shkëmbim të fshehtë: do t’i largonte nga Turqia raketat amerikane të dala nga përdorimi. Megjithatë, kjo nuk mund të kompensonte perceptimin se Hrushovi “dridhej”. Kolegët e tij, të cilët prisnin në heshtje, dy vjet pas krizës dhanë vendimin përfundimtar për autoritetin e tij. Të ngopur me paparashikueshmërinë e tij dhe të frikësuar nga pamaturia e tij, e larguan nga pushteti.
Diskutimi i sotëm i lojërave me armët bërthamore, zhvillohet në një mjedis krejtësisht të ndryshëm, por disa njerëz kanë mësuar nga marrëzitë e vitit 1962 – më shumë se të tjerët. Ekziston një bibliotekë e tërë me libra të shkëlqyer të historianëve amerikanë, për Krizën e Raketave në Kubë. Konferencat, seminaret dhe “lojërat” e panumërta janë zhvilluar në përpjekjen për të nxjerr mësime. Nuk është çudi pse Bideni, populli i tij dhe ushtria amerikane nuk e ndajnë më qasjen “pamenduar” të epokës së Kennedyt, ndaj luftës bërthamore. Përkundrazi, janë jashtëzakonisht të kujdesshëm dhe të vëmendshëm ndaj rreziqeve më të vogla të përshkallëzimit në Ukrainë. Dhe, janë të vendosur se duhet të ruhet tabuja për përdorimin e armëve bërthamore.
Në Moskë, ambienti është krejtësisht i kundërt. Putini, propagandistët e tij dhe ushtarakët e lartë nuk thonë më “se lufta bërthamore nuk duhet të zhvillohet”. Në vend të kësaj, ata duket se po e ushqejnë frikën e konfliktit bërthamor. Historia e bastit dhe e tërheqjes së Hrushovit diskutohet rrallë dhe detajet e saj nuk janë përpirë nga grupi aktual i vendimmarrësve. Shumë dosje të rëndësishme mbeten ende sekrete dhe të harruara, duke mbledhur pluhur në arkiva.
Ashtu si 60 vjet më parë, shumëkush në rrethin e Putinit është përpjekur të gjejë se si ai mund të jetë në gjendje të çlirohet nga situata që ka krijuar. Përshkallëzimi bërthamor duket se është zholi që Putini dëshiron ta mbajë në lojë. Çfarë do të bëjë nëse i vijnë më shumë tërheqje dhe poshtërime? Diskutimi tenton të shkojë në një vërtitje, duke u fokusuar në megalomaninë e Putinit dhe në zakonin e tij për t’i befasuar njerëzit. E gjithë kjo lë vend për një nivel shqetësues për pasigurinë. Është e qartë se Putini synon ta mbajë atë kështu. Deri tash, sundimtari rus e lidh ruajtjen e “sovranitetit” të Rusisë jo me diplomacinë e suksesshme, por me përmbajtjen bërthamore dhe, nëse është e nevojshme, me politikën e lojës me zjarrin.
Ka një tjetër zhol në paketën aktuale: politikanët e Ukrainës dhe ushtria e saj. Shumë prej tyre pendohen që hoqën dorë – pas kolapsit sovjetike – nga statusi i shtetit bërthamor. Në të njëjtën kohë, i hedhin poshtë kërcënimet e Putinit si vërtitje e tehut të shpatës. Kjo është e vetmja logjikë tash: ukrainasit janë të vetëdijshëm për epërsinë e tyre të re në armët konvencionale dhe duan ta shtojnë në maksimum avantazhin e tyre.
Kjo, megjithatë, krijon një trekëndësh të pakëndshëm. Ofensiva e Ukrainës, e mbështetur nga armët dhe inteligjenca amerikane, është bërë pjesë e një rrjeti të pasigurt të sigurisë ndërkombëtare. A do të shkojnë tutje ukrainasit, që ta rifitojnë gjithë territorin e tyre të humbur, apo do të ndalen në kufirin e Krimesë? A do të fillojnë ta bombardojnë Sevastopolin me raketahedhësit e ofruara nga ShBA-ja? Nëse e bëjnë këtë, do të rritej shumë presioni ndaj Putinit për një përshkallëzim.
Imagjinoni se çfarë do të kishte bërë Kennedy në tetorin e vitit 1962, nëse kubanëve do t’u jepej mundësia të bombardonin qytetet në Floridë. Nëse Kremlini nuk ka mënyra më konvencionale për përshkallëzim, do të rritet tundimi për t’i përdorur armët taktike bërthamore. Nuk mund të dimë se çfarë mësimesh mund të ketë nxjerrë lideri rus nga Kriza e Raketave në Kubë. Megjithatë, me siguri një nga to është regjistruar: pas vitit 1962, Hrushovi duhej të ikte. Për Putinin këtë herë nuk është vetëm çështja e jetës dhe e pasurisë së tij. Ai duket se e ka bindur veten se pa të Rusia do të shkatërrohet. Dhe, siç tha komentatori i tij i preferuar televiziv, në fillimin e luftës në Ukrainë: “Pse na duhet bota nëse Rusia nuk është në të”? Ndërsa, basti i tij delirant në Ukrainë, po prodhon një tërheqje ushtarake pas tjetrës, Putini duhet ta gjejë daljen. Ne thjesht nuk e kemi asnjë mënyrë për të ditur se çfarë lloj daljeje do të zgjedhë dhe nëse do të vijë ajo me zhurmë. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëAtilla Kardesh rikthehet sonte në spektaklin Big Brother VIP Kosova?
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje
Gazeta zvicerane citon Kurtin: Kosova të përgatitet për hakmarrje nga Serbia, s’është koha për bashkim me Shqipërinë
Çfarë duhet të dinin për Islandën – kundërshtarin e Kosovës për inkuadrim në Ligën B të Kombeve
Zyrtari i lartë ushtarak britanik: Jemi të gatshëm qysh sonte të luftojmë me Rusinë
KFOR-i nuk e pohon as nuk e mohon nëse policët e Kosovës hynë në Serbi
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje