Opozita shqiptare dhe pjesa më e madhe kritikëve të një marrëveshjeje Kosovë- Serbi, që kalon përmes ndryshimit të kufijve, po shfaqin një entuziazëm naiv pas shkarkimit të paralajmëruar të John Boltoni nga presidenti Trump.
Sipas tyre, rënia e ish-këshilltarit të fortë dhe arrogant të Sigurisë Kombëtare është një lajm i mirë, si për frenimin e një marrëveshjeje që mund të hapë kutinë e Pandorës në Ballkan, po aq sa edhe dobësim i krahut që e përkrahte në mënyrë imorale binomin Rama-Thaçi në pushtet.
Prej kohësh në Tiranë gëlon një teori konspirative se amerikanët po i amnistojnë krimet e Edi Ramës, po tolerojnë pushtetin e tij monist dhe organizimin e zgjedhjeve pa opozitë, për shkak të faktit se ai është i implikuar në planin okult për ndarjen e Kosovës; se ai u ka hapur portat muxhahedinëve iranianë; se ai po e luan më së miri rolin e shefit të një republike bananesh duke përzënë diplomatët e Teheranit nga Tirana.
Në fakt, John Bolton ka qenë në qendër të të gjitha këtyre. Tashmë janë të njohura deklaratat e tij jo vetëm kundër pavarësisë së Kosovës, por edhe qëndrimet favorizuese për aventurën shkëmbimit të popullsive dhe territoreve. Po ashtu në rrafshin ndërkombëtar, dihet më së miri qëndrimi i pakompromis i këtij përfaqësuesi ekstremist të krahut konservator, që ka kontribuar më parë në administratat Reagan e Bush, kundër regjimit teokratik të mullahëve dhe mbështetja për opozitën iraniane në ekzil.
Në këtë kuptim, rënia nga pushteti e këtij karakteri të fortë është një dobësim taktik i fijeve që mbanin mundimshëm të lidhura Tiranën me sferat e larta të Uashingtonit.
Por, që të jemi të qartë, John Bolton u flak nga Donald Trump për tjetër gjë.
Prej kohësh presidenti amerikan kishte më shumë kontradikta sesa duhet me këshilltarin e tij: Afganistani, Koreja e Veriut, Irani dhe Venezuela ishin kthyer në mollë sherri midis tyre. “Unë nuk isha dakord me shumë nga sugjerimet e tij ashtu, sikurse shumë të tjerë brenda kësaj administrate”, deklaroi Trump pas shkarkimit në llogarinë e tij në Twitter. Më parë, pas dështimit për të rrëzuar regjimin e Maduros në Karakas, presidenti amerikan pati pohuar: “John ka një vështrim tepër të ashpër për gjërat, por kjo nuk prish punë. Në fakt, e pabesueshme është se shpesh jam unë ai që e moderoj Johnin”.
Pkërisht bindjet e forta të shprehura publikisht të këtij republikani konservator, të cilat Trumpi i përgënjeshtronte më pas me aktet e tij, e bënë atë të ketë fatin e shumë prej pjesëtarëve të tjerë të presidencës.
Por, ajo që na intereson më shumë ne në Tiranë është dilema nëse bie apo jo, së bashku me Boltonin, edhe ajo pjesë politikave të tij që na prekin drejtpërdrejt?
Për këtë askush nuk mund të vërë bast. Prandaj, festa për rrëzimin e tij duket sa e përshpejtuar po aq edhe naive. Ajo shpesh i ngjan një filmi që e kemi parë.
Kush i mban mend mitingjet e opozitës anti-nanoiste në vitet e para 2000, me siguri i kujton parullat e spikatura Berisha-Bush-Berlusconi. Ato shprehnin një besëtytni të papranueshme në politikë, se ardhja në pushtet, në SHBA dhe Itali, e dy të njohurve të djathtë të doktorit, do të ndryshonte gjërat edhe këtej në anët tona. Të gjithë ata që shpresuan se këto ndryshime gjeopolitike do të përthyheshin automatikisht edhe këtu, u zhgënjyen duke pritur gjatë rënien e Nanos, ndërkohë që shihnin në mediat e pushtetit, imazhet e “armikut” të tyre, përkrah liderëve botërorë që u kishin ngjallur aq iluzione. Kryeministri socialist u bë “aleati” i parë neokonservatorëve që i shpallën luftë Irakut dhe miku i Berlusconit në dasma dhe stadiume.
E njëjta histori u përsërit edhe pas hyrjes surprizë të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë. Edhe atëherë konspiracioni se njeriu më i fuqishëm i botës do e ndëshkonte atë që pati guxuar ta quante “turpi i njerëzimit”, bashkë me këlyshët e Sorosit që e mbështesnin, rezultoi një flluskë voluntariste.
Të njëjtin gëzim naiv duhet t’ia kursejnë vetes edhe sot të gjithë kundërshtarët e Ramës. Shpresa se me rënien e John Boltonit do të marrë një goditje edhe plani për ndarjen e Kosovës e, bashkë me të edhe një nga faktorët e mbështetjes së përtej Atlantikut për kryeministrin shqiptar, është një rrugë që nuk të çon gjatë. Vërtet ish-këshilltari i Sigurisë Kombëtare pati një rol të dorës së parë në këtë proces, por bazimi i politikave tek personat dhe i bindjeve e ideve tek lëvizjet taktike, sjell gjithmonë një rezultat zhgënjyes.
Të gjithë ata që e luftojnë idenë e shkëmbimit të territoreve, mënyrën si ajo është ngjizur dhe efektet që ajo mund të shkaktojë, i kanë atutë e mjaftueshme për t’u rreshtuar kundër saj. Boll t’i qëndrojnë parimeve se ai është një projekt personal, që niset nga premisa raciste se ballkanasit nuk janë të aftë për bashkëjetesë, që mund të shkaktojë një efekt të tmerrshëm domino, për të bërë betejën e tyre. Në afatgjatë kjo është ku e ku më efikase, koherente dhe intelektualisht e ndershme sesa të fërkosh duart e të presësh se kush bie dhe kush ngjitet në administratën amerikane, qoftë ky edhe kontroversi John Bolton. /Lapsi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëDrenusha Latifi pranon në takim Atillën, vendosin të 'pajtohen' për hatër të fëmijëve
Publikohen pamjet tronditëse të momenteve të fundit të Liam Payne sa ishte gjallë - stafi i hotelit kryen lëvizje të çuditshme dhe ka mospërputhje të kohës
Ana lë shtëpinë e Big Brother VIP Kosova 3
Një epokë e re në bashkëpunimin ushtarak: Ja se si vendet anëtare të BE-së "po bashkohen për një mbrojtje të avancuar”
Angela Merkel shpreh 'shqetësim të madh' për rolin e Elon Musk në qeverinë amerikane
Droni i policisë iu heq nga duart shqiptarëve 2.8 milionë paund, burg pas zbulimit të “fabrikës” së drogës në Angli
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Sancho mund të largohet nga Chelsea, por jo nga Anglia – atë e do me ngulm rivali i tyre
Një epokë e re në bashkëpunimin ushtarak: Ja se si vendet anëtare të BE-së "po bashkohen për një mbrojtje të avancuar”
Ish-deputetët e LVV-së kritikojnë kryeministrin Kurti për mungesën e fokusit në bashkimin kombëtar
"Kam 90 për qind gjasa që s'do mbijetoj", zbardhet biseda telefonike që Diana realizoi me babanë e saj para se të largohej nga BBVK
Publikohen pamjet tronditëse të momenteve të fundit të Liam Payne sa ishte gjallë - stafi i hotelit kryen lëvizje të çuditshme dhe ka mospërputhje të kohës
Zyrtari i lartë ushtarak britanik: Jemi të gatshëm qysh sonte të luftojmë me Rusinë